Meksi në forumet UET: Shqipëria nuk ka sistem shëndetësor, jemi në kohën e sovjetikëve akoma


Cilat janë problemet e shëndetësisë shqiptare? Si mund të dilet nga kjo situatë kur mjekësia mbetet një plagë e rëndë në vend? Si vlerësohet lindja e një fakulteti të ri mjekësor në një universitet privat si UET? Pasditen e së martës u zhvillua një debat interesant në kuadër të forumeve UET mes dy kolegëve të vjetër, prof. dr. Fedhon Meksi dhe dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin Europian të Tiranës, Isuf Kalo, rreth këtyre çështjeve. Ata bashkëbiseduan mbi eksperiencat dhe zhvillimin e fakultetit të ri të Shkencave Mjekësore Teknike, tashmë një fakultet i ri në UET. Meksi ka ndarë disa nga eksperiencat e jetës së tij në mjekësi dhe u shpreh se hapja e këtij fakultetit të ri është një lajm i mirë kombëtar.

“Unë vazhdoj të habitem nga Fedhoni dhe vazhdoj të mësoj ende prej tij. Mendova se ishte personi i parë që duhet thirrur për të filluar degën tonë në Fakultetin e Mjekësisë në UET. Është një njeri i pasionuar, i ndershëm, i drejtë, i ditur dhe patriot si Fedhoni”, tha Kalo.

Kurse Meksi tha se në Shqipëri nuk ka sistem shëndetësor. “Shqipëria nuk ka sistem shëndetësor, Shqipëria njëherë për njëherë. Ne jemi në kohën e sovjetikëve akoma. Kemi shtuar aparatura ndoshta po, por mjeku i shërbimit shëndetësor parësor rri në një dhomë të ngushtë aty dhe kaq”.

Ju thatë pak më parë që sistemi shëndetësor në Shqipëri vazhdon të jetë akoma sovjetik. Si e komentoni nismën e qeverisë për gati 4 vite për shëndetësinë falas. A mund të ketë një shëndetësi falas për momentin se si është situata ekonomike në Shqipëri?

Mund të bëhet në Suedi po, që ka gjithë atë buxhet, në Shqipëri jo dhe nuk është bërë në fakt. Që të jetë falas duhet të jetë dhuratë, që të jetë dhuratë duhet të pyesësh kush e dhuron, kush është dhuruesi, nga vijnë paratë. Pra, në të vërtetë ka disa sisteme shëndetësore, të cilat kanë forma të ndryshme që marrin para nga popullata dhe me këto pastaj varet se ku i çojnë dhe si i përdorin këto para. Pra ka një sistem, që është sistemi i siguracioneve. Pra, një pjesë del nga xhepi i vetë punonjësit dhe një pjesë del nga xhepi i institucionit, pra i pronarit. Ne e kemi 3.4%, ku 1.7% vjen nga personi. U krijua sistemi i siguracioneve pasi me këto para që do të mblidhte do të blinte shërbimet për njerëzit. Në vendet si tonat të pazhvilluara mirë dhe me informalitet ky sistem ka disa rreziqe. E para, se një pjesë e madhe e popullsisë është në fshat dhe nuk paguajnë. E dyta është se ka një pjesë të madhe të punonjësve që janë në të zezë ku as ata dhe as pronari nuk paguajnë. E treta, se pagat janë aq të ulëta, qoftë edhe 1.7% e buxhetit që krijohet nuk mund të bësh shumë gjëra me të. Shteti në këto raste merr disa para nga taksat e përgjithshme dhe ia jep shëndetësisë. Problemi është se sa para vjen nga xhepi i popullatës dhe sa para do të vijnë nga taksat e popullsisë. Në vendet e tjera 10% e shpenzimeve paguhet nga xhepi i popullatës dhe 90% paguan shteti nga mbledhja e taksave, ndërsa ne kemi 60% nga xhepi i njerëzve dhe 40% nga popullata. Ky raport është invers dhe jemi i vetmi vend në Europë që e kemi këtë problem. Këtu nuk shtrohet problemi falas, por po të rrisim kontributin e punonjësve sa para do t’i japim ne shtetit për shëndetësinë. Po t’ia kërkojmë këtë rritje do të kemi efekt elektoral dhe partitë politike nuk guxojnë ta bëjnë këtë pasi tremben. Në këtë rast nxjerrin marifete të tilla ‘falas’, nuk është falas, por me parapagim.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Film dhe kulinari: Spanjollët, me premierë botërore për Shqipërinë e ’97-ës

Mbrëmë, deri më 8 korrik, në kinemanë “Mitrush Kuteli” në Pogradec ka...
Read More