Menaxhimi i kostove mjedisore në aktivitetin e sipërmarrjeve në Shqipëri

Nga zbatimi i menaxhimit mjedisor, së pari, përfiton personeli menaxhues i ndërmarrjes, i cili njihet me komponentët e menaxhimit mjedisor dhe me kuadrin ligjor mjedisor dhe normat e shkarkimeve, duke pakësuar rreziqet mjedisore dhe shmangur kështu, ndëshkimet ligjore.

Nga Aulent Guri

Menaxhimi mjedisor lidhet me përdorimin në nivele normale të burimeve natyrore, për të bërë të mundur realizimin dhe arritjen jo thjesht të zhvillimit ekonomik, por të një zhvillimi të qëndrueshëm, çka mundëson të njëjtat mundësi zhvillimi edhe për gjeneratat e ardhshme. Qëllimi i menaxhimit mjedisor është përcaktimi i mënyrës së sjelljes së njeriut me burimet natyrore, si edhe me administrimin mjedisor të aktiviteteve ekonomike, të cilat kanë një ndikim të konsiderueshëm në mjedis, sidomos në raste kur nuk respektojnë siç duhet direktivat brenda normave dhe standardeve të funksionimit të tyre. Synim tjetër i menaxhimit mjedisor është edhe përdorimi i burimeve të rigjenerueshme, si dhe në zgjerimin e rendimentit të tyre mjedisor e social. Të gjitha këto kontribuojnë në përmirësimin e performancës ekonomike, mjedisore e sociale. Analiza e modeleve të konsumit e lidh përdorimin e burimeve me ndikimet mjedisore, sociale dhe ekonomike në shkallën ose kontekstin e vëzhgimit të dhënë. Ndaj, ideja e përdorimit të materializuar të burimit (burimet totale të nevojshme për të prodhuar një produkt ose një shërbim), intensiteti i burimit (burimet e nevojshme për çdo dollar të harxhuar për një mall ose shërbim), dhe produktiviteti i burimit (sasia e mallit ose e shërbimit e prodhuar për një futje të dhënë të burimit) janë mjete të rëndësishme për t’i kuptuar ndikimet e konsumit me anë të kategorive të thjeshta e kryesore të burimit që tregojnë nevojat e njerëzve për ushqim, energji, materiale dhe ujë. Aktivitetet ekonomike mund të kenë një ndikim domethënës mbi ambientin si p.sh. prodhimi i produkteve kërkon marrjen e lëndës së parë nga mjedisi, si dhe konsumim të ujit dhe energjisë ose aktivitetet që lidhen me procesin e prodhimit, siç mund të jenë ambalazhimi, transporti dhe mirëmbajtja. Në shumë raste, produktet përfundojnë si mbeturina mbas përdorimit të tyre, duke patur relativisht një kohë shumë të shkurtër dobishmërie.

Përvojat e menaxhimit mjedisor

Mbrojtja e mjedisit është e rëndësishme për kompanitë pasi i ndihmon ato të reduktojnë risqet dhe të krijojnë vlera të shtuara. Nga këndvështrimi social, problemet mjedisore sjellin përfitime të disa njerëzve në kurriz të të tjerëve. Nga këndvështrimi ekonomik problemet mjedisore paraqesin falimentime të tregut sidomos për korporatat afatshkurtra ose afatmesme të cilat kanë probleme serioze me ndotjen. Sot në botë ka tri modele të sjelljeve të qeverive. 1) Qeveri të cilat nuk ndërhyjnë për sa i përket zbatimit të mbrojtjes së mjedisit nga korporatat. Në mënyrë që të maksimizohen fitimet, korporatat preferojnë të sakrifikojnë mjedisin, se sa të shtojnë investimet në përmirësimin e teknologjisë për mbrojtjen e mjedisit. 2) Qeveri të cilat kanë kuptuar rëndësinë e politikave CSR për mbrojtjen e mjedisit. Ligjet dhe rregulloret janë ristrukturuar për aktivitetet e rrezikshme ndaj mjedisit. Megjithatë, disa kompani fillojnë dhe iu binden ligjeve dhe të tjera mundohen t’u shmangen për të rritur fitimet e tyre duke bërë operacione jo të rregullta duke rezultuar në fund në rritjen e kostos dhe uljen e fitimeve të kompanive që i respektojnë ligjet mjedisore. 3) Qeveri të cilat funksionojnë shumë mirë, me ligje të forta mjedisore të cilat bëjnë të mundur funksionimin në kushte të barabarta të kompanive.

