Neurologia: Demenca fillon me harresa të vogla, testet që e zbulojnë


Mjekja: Të vendosësh diagnozën e sëmundjes së Alzheimerit, ose të sindromit demencial (sklerozës) duhet të bazohemi në rënien progresive të funksioneve të larta të trurit në një ose më shumë fusha të konjicionit, siç janë të mësuarit dhe memoria, gjuha, funksionet ekzekutive (zbatuese), vëmendja, funksionet motore dhe perceptuese. 

Çdokush mund të harrojë emra, vende, biseda por në sëmundjen e sklerozës shenjat vijnë duke u përkeqësuar. Personat e prekur nga skleroza përsërisin vazhdimisht të njëjtat pyetje, harrojnë bisedat, takimet, ngjarjet, humbasin në vende të njohura, harrojnë emrat e familjarëve dhe emrat e objekteve të përdorimit të përditshëm. Problemet me kujtesën mund të jetë shenjë paralajmëruese për demencën, mirëpo vlerësimi i problemit, nuk mund të bëhet në një vizitë mjekësore të vetme, por përmes disa kontrolleve mjekësore përfshi edhe ekzaminime dhe teste vlerësuese. Doktoresha neurologe Entela Basha, në një intervistë për “Mapo” sqaron se ekzistojnë shumë teste me përdorim specifik në vendosjen e diagnozës, ndërsa trajtimi mjekësor bëhet edhe me ilaçe. Me rritjen e jetëgjatësisë është shtuar ndjeshëm numri i pacienteve me demencë, ndaj doktoresha neurologe apelon familjarët të tregohen të vëmendshëm veçanërisht ndaj prindërve apo të afërmve në moshë të tretë, sepse skleroza, është një ndër shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë te popullata e moshuar.

Çfarë është demenca, si mund të zbulohet ky çrregullim?

Demenca (skleroza siç e njeh populli) është një sindromë që karakterizohet nga një rënie progresive e funksioneve të larta të trurit në një ose më shumë fusha të konjicionit, siç janë të mësuarit, memoria, gjuha, funksionet ekzekutive, vëmendja duke cenuar pavarësinë e funksionimit të individit. Sëmundja e Alzheimerit është shkaku më i shpeshtë i demencës dhe një nga shkaqet kryesore të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në popullatën e moshuar. Në të gjithë botën numërohen 47 milionë njerëz të prekur nga demenca. Njerëz të sëmurë sipas moshës shkon në 5-7% të popullatës. Me rritjen e jetëgjatësisë po shtohet ndjeshëm numri i pacienteve me demencë. Në SHBA në vitin 2012 numëroheshin 5.2 milionë raste me demencë në moshat mbi 65 vjeç, në 2025 parashikohet që numri të shkojë deri në 6.7 milionë dhe numërohen rreth 10 milionë pacientë në Europë.

Cilat janë shenjat që sinjalizojnë problemin?

Që të dyshosh sindromin demencial (sklerozës) duhet evidentuar nga të dhënat klinike, çrregullimi i konjicionit (njohjes) në të paktën një nga fushat e mëposhtme: Të mësuarit dhe memoria, gjuha, funksionet ekzekutive (zbatuese), vëmendja, funksionet motore dhe perceptuese. Humbja e funksionit vlerësohet duke u krahasuar me gjendjen paraardhëse të individit dhe deficitet e reja të njohjes që ndikojnë në jetën e përditshme të tij. Në vitin 2013 u përcaktuan kriteret mjekësore për vlerësim DSM V për vlerësimin e demencës.

Sindromi demencial përfshin: Sëmundja e Alzheimer-it (AD), Demenca me Lewy bodies (DLB), Demenca fronto-temporale (FTD), Demenca vaskulare (VaD), Sëmundja e Parkinsonit me demencë (PDD).

Ka dhe disa forma më të rralla, si: paraliza supranukleare progresive, sëmundja e Huntingtonit, demenca e lidhur me abuzimin nga alkooli etj.

Pjesa e madhe e pacientëve nuk paraqiten në spital për çrregullime të memories, ndërkohë janë familjarët e tyre që detyrohen t’i sjellin për vlerësim si rrjedhojë e çrregullimeve të memories.

