Një besnikëri e përjetshme: Montale dhe Contini – poeti dhe kritiku

Nga Mimoza Hysa – “Adresën Tuaj ia kërkova Falqui-t, sepse doja t’ju falenderoja. E bëj me gjithë zemër. Rrallë ka ndodhur që vepra ime të analizohet me aq mençuri dhe dashuri” – i shkruante më 8 qershor 1933 Montale, asokohe një poet tridhjetë e shtatë vjeçar me një vepër të botuar, një djaloshi njëzet e një vjeçar, të quajtur Gianfranco Contini, ende i padiplomuar, që kishte shkruar një artikull kritik mbi poezinë e tij në një revistë dytësore të kohës. Asnjëri prej tyre nuk mund ta parashikonte se nga kjo ditë do të niste një miqësi intelektuale nga më të rëndësishmet dhe më të rrallat në historinë e kritikës italiane dhe botërore.

Leximi i librit “Eusebio e Trabucco. Letërkëmbimi mes Eugenio Montales dhe Gianfranco Contini-n” ngjall shumë kureshti dhe pyetje. Kështu më ndodhi dhe mua gjatë përgatitjes së tezës së diplomës për historinë e kritikës së poezisë së Montales në periudhën e kalimit nga vepra e parë “Eshtra sepiesh” në veprën e dytë dhe vendimtare për poetin, “Rastet”. Përpos pyetjeve të shtruara shpesh herë rreth rëndësisë së kritikës letrare në orientimin e lexuesit, sidomos në kohën e sotme, ky rast i pashoq bashkëpunimi profesional shtron një pyetje tjetër, më pak të trajtuar: Sa e rëndësishme është një kritikë profesionale në ecurinë dhe fatin e krijimtarisë së një shkrimtari? A ndikon ajo vetëm së jashtmi, duke orientuar lexuesin apo ndikon edhe së brendshmi, në procesin krijues të shkrimtarit?

Dyshimin tonë e mbështet dhe një pohim i Mario Martelli-t, një tjetër kritik i Montales, kur shkruan: “Në përgjithësi i jepet rëndësi kalimit nga poezia te kritika, dhe asnjëherë drejtimit të kundërt nga kritika te poezia. Dhe ky është rasti Montale.” Po sa dhe si ndikoi kritika e Contini-t në krijimtarinë e Montales?

Kur Contini u shfaq në skenën e kritikës letrare, Montale ishte një poet që kishte tërhequr vëmendjen me vëllimin e tij të parë poetik “Eshtra sepiesh”, të botuar më 1925, e të ribotuar në 1928 dhe 1931-n. Ndërkohë ishte në proces krijues të përmbledhjes së dytë “Rastet”, që do të përbënte dhe një kthesë vendimtare në poezinë e tij. Në shkrimet e para kritike të Contini-t, “Parathënie mbi Eugenio Montalen” dhe “Parathënie mbi “Eshtra sepiesh””, Montale arrin të dallojë gjenialitetin e një kritiku të ri dhe përpiqet ta përfshijë që në letërkëmbimet e para, duke i zbuluar hollësi të procesit të tij krijues dhe duke e përgatitur për përmbledhjen poetike që do të botonte pas disa vitesh. Montale kishte arritur të dallonte një kritik që do të mund të jepte një tjetër çelës shpjegues për poezinë e tij, duke kapërcyer tashmë mitin e poezisë “së ngurtë” e “të përzhitur” me të cilin e kishte pagëzuar një kritik autoritar si Gargiulo, i cili kishte shkruar parathënien e ribotimit të vitit 1928. Ciklet e poezive të botuara gjatë kësaj periudhe në periodikë letrarë të rëndësishëm dëshmonin se poezia montaliane kishte marrë një tjetër kthesë dhe ishte orientuar në një terren të vështirë për t’u intepretuar nga kritika. Për këtë arsye Montale, në një letër të 11 qershorit 1933, i kërkon Contini-t të qartësojë “disa zhvillime” të “parabolës” së tij poetike. “Shkrimi juaj kritik i mrekullueshëm mbi poezinë e Ungaretti-t, gati-gati më ngjalli zili (njerëz të gjallë jemi…), sa do të dëshiroja që disa zhvillime të parabolës sime […] që kanë mbetur të errta të mund të qartësoheshin një ditë prej një kritiku si Ju – së cilit i detyrohem shumë edhe për kaq sa ka bërë.”