Menaxhimi mjedisor dhe sipërmarrjet

Nga analiza e sistemit të menaxhimit mjedisor referuar edhe monitorimit të shkarkimeve të ujërave industriale, emetimeve në ajër si edhe ndotjes akustike për të dy kompanitë e prodhimit të produkteve plastike, kompania Vorë-Rinas Km 4 (Kompania 1) është dukshëm në avantazh me Kompaninë 2 e cila në disa raste tejkalon normat dhe standardet mjedisore të vendit dhe ato europiane. Kjo situatë paraqitet edhe për faktin se Kompania 1 ka investuar më shumë në menaxhimin dhe rritjen e performancës mjedisore duke sjellë një qëndrueshmëri më të lartë në aspektin social-ekonomik dhe mjedisor të rajonit. Kostot Mjedisore janë shpenzime të bëra në mënyrë që të përputhen me standardet rregullatore. Këto shpenzime shkaktohen për të reduktuar ose eliminuar shkarkimet e substancave të rrezikshme, si dhe të gjitha shpenzimet e tjera që lidhen me praktikat për qëllimin e uljes së ndikimeve në mjedis. Kostot Mjedisore kategorizohen si: 1. Kosto operative mjedisore janë një nënndarje e kostove operative të një biznesi. Kur substancat e lëshuar në ajër, ujë ose tokë, rezulton e ndotur dhe sipas detyrimeve ligjore kërkojnë investime shtesë në pajisje apo trajnime nga mospërputhje te këtyre faktorëve të jashtëm të mjedisit, apo për gjobat dhe tarifat që rezultojnë, këto shpenzime do të konsiderohet si kosto sociale e jashtme 2. Kosto kapitale të jashtme mjedisore janë kosto shtesë të biznesit për instalime të reja që dalin në përputhje me standardet ligjore. Këto duhet të jenë përfshirë në kostot kapitale në mënyrë që shpenzimet e prodhimit mbeten të sakta për shembull, kostoja e trajtimit të mbeturinave të pasqyrohen në kostot e produkteve që janë përgjegjëse për prodhimin e mbetjeve.

Kërkimet mbi kontabilitetin e kostove mjedisore kanë filluar nga viti 1970 nga korporata e kontabilisteve mjedisor. Nga 1998, shumë organizata të mëdha të kontabilitetit të Amerikës së Veriut kanë botuar librin e kontabilitetit të mjedisit. Instituti “Kanadez i Ekspertëve Kontabël” kanë botuar librin “Kostot dhe Detyrimet Mjedisore” dhe Shoqata e Kontabilistëve të Menaxhimit të Kanadasë ka prodhuar një sërë udhëzuesish, duke përfshirë “Mjetet dhe Teknikat e Kontabilitetit te Mjedisit” për vendimet e biznesit (1996) dhe “Kontabiliteti për zhvillimin e qëndrueshëm”. Kontabiliteti mjedisor ka të bëjë me përkufizimin, vlerësimin dhe ndarjen e kostove mjedisore dhe shpenzimeve për qëllime të kostos dhe menaxhimit të burimeve, raportimit të përputhshmërisë, dhe buxhetimi i kapitalit, planifikimin, dhe marrjen e vendimeve operacionale. Për të llogaritur koston e plotë të mjedisit është e domosdoshme të bëhet dallimi midis kostove të brendshme (ato që barten nga ndërmarrja) dhe kosto të jashtme (ato që kalojnë në komunitet, p.sh., kostot mjedisore dhe shëndetësore). Në këtë qasje, shpenzimet e brendshme mjedisore të firmës janë të përbërë prej kostove direkte, kostove indirekte dhe shpenzimeve kontingjente, që përfshijnë kostot e rehabilitimit, shpenzimet e restaurimit dhe menaxhimit të trajtimit të mbetjeve e ujërave të përdorura nga procesi i prodhimit.

Ku duhet ndërhyrë

Rritja e kostos së brendshme mjedisore deri në 20% ka garantuar vlerat e emetimeve brenda normave dhe standardeve aktuale, pra duke shmangur ndotjen e mjedisit përreth aktivitetit të Kompanisë 1, ndërsa kostoja e brendshme mjedisore ne vlerën 10% të Kompanisë 2 ka gjeneruar emetime dhe ngarkesën e ndotjes mbi normat dhe standardet aktuale, pra duke shkaktuar ndotjen e mjedisit përreth aktivitetit. Nga zbatimi i menaxhimit mjedisor, së pari, përfiton personeli menaxhues i ndërmarrjes i cili njihet me komponentët e menaxhimit mjedisor dhe me kuadrin ligjor mjedisor dhe normat e shkarkimeve, duke pakësuar rreziqet mjedisore dhe shmangur kështu, ndëshkimet ligjore. Ndër përfitimet kryesore të ndërmarrjes nga zbatimi i menaxhimit mjedisor është fusha ekonomike, sepse përdorimi i lëndëve të para, ujit dhe energjisë përmes riciklimit nga njëra anë ul kostot dhe nga ana tjetër zvogëlon ndikimin negativ ndaj mjedisit si edhe zvogëlon gjobat dhe eliminon kostot e transportit dhe të zhvendosjeve. Menaxhimi sistematik i mjedisit ndihmon në një bashkekzistencë harmonike midis kompanive dhe komunitetit përreth tyre. Ajo e bën më të lehtë punën e kompanisë për të parandaluar situata konfliktuale, duke rritur angazhimin për një komunikim të hapur. Përfitimet e ndërmarrjes nga zbatimi i menaxhimit mjedisor janë edhe Fëmijët tanë, si edhe zhvillimi i qëndrueshëm, sepse një aktivitet ekonomik nuk duhet t’iu shërbejë vetëm interesave të përfitimit në periudhën afatshkurtër, por gjithashtu të asistojë në ruajtjen dhe përmirësimin e kushteve të jetesës dhe cilësisë së jetës së brezave të ardhshëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Drejtësia ka mbetur i vetmi instrument i diplomacisë amerikane në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë

Nga Ervis Iljazaj Parlamenti i Maqedonisë ka zgjedhur dje Kryeprokurorin e Përgjithshëm,...
Read More