Pacientët me demencë kanë vështirësi në:

  • Marrjen dhe përpunimin e informacioneve të reja (vështirësi në kujtimin e ngjarjeve);
  • Vështirësi në kryerjen e veprimeve të vështira (balancimin e objekteve);
  • Logjika (vështirësi socializimi me të panjohur);
  • Çrregullime të orientimit (harrojnë vendndodhjen dhe ambiente të njohura);
  • Gjuha (vështirësi në gjetjen e fjalëve);
  • Sjellja (sjellje të papërshtatshme në lidhje me ambientin ose kohën).

Simptomat e para janë harresa, që prek më shumë kujtesën afatshkurtër, të ditëve të fundit ose javëve të fundit, konfuzioni.

Çdokush mund të harrojë emra, vende por në sëmundjen e Azheimerit shenjat vijnë duke u përkeqësuar. Pacientët me Alzheimer (sklerozë) përsërisin vazhdimisht të njëjtat pyetje, harrojnë bisedat, takimet, ngjarjet, humbasin në vende të njohura, harrojnë emrat e familjarëve dhe emrat e objekteve të përdorimit të përditshëm. Nuk gjejnë fjalët e duhura për të emërtuar objekte të njohura, kanë vështirësi në shprehjen e mendimeve të tyre ose të jenë pjesë e bashkëbisedimit në një bisedë, kanë vështirësi në përqendrim, veçanërisht në koncepte abstrakte siç janë numrat. Kanë vështirësi në realizimin e qëllimeve të përditshme siç janë djegia e ushqimeve në furrë ose t’i japin makinës. Ndryshimet në sjellje konsistojnë në depresion, apati, luhatje të humorit, irritabilitet, agresivitet, ndryshime të ciklit të gjumit, deluzione ose interpretime të llojit se dikush u ka vjedhur diçka. Demenca (Skleroza) duhet dalluar nga simptomat e humbjes së memories apo çrregullimet e sjelljes dhe të personalitetit të cilat janë joprogresive ose të nxitura nga një sëmundje sistemike (e përgjithshme), medikamente, çrregullime psikiatrike, apo patologji organike të trurit (dëmtime të tij). Çrregullimet konjitive të lehta karakterizohen nga çrregullime të memories por që nuk ndikojnë në funksionimin normal. Këto subjekte kanë risk më të lartë të shfaqin demencë me kalimin e viteve.

Si mund të trajtohet?

Vlerësimi i pacientëve me çrregullime të memories që mund të jetë një shenjë paralajmëruese për shfaqjen e demencës nuk mund të bëhet në një vizitë mjekësore vlerësuese të vetme.

Vlerësimi në dinamikë merr rëndësi shumë të madhe, ku krahasimi i testeve të vlerësimit të konjicionit të çon drejt diagnozës.

Është mjaft e rëndësishme: Marrja e historisë me kujdes, vlerësimi i medikamenteve të përdorura që ndërhyjnë në funksionet e larta të trurit, ekzaminimi objektiv dhe neurologjik, vlerësimet laboratorike dhe imazherike të cilat përjashtojnë shkaqet e mundshme të demencave ose konfirmojnë diagnozën.

Në çdo formë të demencës duhet vlerësuar konjicioni me teste specifike.

Cilat janë këto teste dhe sa aplikohen?

Testi më i hershëm dhe më i shpeshtë është MMSE(mini mental state examination).

Testi është i realizueshëm për 7-10 minuta, me anë të kësaj vlerësohet: Orientimi, Përfshirja, Vëmendja, Përllogaritjet matematikore, Çrregullimet gjuhësore.

Vlerësimi maksimal është 30 pikë dhe kufiri është vendosur 24 pikë, që nënkupton që nën 24 pikë pacienti ka risk të lartë për të shfaqur demencë. Vlerësimi përshtatet me nivelin arsimor dhe social të individit nën ekzaminim.

Ekzistojnë shumë teste me përdorim specifik në varësi të faktorëve e kanë shpërthyer dhe dyshimit klinik të realizuara nga specialistët.

