Nënë e bijë në stendën e UET-Press: Eir Plasari në Panairin e Librit

(Zëra të rinj të letërsisë shqipe në “Mapo” edition)

Nga Mimoza Ahmeti 

Një zë i jashtëzakonshëm në letërsinë shqipe u shfaq para pak vitesh me romanin “Bërthama” të autores njëzetvjeçare. Ishte Eir Plasari.

Thellësia e temës, një shoqërim i fjalës, tjtër në kontekstin e ri të kuptimit dhe vetë personazhi- Jurgen- me historinë e tij sa imagjinare aq dhe globale, la pa frymë lexuesin.

Kam qenë dhe ende po mbetem mbledhësja dhe përgatitësja për botim e materialeve artistike të kësaj autoreje, që koincidon të jetë edhe vajza ime. Arti për të është një akt jete i kulluar, dhe procedurat e tij manaxheriale dhe të takimit me publikun, Eir sapo kafilluar t´i njohë e të meret me to, megjithëse e quan se nuk janë detyrë e artistit. Me plot të drejtë-

Është panairi i parë i librit ku ajo fizikisht po mer pjesë si autore, po firmos librat e saj për lexuesit, duke ndierë kënaqësinë e komunikimit të direkt.

Bashkë me “Bërthamën”, botim i Edicionit Mapo 2018, në këtë panair, ju do të gjeni edhe librin me poezi, të saj, nën titullin “I shkruaj të pamundurës”, Botimet Barleti, 2018, i cili përmbledh një ditar poetik të periudhës së adoleshencës dhe fillimit të rritjes së personalitetit pasadoleshent.

Ka studjuar në Romë për Jurisprudencë dhe vashdon një master në fushën e ekonomisë; punon dhe jeton në Romë.

Janë të disatë zhanret në të cilat Eir Plasari lëvron. Fillimisht mori pjesë me këngët e saj në Top Fest, pastaj në letërsi me prozë; u vlerësua befasishëm me çmimin Kombëtar Migjeni, nga Ministria e Kulturës, 2010,  dhe së fundmi një album me vizatime grafike, i dixhitalizuar, me titullin “Krijuar për të egzistuar vetëm një herë”(Created to exist only once), i shtypur në një tirash të shkurtër por të një cilësie të mirë, nga Botimet Barleti, për artëdashës specialë të artit të saj.

Njohëse dhe folëse e shkëlqyer e Italishtes, Anglishtes dhe gjuhës mëmë, Eir Plasari lëviz me lehtësi nëpër kulturat europiane, të cilave u merr mushtin e fjalës dhe misterin e historisë dhe kuptimeve.

Personazhet e saj operojnë me shpejtësi të jashtëzakonshme në realitete të vetëkrijuara, gjithmonë në zbërthimin e dekadencës dhe madhështisë që buron nga thyerja e iluzionit.

Por ndërsa te romani Bërthama, mund të gjejmë në çdo gërmë e periudhë këtë ravijëzim, midis imagjinares dhe sanksionit mbi të, te libri me poezi “I shkruaj të pamundurës”, tronditemi nga sinqeriteti dhe magjia e penës, për të bërë pyetje dhe pohime për dashurinë, të cilat norma e skrupuluar e cilësdo ndërgjegje normale bashkëkohore, vështirë se do guxonte të mundej – të paraqitej përballë vetes me kaq pastërti, guxim dhe naivitet, për të pyetur e pohuar dhe na çuditur.

Rutinuar në standarded e komunikimit në ditët tona, e kemi aq të vështirë të mendojmë, të pyesim, të pohojmë, qoftë edhe përballë vetes, të jemi fëmijë ashtu si dhe në fund jemi, e nuk guxojmë. Këtë perde të vetes me egon, që është një kordë e paepur e ndërgjegjes, Eir Plasari e hap dhe e mbyll me dorën adoleshente të frymëzimit së saj të freskët e të ujshëm, me kaq lehtësi, si të ishte gjëja më e natyrshme.

Është pikërisht pasuria dhe  magjia e këtij ditari poezish me pyetjet goditëse të tij, që e bën këtë libër të vogël, një nga veprat më intime të lëtërsisë shqipe, dhe diçka shumë të veçantë: një thyerje minore, në traditën tonë të poezive lirike, shpesh thuajse konvencionale.

