MEDIA TREND/ Si e kanë ndryshuar mediat sociale mënyrën tonë të komunikimit

Nga Edi Vlusha

Teknologjia dhe mediat e reja, po ndryshojnë në mënyrë fondamentale ndërveprimin njerëzor dhe ky është vetëm fillimi. Nëse deri para një apo dy vitesh ne kemi menduar se jemi në një periudhë tranzicioni, midis mediave tradicionale dhe mediave të reja, pra atyre sociale, sot tranzicioni ka përfunduar. Pothuajse çdo njeri sot, ka një llogari në Facebook, Instagram, Twitter etj. Madje edhe vetë mediat tradicionale e kanë zgjeruar komunikimin e tyre duke u përfshirë edhe vetë në këtë agor të pakufizuar.

Ndërkohë që komunikimi dhe informacioni shpërndahen shumë më shpejt, bota na duket edhe më e vogël. Si rezultat, kjo ndryshon mënyrën se si bota komunikon, veçanërisht me obsesionin e sotëm të mediave sociale.

Marshall Mcluhan në librin e tij “Media si zgjatim i njeriut” në vitin 1964, ka përmendur termin medium është mesazhi, e cila është një shprehje e “shpikur” nga vetë ky, ku shpjegon se forma e një mjedisi futet në çdo mesazh që do të transmetojë ose përcjellë, duke krijuar një marrëdhënie simbolike me anë të së cilës mediumi ndikon në mënyrën se si perceptohet mesazhi. Në librin e tij McLuhan propozon që media dhe jo përmbajtja që mbart duhet të jetë fokusi i studimit, pasi është vetë mediumi i cili luan një rol të rëndësishëm jo vetëm nga përmbajtja, por edhe nga karakteristikat e vetë medias.

Kohë më parë se mediat sociale të bëheshin pjesë e komunikimit tonë të përditshëm, ne ishim jashtëzakonisht të kufizuar në mjetet tona për të bashkëvepruar me të tjerët, duke u kufizuar vetëm kryesisht te njerëzit që njihnim personalisht. Kishte shumë aspekte në komunikim, ku ne duhet të prisnim me javë, për një letër në postë apo për një fotografi të njerëzve tanë që nuk jetonin në të njëjtin qytet, për më tepër nga njëri shtet në tjetrin.

Në këtë mënyrë interneti dhe për më tepër mediat sociale kanë ndryshuar në mënyrë drastike formën se si njerëzit në të gjithë botën bashkëveprojnë dhe komunikojnë.

Së pari, një nga ndryshimet më të mëdha për mënyrën se si ne ndërveprojmë sot për shkak të mediave sociale, është numri i madh i njerëzve me të cilët mund të ndërveprojmë. Tashmë ne jemi në gjendje të bashkëveprojmë me mijëra njerëz në të gjithë botën – prandaj shohim njerëz që kanë mijëra miq në Facebook ose dhjetëra mijëra ndjekës të Twitter apo Instagram. Në këtë mënyrë pa aksesin në media sociale, kjo do të ishte e pamundur, pasi këto të fundit na lejojnë mundësinë të ndajmë mendimet, opinionet tona për çështje të caktuara me një audiencë shumë më të gjerë.

Së dyti, një ndryshim tjetër i madh që ka ndodhur në komunikimin tonë, është fakti se tashmë nuk ka asnjë filtër në mënyrën se si flasim. Në të kaluarën, nëse nuk bisedonim në mënyrë direkte me njerëzit, mesazhi që donim të përcillnim nuk ka patur asnjë mënyrë për të marrë mesazhin tuaj, pa marrë parasysh lirinë e fjalës. Ndërkohë, tani ne mund të përdorim mediat sociale për t’i nxjerrë mendimet tona në mijëra apo edhe miliona njerëz duke qenë të pacensuruar.

Së treti, mënyra se si mediat sociale kanë ndryshuar ndërveprimin e njerëzve me njeri-tjetrin është, se ne kemi humbur tashmë disa nga aftësitë tona shoqërore. Disa njerëz janë krejtësisht të paaftë për të kryer një bisedë normale ose për të bashkëvepruar me njerëzit në mënyrë direkte për shkak të varësisë që kanë nga mediat sociale, pasi janë bërë një nga mënyrat dominante në të cilat ne komunikojmë. Njerëzit janë më të obsesionuar me kontrollin e celularit çdo 2 minuta, se sa të angazhohen në biseda kuptimplota me fëmijën ose bashkëshortin/en e tyre. Ajo, çka vlen për t’u theksuar është se, mediat sociale dhe teknologjia janë një thikë me dy presa. Pasi këto si kanale komunikimi janë të mahnitshme që t’i përdorim dhe mund të na ndihmojnë vërtet në komunikimin tonë të përditshëm, qoftë personal, por edhe institucional, por gjithashtu na bën që të jemi të verbër dhe të shurdhër ndaj çdo gjëje tjetër që po ndodh rreth nesh.

*Drejtor i Komunikimit, UET

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Nuk ka PS një ministër të Brendshëm, familjarët e të cilit të mos merren me drogë?!

Nga Ervis Iljazaj Dua ta them që në fillim të këtij artikulli...
Read More