Meta për VOA-n: Pa Gjykatë Kushtetuese s’ka marrëveshje me Greqinë

“Është shumë e rëndësishme që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në Parlament kur të kemi një Gjykatë Kushtetuese, pasi në të kundërt nuk do i shërbente zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështjeje”.

Presidenti i Republikës Ilir Meta në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës, ka folur për çështjet më të nxehta të aktualitetit politik në Shqipëri. Kreu i Shtetit ka bërë komentet e tij për negociatat me Greqinë, ecurinë e të cilave deri më tani e vlerësoi me nota pozitive, për çështjen e shumë debatuar të Xhisiela Malokut, si edhe për temat rajonale ku spikat debati për ndryshimin e kufijve në Kosovë.

Pa Kushtetuesen s’ka marrëveshje

Kreu i Shtetit i cilësoi negociatat me Greqinë me një ecuri pozitive. “Unë marrëdhëniet me fqinjët i kam për zemër dhe nuk më pëlqen të hyj në polemika. Çështja ka më shumë se 10 vite që nuk është zgjidhur dhe ka një vendim të Kushtetueses. Unë kam bërë përpjekjet maksimale për t’i kontribuar zgjedhjes së drejtë dhe jo ndërlikimit. Është një çështje delikate te ne, por edhe në Greqi. Kam bërë gjithçka, me Ramën kemi pasur dakordim të plotë, kemi pasur disa mosmarrëveshje me Bushatin për këto çështje dhe i kam bërë të qartë Ramës, që nëse është i bindur që të finalizohet një marrëveshje e tillë do të ketë autorizimin tim”, u shpreh Meta.

Por përveçse autorizimit nga Presidenti i vendit, Meta ka një kusht akoma edhe më jetik për ecurinë e këtij procesi. “Ramës i kam bërë të qartë, që është shumë e rëndësishme që një marrëveshje e tillë duhet të ratifikohet në parlament kur të kemi një Gjykatë Kushtetuese, pasi në të kundërt nuk do i shërbente zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështje”, theksoi Meta.

Kosova, të mos hapet Kutia e Pandorës

Në lidhje me ndryshimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, Meta u shpreh se në rastin më të mirë është humbje kohe ky debat, por në rastin më të keq mund të hapë kutinë e Pandorës në Ballkan. “Në rastin më të mirë debati për ndryshimin e kufijve është humbje kohe, në rastin më të keq na rrezikon që të rihapë Kutinë e Pandorës”. Sa i përket referendumit në Maqedoni, kreu i shtetit tha se perëndimi bëri maksimumin për t’iu dhënë kohë palëve, por aktorët e atjeshëm e shfrytëzuan rastin politikisht.

“Xhisiela”, s’ka amnisti për dhunuesit

Meta ka folur për herë të parë edhe për çështjen e shumë debatuar të Xhisiela Malokut. Ai u shpreh se çështjen po e ndjek stafi i tij me në krye këshilltarin për siguri kombëtare zotin Bari Shaqiri. “Unë jam shprehur qartë në këtë çështje dhe e kam bërë të qartë se sa kohë do të jem në këtë pozitë nuk do të favorizoj asnjë amnisti apo falje për çdo person që ushtron dhunë në familje. Besoj që edhe parlamenti dhe qeveria ndajnë të njëjtin angazhim. Rasti konkret është një çështje që unë kam marrë një letër që i drejtohej edhe kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe Prokurores nga oficeri Nuhu. Çështjen në fjalë po e ndjek ekipi im me në krye këshilltarin për siguri kombëtare zotin Bari Shaqiri. Kështu që për të mbajtur një qëndrim të qartë duhet të kem një informacion më të plotë dhe të besueshëm. Është për të ardhur keq që ka një polarizim në këtë çështje, kur duhet të ketë një bashkim të të gjithëve për të adresuar një fenomen që kërcënon shoqërinë tonë, familjen tonë pa i dalë askujt në mbrojtje, aq më tepër kur bëhet fjalë për persona që kanë lidhje politike, por edhe pa e tepruar me akuza politike”, ka deklaruar Meta.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Integrimi është karamele. Ne ende nuk kemi ujë!

Nga Erjon Uka Qofshin të një natyre populiste ose jo, të ashtuquajturat...
Read More