Në pritje të hapjes së negociatave

Nga Blendi Lami

Në pritje të hapjes së negociatave për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian në fund të qershorit, vetë Shqipëria është e çoroditur. Aksioni opozitar kërkon ta shesë si fitore dështimin e mundshëm për hapjen e negociatave dhe po mundohet çdo ditë të ushqejë destabilizimin politik. Në teatrin tragji-komik shqiptar, në rast të dështimit të hapjes së negociatave, opozita mendon gabimisht se do të dilte e fituar. Por, ajo harron se po ndjek një version të luftës hibride (në pamundësi të luftës frontale, lufta hibride është strategji që, për të arritur destabilizim, përdor “arsenale” të tjera si rrjedhje informacioni, përgjime, ndikim në media dhe ekonomi, lajme të rreme, rrjete sociale të manipuluara). Objektivi: të krijohet një mjedis konfliktual dhe kaotik. Është një strategji e ndjekur më parë edhe nga pozita e sotme në pushtet, teksa partitë tona kanë parimin: të përfitojmë nga dështimi i qeverisë. Dhe në kontekstin e politikës shqiptare, ku për 27 vjet ka dominuar retorika e integrimit europian, e nisur më 1990 me parullën “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, kjo që po ndodh, është tërësisht paradoksale për shqiptarët dhe në sintoni me politikat lindore që e kanë të vështirë të gëlltisin një Shqipëri perëndimore.

Në pritje të hapjes së negociatave për Shqipërinë, edhe Bashkimi Europian është i çoroditur. Franca dhe Gjermania, ende në mëdyshje për Shqipërinë, tentojnë të vonojnë procesin, duke thënë që Unioni ka nevojë për reforma të brendshme. Ndërkohë, BE po dobësohet nga brenda si pasojë e largimit të Britanisë, emigracionit, ndasive mes vendeve, forcimit të vazhdueshëm të partive populiste me agjenda antieuropiane, separatizmit në Spanjë apo problemeve me sigurinë. Nga jashtë, Rusia është e gatshme të shfrytëzojë çdo dobësi të BE në Ballkan, dhe Turqia po vijon rritjen e nivelit të influencës në Shqipëri.

Kështu, politika e BE me Ballkanin Perëndimor në tërësi, dhe Shqipërinë në veçanti, realizohet në një territor që e ka të vështirë të formatohet sipas normave europiane. Me sa duket, kjo është shumë e vështirë për t’u kuptuar nga të huajt. Ndoshta, kjo gjë tregon se ku duhet të pozicionohen shqiptarët në të vërtetë, nëse Perëndimi nuk do t’u jepte rëndësi gjeografisë dhe sigurisë.

Në Shqipëri, destabilizimi politik është kthyer në normalitet. Me këtë destabilizim, shqiptarët janë ambientuar, një proces me të cilin po mësohen gradualisht edhe europianët.

Përgjigjja për shqiptarët është se Perëndimi mund ta ndalojë dhe frenojë përdorimin dhe zbatimin e mjeteve të luftës hibride në Shqipëri, në mënyrë që destabiliteti të mos marrë trajtën e një normaliteti, por kuptimin që ka në fjalor: luhatje e padëshirueshme në sistem.

Nëse Perëndimi e ka kuptuar Shqipërinë, do ta detyrojë me forcë që të futet në Europë. Në të kundërt, vazhdojmë me skenarin (avazin) e vjetër, ku në Ballkan kemi një rivalitet trepalësh: Perëndim, Turqi dhe Rusi.

Turqia është një ndër vendet kryesore të NATO-s, por ka një agjendë të ndryshme në Shqipëri. Kjo agjendë, sipas Turqisë, i ka rrënjët thellë në historinë otomane si një ish-fuqi e madhe në Ballkan dhe më gjerë. Nuk e ka fuqinë që pretendon, por vazhdon të ndërtojë suksesshëm influencë politike, ekonomike dhe kulturore.

Pozicioni i Rusisë në rajon është domethënës. Shqipëria deri më tani është jashtë rrezes së influencës ruse, por mund të bjerë lehtë në të, nëse vendet kufitare bëhen “pre” e saj.

Shqipërinë e ka mbërthyer një epidemi – destabilizim – nga e cila po fiton gradualisht imunitet. Nëse një ditë “ilaçet europiane” nuk do të bëjnë efekt, Shqipëria do të trajtohet si një “e sëmurë” që do të mbetet gjithë kohës në spital. Me një Rusi agresive dhe një Turqi ambicioze, vetëm Brukseli e nxjerr Shqipërinë nga spitali.

Për ta nxirë edhe më tej kontekstin, “armiqtë”, për të shkurajuar Europën dhe për të kënaqur forcat antieuropiane në Shqipëri, qarkullojnë një “batutë” për të ardhmen e Shqipërisë në BE. Sipas tyre, dallimi mes pesimistëve dhe optimistëve është se optimistët besojnë se Turqia do të bëhet pjesë e BE gjatë presidencës shqiptare të BE, ndërsa pesimistët besojnë se Shqipëria do të bëhet pjesë e BE gjatë presidencës turke të BE. Domethënë: asnjëherë.

Me sa duket, nuk do të jemi të aftë për ta zhbërë këtë mit, nëse nuk pozicionohemi në një front politik, nëse nuk jemi në gjendje të promovojmë vlerat tona europiane, nëse nuk do të dimë të ndërtojmë strategji të posaçme për aleatët dhe partnerët strategjikë. Nga e gjithë kjo, kuptojmë se gjendemi në këtë situatë për shkak të mungesës së një strategjie të qartë kombëtare, e cila do të vinte në shina shtetin, opozitën, politikën e jashtme për të ardhmen e vendit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

15 frutat dhe perimet e dimrit, forcojnë imunitetin, pastrojnë organizmin

Frutat dhe perimet e dimrit janë të pasur në beta-Carotene, prandaj ato...
Read More