Ja si e përshkruan të dashurin e saj në pak vargje Eir, te “I shkruaj të pamundurës”, transcendimi shpirtëror me të cilin është aq i vështirë:

“Ai ka pësuar një goditje,

kurrë nuk do të jetë më i njejti…

Dhe unë ndihem kaq bosh

kur mendoj për këtë!

Mendja e tij aq e dëmtuar,

e pamundur t´ia heqësh dëmin,

sepse tashmë ai ka mësuar të rrojë

me të…

Të jetë rastësi që kaq shumë e dua? Pasi

po ta vështrosh me kujdes

asgjë të veçantë nuk dallohet tek ai!

Por… ç´rëndësi ka kjo?

Poezia në fjalë reflekton për “Dëmin” në mendjen e patranspirueshme të dashurisë. Është një temë që na mundon të gjithëvë kjo: “dëmi”, që vazhdimisht e shohim te tjetri.

“Dëmi”, që ndryshon perceptimin, pritshmërinë, pasionin, njeriun! Thyen besimin, koshiencën, shton tjetërsimin, “Dëmin” në përgjithësi i mungesës së kalimit te tjetri, i hyrjes, futjes në shprtin dhe trupin e e tjetrit.

“Sa herë hap sytë mëngjeseve

të njëjtën pyetje vetes i bëj:

A ka një rrugë të lirë

që të çon te zemra jote?”

Befas autorja i bën të dashurit përmes vargjeve një pyetje tepër tronditëse, duke kaluar nga dashuria te bota:

“A mos ndoshta kjo botë

nuk don që të të dua?”

Raporti i dashurisë me Botën dhe i dashurisë me veten duket se ka një lidhje të pandashme si objekti me horizontet e tij. Përpëlitjet për të kuptuar janë po aq të thella sa dëshira për të pasur në krahët e saj dashurinë. Në një moment tërheqjeje nga rropatja e kërkimit, autorja e re përqaset me gjuhën të dyfishtë: të objektit të munguar dhe mungesës së instruksionit social mbi të:

E le dashurinë

E le të kalojë përpara meje

dhe nuk bëj asgjë,

nuk përpiqem t´a ndaloj,

t’i them:

Ej, prej ditës që hyre në jetën time

nuk isha më kurrë e njejta!

Ishe e bukur dashuri

por po qaj

sepse nuk kam guxim të të them asgjë,

jam një memece

me ca pika lot në sy,

dhe ti ecën

….

E le dashurinë të kalojë

para syve të mi

atë dashurinë e vërtetë

që duhet jetuar, e që

askush nuk më mësoi

si t´a jetoja,

si të bëhesha njësh

me të.

Fuqia e mendimit te romani “Bërthama” ku radikalizohet imagjinata me qytetërimin, ku veprimi vetëm sa shkatërron edhe të fundmen strofull të ideales, ku vesi, droga, përgjimi, janë njësi lidhëse të komponenteve logjike të vazhdimit të sistemit, ndërsa e gjithë ëndrra njerëzore dhe dëlirësia mbetet në peng, shfaqen nga ana tjetër me një zë thuajse minor e të pafajshëm te “I shkruaj të pamundurës” dhe një shpejtësi dhe sintetizëm autentik në skicat bardhë e zi të Eir Plasarit- Lindur për të egzistuar vetëm një herë, ku as edhe më e vogla linjë nuk vijon jashtë idesë dhe ndjenjës, duke na dhënë jo vetëm një kënaqësi të pafundme estetike dhe një sens të ri në perceptimin frymor të botës, por edhe kënaqësinë që gjuha shqipe dhe përdoruesit e saj, artistë, mund të signifikojnë në një nivel të epërm europian, në fushën e vlerave të poezisë, prozës dhe arteve vizive, siç është ky rast fatlum i krijuese së re të kulturës shqipe, Eir Plasari, modernizmi i artit të së cilës hap një rijësi të dukshme!

Dr. Mimoza Ahmeti (UMSH)

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Philip Hammond vs Arben Ahmetaj

Nga Klodian Tomorri Në Britani, Zyra për Thjeshtimin e Taksave (OTS), propozoi...
Read More