Ndjesa e të ndjerëve duhet të jetë e pandashme

arjan-curiNga Arjan Ҫuri

Krimi i fundit pasionant që tronditi opinionin publik ditët e fundit bëri që çdo individ që e dëgjoi si histori, të merrte rolin e Gjykatësit suprem dhe t’i jepte të drejtë njërit apo tjetrit, t’i anatemonte e t’i mallkonte si mëkatarë, t’u uronte parajsën apo dënimin në flakët e ferrit, e t’u hidhte sipër çdo lloj balte dhe helmi që njerëzit e pakënaqur nga jeta e tyre, mbartin zakonisht në shpirt. Dhe shumica e gjykuesve, që hiqen si ruajtës të parimeve të familjes së shenjtë dhe moralit dhe besnikërisë bashkëshortore, janë ata, që në momentet e tyre të fshehta, aty ku mendon se nuk i shikon dhe i dëgjon askush, s’lënë paudhësi e “imoralitet” pa bërë në kurriz të grave apo vajzave të të tjerëve, në përdorimin pa asnjë cak të rrethanave apo njerëzve që u rrëmbejnë besimin.  Pra, me një fjalë, gjithfarëlloj kaçakësh shpirtrash e trupash të brishtë, që qarkullojnë pa vrarje ndërgjegjeje, kanë ngritur juri e komisione gjykimesh, për të dhënë vendimet e tyre, me lehtësinë e atyre që donin të hidhnin gurin mbi gruan imorale të Biblës, qëmoti.

Por, tradita jonë popullore, i ka dhënë një shpjegim jashtëzakonisht të urtë, atij që ndahet nga kjo botë, për t’u përballur me atë çka është matanë, qoftë ai gjykim, qoftë ajo asgjëja. Populli e quan njeriun që shkon drejt dimensionit të matanshëm, si “i ndjeri”, pra i faluri, atij që i janë falur të gjitha fajet, edhe ato të bëra me dashje, edhe ato të bëra pa dashje, edhe gabimet e karakterit, edhe ato të moralit, sidomos ato të moralit, me të cilat njerëzit duket të jenë të pamëshirshëm, duke marrë atributet hyjnore. Dhe, më vjen të pyes, a ka njeri, nga ne vdekatarët mëkatarë, që nuk hezitojmë të gjykojnë si imoralë e lavirë, njerëzit që vetëm vdekja ua zbuloi aktin e kryer, që nuk ka rënë në të njëjtin faj? Jam i bindur se shumica prej nesh, e ka bërë të njëjtën gjë, ose duke shkuar me gruan e dikujt, ose duke tunduar burrin e martuar të dikujt tjetre, apo joshur vajzën përbri, me idenë se epshi sublim, shijohet vetëm në tradhti. Sa nga ne, konservatorët e thekur e të vetëshpallur, kemi planifikuar, ngacmuar, joshur dhe shpënë në shtrat, gratë apo vajzat e të tjerëve? A jam duke ju gjykuar? Kurrsesi jo, edhe unë si ju jam, ndoshta edhe më keq madje, por gjykoj dhe ndiej neveri, për të gjithë ata që gjykojnë me mizori zemre, të tjerët, për të njëjtat akte apo gjëra më të shëmtuara që kryejnë vetë.

Dhe nëse del dikush e më thotë, që këto që po na thua, nuk i kemi bërë, sërish do të doja ta pyesja: “Po me fantazinë tuaj, a e keni dëshiruar, vajzën, gruan, apo burrin e dikujt?” Sigurisht që po, do më thoni, por ne e kemi përmbajtur veten. Atëherë, pse nuk e përmbani edhe në këtë rast, duke i qenë mirënjohës vullnetit tuaj, apo rrethanave të pafavorshme mbas tentative të dështuara, që mund t’ju shpinin ju të gjendeshit në vendin e këtyre dy njerëzve, të cilët ndoshta në çorientimin dhe presionin e jetës që u kishte rezervuar fati, gjetën strehë dhe ngrohtësi në dashurinë e ndaluar për njëri-tjetrin. Dhe nëse folklori ynë linguistik, i quan si “të ndjerë”, ne literalisht duhet t’i trajtojmë si të tillë, si të falur plotësisht prej nesh, pasi “fajin” e tyre, që gjithsesi nuk është kurrë më i rëndë se sa gabimet tona, e paguan me jetët e tyre. Dhe gjykimin e tyre, le t’ia lëmë një autoriteti të pafajshëm, që gjithsesi nuk është njerëzor, sepse asnjë individ human, nuk mund të quhet i pafajshëm. Dhe ligji i Zotit nuk mund të shkruhet kurrsesi prej mendjesh e duar njerëzish.

Dhe në fund, akoma në shoqërinë tonë anadollake, edhe pse ekziston mungesa e mëshirës dhe mirëkuptimit të dobësive njerëzore, që na ndjekin të gjithëve, në sasi të ndryshme, pabarazia në trajtimin mes një femre dhe një mashkulli, është në mënyrë epike, idioteske. Të varrosësh me nderime heroi, duke e mirëkuptuar “mashkullin” që si mashkull ka nevoja trupore, dhe t’ia hedhësh gjithë fajin një femre, e cila ishte ajo që e joshi, duke e përcjellë atë në banesën e fundit, si të braktisur e të zvetënuar prej familjes e komunitetit, ky është një fakt që tregon fuqishëm se sa shoqëri e prapambetur dhe e pasens që jemi. Si ka mundësi, dhe mbështetur në cilën kulturë të së kaluarës, e cila duhet çrrënjosur sa më parë, për të njëjtin gjynah, të dënohet dikush më ashpër, vetëm sepse i ka rënë lotaria gjenetike të jetë femër? Këtë paradoks, nuk ka kod morali dhe logjike që ta shpjegojë, përveç moralit të pamoralshëm dhe logjikës së palogjikshme, që akoma na karakterizon në mentalitet.

Çlirona o Zot nga instinktet tona paragjykuese dhe vrastare të atyre që nuk janë aspak ndryshe prej nesh, dhe na ndriço që të gjykojmë veç veten, ose nëse nuk shpëtojmë dot prej gjykimit të të tjerëve, të paktën na jep mençurinë që të gjykojmë veten, me të njëjtin kut të pamëshirshëm dhe mizor, me të cilin gjykojmë të tjerët. Që të mos ikim nga kjo botë, pa patur mundësinë që të njohim veten tonë, që nuk është në asnjë rast më e mirë, se sa tjetri, që gjendet rrotull nesh.

Në të kundërt, hipokrizia jonë, do t’i bëjë keq, veç vetes sonë, duke na verbuar deri në atë masë sa të mos ndajmë dot dëlirin nga realiteti, duke humbur kështu gjithçka të mirë që kemi ndërtuar, punën, shoqërinë, familjen e në disa raste, të shtyrë nga ky hidhërim, gjithë qenien tonë…

Shkruar Nga
More from revista mapo

Libri i ri i Ylli Bufit: Qëndrimet e Nanos dhe Berishës për 7501-shin, si u vendos fati i pronave

Ish –kryeministri i Qeverisë së Stabilitetit, Ylli Bufi, tregon në një libër...
Read More