Ngritja dhe rënia e fuqisë së butë

Nga Eric X. Li – Gati 3 dekada më parë, politologu amerikan dhe ish-zyrtari i administratës së Klintonit, Zhozef Nie paraqiti një ide në faqet e “Foreign Policy”. Ai e quajti atë fuqi të butë, një koncept që zuri vend shumë shpejt, dhe vazhdoi të përcaktojë epokën e pas Luftës së Ftohtë. Ai argumentoi se megjithëse Shtetet e Bashkuara, dukeshin relativisht më të dobëta sesa kishin qenë në fund të Luftës së Dytë Botërore, vendi kishte akoma një burim unik të fuqisë. Përtej përdorimit të fuqisë ushtarake “për të bërë gjëra, dhe për të kontrolluar të tjerët”,- shpjegoi Nie më vonë, “për t’i detyruar tjerët të bëjnë atë që ndryshe nuk do ta bënin”, SHBA-të mund të shfrytëzonin fuqinë e saj të butë, për të çimentuar pozitën e saj udhëheqëse në botë.

Në çerekshekullin që pasoi, koncepti i fuqinë e butë në çështjet botërore funksionoi brenda kontureve të gjera të parashikimeve të Nie. Pasi Shtetet e Bashkuara fituan Luftën e Ftohtë, liberalizmi amerikan pati një joshje të pashembullt në mbarë botën.

Të gjithë donin të votonin, të vishnin xhinse, dhe të gjithë donin të flisnin lirisht – aq shumë sa që teoricieni politik Frensis Fukujama shpiku frazën “fundi i historisë”, për të shprehur idenë se e gjithë bota ishte përqendruar tashmë vetëm te një sistem politik, i zbatuar tashmë në Perëndim.

Në 3 dekadat midis viteve 1980-2010, numri i demokracive liberale (siç përcaktohet nga Freedom House), u rrit nga rreth 100 në afërsisht 150. Numri i ekonomive kapitaliste të tregut të lirë, bazuar në renditjen e Fondacionit Heritage u rrit nga 40 në afërsisht 100.

Besimi te fuqia e butë dhe legjitimiteti i saj, ishte aq i madh sa që fuqia e madhe e ashpër u vendos në emër të saj. Lufta në Irak ishte shembulli më i shquar. Dhe ndërhyrja në Libi, me mbështetjen europiane, ishte më e fundit. Arroganca e fuqisë së butë, çoi në iluzionin se kjo fuqi mund të ekzistonte disi në vetvete. Por Nie nuk e përmendi kurrë këtë. Në realitet, fuqia e butë është dhe do jetë përherë një zgjatim i fuqisë së ashpër.

Projekti europian, ndoshta edhe më shumë, është ndërtuar mbi një kuptim të rremë të fuqisë së butë. Për shumë dekada, Shtetet e Bashkuara garantuan sigurinë dhe mirëqenien e saj ekonomike, dhe ajo ishte e varur nga rendi ekonomik global i udhëhequr nga SHBA-ja. Me Shtetet e Bashkuara tani më pak të interesuara për fuqinë e butë, dhe më të fokusuara tek fuqia e ashpër – Europa po përballet me sfida të vërteta.

Tani, fuqia e ashpër është e pranishme kudo. Shtetet e Bashkuara, janë pa dyshim lojtarja më e madhe në këtë lojë: kërcënimet ndaj Koresë së Veriut, luftërat tregtare ndaj të gjithëve, hedhja poshtë e OBT-së dhe përdorimi i ligjeve vendase për të ndëshkuar kompanitë e huaja, dhe për të bërë biznes me një vend të tretë.

Europa duket në pozita më të vështira. Ndërsa disa, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel, bëjnë thirrje për rezistencë ndaj Trump, të tjerët, përfshirë edhe presidentin francez Emmanuel Macron, po kërkojnë paqe. S’ka dyshim se epoka e fuqisë së butë, i ka hapur rrugën një epoke fuqisë së ashpër – dhe kjo është e rrezikshme.

Për shekuj me radhë, politika e fuqisë së ashpër solli vuajtje të jashtëzakonshme njerëzore. Vetëm në shekullin XX, ajo çoi në dy luftëra botërore, dhe një luftë të gjatë të ftohtë, që kërcënoi të asgjësonte njerëzimin. Në epokën e pas Luftës së Ftohtë, Perëndimi lidhi pushtetin e butë me liberalizmin, por ky bashkim nuk ishte kurrë i domosdoshëm. Në shekullin e ardhshëm, ajo që mund të sundojë, do të jetë fuqia e butë e çliruar nga ideologjia.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Horoskopi për ditën e sotme, e shtunë 16 Qershor 2018

Ky është horoskopi për ditën e shtunë, 16 qershor 2018. Njihuni me...
Read More