Ndërkombëtarokracia që nuk minon demokracinë, të paktën atë shqiptare

Nga Ervis Iljazaj

Fatos Lubonja është nga të paktët njerëz publik që admiroj për gjetjen e termave të goditur dhe domethënës. Edhe kësaj here, në një artikull për gazetën Panorama, të titulluar “Ndërkombëtarokracia që minon demokracinë”, më bëri përshtypje termi ndërkombëtarokraci, për të cilin nuk mund ta fsheh “xhelozinë” intelektuale, në kuptimin që, është një term që më tërhoqi jashtë mase vëmendjen. Por, përtej termit interesant, përmbajtja e artikullit është për t’u diskutuar, madje në gjykimin tim, totalisht e gabuar.

Në thelb Fatos Lubonja thotë se “Në Shqipëri vendosin ndërkombëtarët, dhe në shumë raste ata kanë legjitimuar me vendimet dhe qasjen e tyre korrupsionin dhe politikanë të korruptuar, duke minuar kështu demokracinë shqiptare”. Në këtë konkluzion Lubonja arrin duke marrë shkas nga vendimi i BE për Teatrin Kombëtar.

Në fakt, nuk është hera e parë, që Fatos Lubonja bën me faj ndërkombëtarët për rrjedhjen e ngjarjeve politike në Shqipëri. Këtë e ka bërë edhe për ecurinë e Reformës në Drejtësi, edhe në rastin e hapjes së negociatave, kur kërkonte që BE mos t’i hapte ato, sepse legjitimonte pushtetin e Edi Ramës. Është një tezë më se e respektueshme. Jo vetëm kaq, por, është një tezë e cila hap një debat të madh dhe të rëndësishëm për rolin dhe misionin e ndërkombëtarëve në Shqipëri. Dhe për këtë, i takojnë të gjitha meritat.

Misioni i BE dhe ai ndërkombëtar në Shqipëri, mund të ketë 100 mëkate, por nëse gjatë tranzicionit do të mungonte prezenca e tyre, as që dua ta imagjinoj se çfarë mund të ndodhte në këtë vend, duke parë klasën politike që kemi pasur. Në këtë kuptim, ndërkombëtarokracia që aq shumë kritikon Lubonja, jo vetëm që nuk e ka minuar demokracinë shqiptare, por, përkundrazi, vetëm sa e ka ndihmuar atë, me të gjitha shtrëngimet dhe kushtëzimet që i ka bërë politikës shqiptare në rastet e caktuara.

Pa shkuar shumë larg, le të marrim rastin e Teatrit. Është pikërisht vendimi i BE, që më së paku, e detyroi qeverinë shqiptare të ndryshonte ligjin dhe të hapte garën për ndërtimin e një teatri të ri.

Ndoshta, pritshmëritë ishin që BE të detyronte qeverinë që mos ta prishte Teatrin, por kjo është një gjë totalisht e pamendueshme. Asnjë institucion ndërkombëtar, qoftë edhe BE, nuk hyn në vendimet e një shteti për çështje të tilla. Aq më tepër kur, siç thoshin romakët dikur, shijet dhe ngjyrat janë gjithmonë të diskutueshme.

Ajo që bën BE, edhe në rastin konkret, është të mbrojë të drejtat e njeriut, që qeveria shqiptare i shkeli. Konkurrenca dhe liria ekonomike është një parim kushtetues, që në këtë rast BE, e detyroi qeverinë shqiptare ta zbatojë atë nëpërmjet garës. Përtej këtij rasti, teza e Fatos Lubonjës për ndërkombëtarokracinë, ka dy defekte thelbësore. E para, me sa duket Lubonja kur thotë se ndërkombëtarokracia minon demokracinë, me të gjitha gjasat ka ndër mend demokracinë klasike dhe direkte të athinasve të lashtë, ku vendimet merren drejtpërdrejt nga qytetarët. Mirëpo, në shoqëritë e masave komplekse që jetojmë sot, një formë e tillë e demokracisë është totalisht e pamundur. Prandaj, demokracia e sotme është përfaqësuese.

Me liberalizmin dhe globalizimin që ai solli, përfaqësimi politik zhvillohet në një nivel tjetër, që kalon atë kombëtar. Gjithmonë e më shumë, vendimet merren në nivel ndërkombëtar. Ndoshta, duke cenuar demokracinë, ashtu sikurse thotë Lubonja, por në rastin e Shqipërisë është totalisht e kundërta. Jemi ne, me vullnet të lirë, që duam të integrohemi në BE apo në struktura të tjera ndërkombëtare, pasi është e vetmja shpresë, duke parë realitetin shqiptar, për të ruajtur një minimum funksionaliteti të institucioneve demokratike kombëtare dhe të drejtat e parimet themelore të njeriut.

Sovraniteti i Shqipërisë është ceduar në favor të këtyre institucioneve ndërkombëtare. Këtë gjë, e kemi të sanksionuar në Kushtetutën tonë. Dhe, në gjykimin tim, kjo është një arritje e madhe e shtetit shqiptar, për t’iu bashkëngjitur institucioneve ndërkombëtare, të cilat në themel të tyre kanë ruajtjen e paqes, të drejtave të njeriut, dhe demokracinë. Mjafton të përmendim rastin e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, ku Shqipëria bën pjesë. Sa e sa raste ka patur, kur kjo Gjykatë iu ka dhënë të drejtën e tyre qytetarëve shqiptarë, të drejtë të cilën qeveritë shqiptare ia kanë shkelur me të dyja këmbët. Ka një kontradiktë tjetër në logjikën e Fatos Lubonjës. Nga një anë, mendon se e gjithë politika shqiptare është e kapur nga bandat dhe e korruptuar, nga ana tjetër, shpreson se Shqipëria mund të vetërregullohet. Si mund të bëhet e mundur një gjë e tillë, kur çdo qelizë e politikës shqiptare është e kapur sipas mendimit të Lubonjës?!

Kështu që, nuk ka rrugë tjetër, që politika shqiptare të rregullohet përveçse imponimit dhe shtrëngimit që vjen si pasojë e të qenit pjesë e Bashkimit Europian. Është një perspektivë pesimiste dhe pak shpresëdhënëse për politikën shqiptare, por është perspektiva e vërtetë, ndaj të cilës duhet të besojmë. Në të kundërt, izolacionizmi është në prag të derës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Besart Kadia: Thuajse e pamundur që Rama të bëjë treg, do të duhej të hiqte dorë nga pushteti i tij

Drejtori i Institutit “Pashko” flet për fushatën e fundit “Pse treg dhe...
Read More