Po çfarë nënkuptonte Montale “me zhvillime të parabolës së tij”? Çfarë vështirësie paraqiste interpretimi i poezisë së tij në këtë periudhë?

Pas botimit të veprës së parë, Montale ishte përplasur me këndvështrime të ndryshme të kritikës ndaj veprës së tij. Vëmëndja e kritikës nuk kishte qenë e menjëhershme, po kishte ardhur në rritje pas botimit të dytë me parathënien e kritikut të njohur asokohe, Gargiulo. Kishte qenë ai që e kishte përcaktuar poezinë montaliane si “brejtje kritike të realitetit”, një poezi “të gurtë” e “të përzhitur” dhe kishte vërejtur një përplasje mes asaj që e quante “shmagie” dhe asaj që e quante “rrëfim”. Këto dy përcaktime ishin rimarrë dhe zhvilluar nga kritikët e tjerë duke formuar dy kampe të ndryshme: i pari, i përfaqësuar nga Gargiulo, De Robertis dhe Ferrata vlerësonte thelbin sentimental, “të dhimbshëm”, “leopardian” të poezisë montaliane, të shprehur më së mirë në përmbledhjen “Mesdheu”, ndërsa kampi tjetër i përfaqësuar nga Consiglio, gjente me të goditur imazhet “thelbësore” që shpërfaqeshin dhunshëm në lirikën montaliane. Pikërisht në këtë debat ndërhyn Contini duke e vazhduar kritikën e tij në një drejtim krejtësisht origjinal. Në shkrimin e tij të vyer ai dallon dy faza të rëndësishme në poezinë e Montales: atë “përshkruese” dhe atë “pohuese”, ose për ta thënë me termat e Benedetto Croce-s, atë të “letërsisë” dhe atë të “poezisë”. Në fazën e parë Contini vëren se poeti është në luftë me objektin e më tepër mundohet “t’i gjejë një justifikim shikimit”, ndaj nga njëra anë rreshton sendet përqark e nga ana tjetër jep gjykime subjektive mbi imazhet duke krijuar kësisoj “një sfond të çrregullt” ose “një përzierje, si të thuash, prozaike”. Në fazën e dytë, atë “pohuese” “lirika e Montales përfaqëson një shndërrim të këtyre sendeve të errta në muzikë”. Por sipas kritikut është e rëndësishme të nënvizohet se të dyja fazat bashkëveprojnë, plotësojnë njëra-tjetrën në ndërtimin e poezisë montaliane. Ky shpjegim përbën çelësin më të mirë të leximit të “Eshtra sepiesh”.

Interpretimi i ndryshëm i kritikut të ri i hapte rrugë dhe kuptimit të poezisë pasuese të Montales. Poezia “Arsenio” e përfshirë në botimin e dytë të “Eshtra sepiesh”, në 1931 dhe e botuar dhe në revistën letrare të drejtuar nga T.S. Eliot-i “Criterion”, si dhe cikli “Shtëpia e doganierëve” e botuar në vitin 1932 dëshmonin për një drejtim të ri që po merrte poezia montaliane. Fenomenologjia e “negatives” e shpërfaqur te “Eshtra sepiesh” kalonte nga natyra, hapësira, te historia personale dhe kolektive. Kështu nga ana filozofike kalimi nga “Eshtrat” te “Rastet” mund të interpretohet si një kalim nga jeta “tokësore”, “fizike”, në atë “metafizike”. Ky kalim u shoqërua stilistikisht nga njëra anë me praninë e shënjimit të sendeve dhe nga ana tjetër me ndërfutjen e së të ashtuquajturës “jo-poezi”, apo rrjedhë psikologjike në poezi.

