Monarkia bëri shumë për Shqipërinë, Shqipëria nuk bëri asgjë për monarkinë

Nga Ervis Iljazaj

Muaji që lamë pas, ishte muaji i 90-vjetorit të themelimit të monarkisë shqiptare. Përveç një pritjeje ceremoniale të organizuar nga familja mbretërore, askush nuk u kujtua për këtë përvjetor të rëndësishëm të historisë shqiptare.

Larg të qenit monarkik, besoj se, monarkia shqiptare ka bërë shumë për Shqipërinë në kohën kur ka qenë një regjim politik. Ndërkohë që, Shqipëria, nuk ka bërë asgjë për të.

Më së paku, me monarkinë shqiptare, fillon themelimi i shteti modern shqiptar. Vetëm për këtë arsye, ajo duhet të kishte një vend më të rëndësishëm në shoqërinë shqiptare.

Jo vetëm që kjo nuk ndodh, por, sa herë që ka një debat mbi monarkinë shqiptare, ka pothuajse një revoltë qytetare. A thua se, momentet historike të rëndësishme të Shqipërisë politike janë të shumta.

Në këtë kuptim, monarkia shqiptare, nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga aktorë të ndryshëm të shoqërisë, nga historia, qoftë edhe si trashëgimi kulturore e rëndësishme e historisë sonë jo shumë të largët.

Dhe, për këtë, padyshim që faji është tërësisht i ideologjive politike të pakuptimta, që edhe në rastin e trashëgimisë kulturore, nuk mungojnë duke zhvilluar betejën e tyre.

Nuk ka familje tjetër mbretërore përveç asaj shqiptare, që të jetë kaq shumë jashtë vëmendjes së shoqërisë dhe të opinionit apo të shoqërohet me një indiferencë të tillë.

Edhe në këtë përvjetor të rëndësishëm të saj, mungesa e respektit dhe dinjiteti që i takon asaj në historinë shqiptare, si çdo herë mungoi. Duket sikur të flasësh për monarkinë dhe rolin e saj në formimin e shtetit shqiptar është një herezi. Kjo sjellje e shoqërisë shqiptare ndaj monarkisë, është absurde dhe e pakuptimtë, ose më saktë, është e kuptueshme për shkak të një shoqërie që është shpeshherë e doktrinuar deri në palcë, dhe, historinë e saj e lë në harresë si pasojë e bindjeve politike.

E gjitha indiferenca që mbizotëron për monarkinë shqiptare si një moment i rëndësishëm për Shqipërinë vjen si pasojë e disa keqkuptimeve të mëdha që janë krijuar rreth saj.

Në radhë të parë, janë interpretimet e ndryshme historike për monarkinë dhe atë periudhë historike, të cilat kanë deformuar plotësisht opinionin publik.

Në radhë të dytë, është padyshim periudha komuniste e gjatë, e cila baltosi mbretërinë shqiptare. Dhe mendësia komuniste, vazhdon ende të jetë e rrënjosur në shoqërinë shqiptare. Jo vetëm nga qytetarë të thjeshtë, por, edhe nga shumë intelektualë, të cilët ndahen për rolin dhe funksionin e saj. Mirëpo, historia, flet me gjuhën e fakteve dhe jo të ideologjive politike. Ideologjizimi i historisë, është një plagë e vjetër e historianëve shqiptare. Në këtë kuptim, çlirimi i saj nga doktrinat politike, është kusht për të shkruar një histori të vërtetë, duke i dhënë kujtimet që i takojnë çdo periudhe të Shqipërisë.

Në radhë të tretë, është opinioni publik, i cili mban larg vëmendjes së saj monarkinë shqiptare. A thua se, ajo është një nga periudhat më të këqija të historisë shqiptare. Ndërkohë që, e kundërta është e vërtetë. Duam apo s’duam, jemi monarkikë apo jo, periudha e monarkisë shqiptare, është padyshim një periudhë për t’u kujtuar, dhe jo për t’u harruar.

Prandaj, institucionet shtetërore, opinioni publik dhe historia, duhet t’i japë vendin që i takon monarkisë shqiptare. Një vend që, është me siguri i merituar dhe i rëndësishëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Paketa e artistit politikan!

Nga Irena Myzeqari Dy gjëra e vrasin artistin; Realiteti dhe monotonia. Fatkeqësisht...
Read More