CDR (clinical dementia rating)

Mini-Cog (evaluation of clock and thrë repeated words)

Word List Memory

NART (The National Adult Reading Test)

MoCA test (Montreal Cognitive assessment)

The Montreal Cognitive Assessment (MoCA) është testi më i preferuar në vlerësimin e AD sepse vlerëson çrregullimet konjitive minimale. Kufiri i pikëzimit është vendosur 26/30.

Vlerësimi imazherik me anë të rezonancës magnetike është i domosdoshëm, në të evidentohet atrofia e pjesshme ose të gjeneralizuar, si dhe dëmtimet e lëndës së bardhë të trurit.

Ekzaminimet imazherike funksionale (FDG-PET, fMRI, perfusion MRI, or SPECT) evidentojnë zona me metabolizëm të ulur dhe hypoperfuzion në AD.

Rëndësi në vendosjen e diagnozës paraqesin dhe biomarkuesit molekular (teste që nuk kryhen në Shqipëri).

  • Low cerebrospinal fluid (CSF) Aβ42(or Aβ42:Aβ40 ratio)
  • Positive amyloid PET imaging using one of the amyloid PET tracers

Përparimet që janë bërë në të kuptuarit e mekanizmave të demencës ka ndryshuar menaxhimin në këtë sëmundje nga trajtimi konservativ dhe simptomatik në trajtimin medikamentoz dhe biologjik, megjithatë trajtimi kryesor i sëmundjes konsiston në menaxhimin e simptomave, trajtimi i çrregullimeve të sjelljes, mirëfunksionimin e pacientëve në ambientin rrethues.

 

Ilaçet që ndihmojnë trajtimin e Alzheimerit

E ardhmja e trajtimit konsiston në gjetjen e medikamenteve specifike dhe modifikuese të sëmundjes jo vetëm për parandalimin e progresit të saj.

Inhibitorët e cholinesterazes (donepezil, rivastigmine, galantamine) janë grupi kryesor i medikamenteve që përdoren te pacientët me Alzheimer, të cilët kanë një reduktim të sasisë së choline acetil transferazes. Pakësimi i sintezës së acetilkolinës dëmton funksionin cholinergjik kortikal. Ky grup medikamentesh rrit transmetimin kolinergjik duke përfituar benefite simptomatike modeste te pacientët me demencë.

Memantina është një medikament i grupit të antagonistëve të receptorëve NMDA , mekanizmi i veprimit është krejt i ndryshëm nga grupi i inhibitorëve të cholinesterazes, ai mendohet të jetë neuroprotektiv. Glutamati është një neurotrasmetues eksitator principal në korteks dhe neuronet hipokampale që janë të përfshira në të mësuarit dhe kujtesën.

Antioksidantët si Vitamina E dhe Selegilina janë studiuar për përfitimet antioksidante në sëmundjen e Alzheimerit, doza prej 2000 UI /ditë mund të ketë një benefit modest në progresionin e sëmundjes, ndërkohë që ende nuk ka të dhënë të mira e të mjaftueshme për përdorimin e selegilines edhe për shkak të efikasitetit dhe kostos, si edhe të efekteve anësore të saj, megjithëse dihet mirë ndikimi i saj në trajtimin e dëmtimeve të lehta konjitive, humorit dhe sjelljes.

Trajtimet jo medikamentoze konsistojnë në trajtime rehabilutuese, okupacionale dhe parandalimin e faktorëve të riskut, ku përfshihen identifikimi dhe trajtimi i faktorëve të riskut të aksidenteve vaskulare cerebrale, sëmundjeve kardiovaskulare, parandalimi i përdorimit të alkoolit i cili shpërthen disfunksionet konjitive dhe çrregullimet e sjelljes te pacientë me demencë.

Medikamente të përdorura pa përfitime të provuara janë: Zëvendësimi i estrogjenit, medikamentet antiinflamatore josteroide (si ibuprofen etj.), ginko bilobastatinat, suplementet e dietës Vit B, Omega 3.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Republika Zombi

Nga Lisandër Hoxha Ndihem çuditshëm sa herë që shoh lajmet e ditës...
Read More