Ndodhur në këtë proces krijues dhe nën presionin e kritikës ndaj poezisë së tij, Montale fillon një komunikim të ethshëm e të ngjeshur me kritikun e ri, duke i bërë të njohur në hollësi procesin e tij krijues e duke arritur ta përfshijë deri në atë pikë sa t’i kërkonte mendim edhe për fjalë apo vargje të veçanta. Kështu në një letër tjetër Montale i shkruan “tani nuk ka sesi të mos gëzohem kur e shoh të prekshme që edhe në shumë “hollësi” jemi në një mendje; në të gjitha ndoshta jo, sepse nëse do të ishte ashtu, flesh of my flesh, mund t’i shkruaje ti poezitë e mia e unë t’i kopjoja sipas mënyrës sime, domethënë pak më mirë se autori”. Apo në letrën e datës 25 nëntor 1939, ku Contini i shkruan Montales: “Gjinkalla më duket paksa zoologjike, përveçse ala paskoliane e duhet zëvendësuar”. Hera-herës ky bashkëpunim i ngushtë mund të konsiderohet si bashkëautorësi, ku shkëmbimi i teksteve dhe mendimeve për to, ndikoi në mënyrë vendimtare në rritjen intelektuale të dy miqve.

Contini kishte privilegjin kështu të ndiqte nga afër mënyrën e transformimit dhe rritjes së poezisë së Montales, gjë që e bëri të shkruante në vitin 1938 një artikull kritik “paradhënie” për vëllimin “Rastet” që do të botohej një vit më pas. Është ndoshta shembulli i vetëm i kritikës së një libri ende të pabotuar, si një mënyrë për të përgatitur terrenin e për të sheshuar keqkuptimet që mund të lindnin gjatë leximit të veprës.

Artikulli i Contini-t rreth veprës së pabotuar ka qenë dhe mbetet objekt studimi për kritikën letrare. Ky shkrim u bë më pas dhe parathënia e vëllimit që do të botohej në vitin 1939. Teksti hapet me një parashtresë ku Contini paraqet tezat e tij kryesore, duke vijuar më pas me një analizë të hollësishme që justifikojnë kalimin nga vepra e parë në të dytin. Contini arrin të dallojë “çastet shpëtimtare” te “Eshtrat”, “fantazmën” që më pas kthehet në “engjëllin-shpëtimtar që do të arrijë të çlirojë botën e fshehur” te poezitë pasuese, duke gjykuar kështu se “vetëm pas “Eshtrave” fillon arti i vërtetë i Montales”. Për Contini-n “Rastet” paraqesin “një fitore të vështirë por vendimtare të formës mbi psikologjinë”, domethënë të momentit “pohues” ndaj atij “përshkrues”. Kritika shkon gradualisht drejt vlerësimit përmbyllës ku, me shumë mençuri Contini vëren se ky kalim dhe rritje e poezisë montaliane përbën “një nga momentet më interesante për letrat bashkëkohore (jo vetëm italiane)”. Kjo përfshirje emocionale në mbyllje e justifikuar nga e gjithë analiza, del në mënyrë të natyrshme në një konkluzion që e prezanton Montalen në skenën ndërkombëtare, ende pa u botuar vepra.

Kur “Rastet” u botuan, vetë Gargiulo që i kishte dhënë mbështetje në veprën e parë përmes parathënies, shkruan një kritikë ndëshkuese, duke e quajtur kalimin nga “Eshtrat” te “Rastet” si një kalim nga “një këngë e çlirët” në një paraqitje rreshtore objektesh, si një kalim nga lirika e pastër në një prozë poetike. Sipas kritikut “gjuha e objekteve e përdorur nga poeti është pa shpirt dhe e kodifikon mesazhin duke e bërë të errët dhe të pazbërthyeshëm”.

Ky shkrim shënon dhe një moment kulmor në pranimin apo rrëzimin e poezisë së Montales nga kritika letrare e kohës, e cila u nda sërish në dy kampe. Po kësaj here në kampin kryesor u rreshtuan kritikët më autoritarë të kryesuar nga vetë Gargiulo. Montale atëherë, përmes një letre të dërguar Contini-t më 12.04.1940, e ftoi të shkruajë një artikull tjetër: “Është e rëndësishme që të mos lëshosh asnjë fije pe drejt prozës. Në kuptimin që ti i ke dhënë fjalës ka më tepër prozë te “Eshtrat”. Më 30 prill Contini i përgjigjet kritikës së Gargiulo-s me një shkrim te “Corriere” duke shënuar kështu një kthesë të rëndësishme në interpretimin e poezisë së Montales. Contini synon të dëshmojë se ideja e poezisë që Gargiulo e interpreton si “prozë poetike” nuk është gjë tjetër veçse lirizëm objektiv, është vetë ndjenja që kthehet në këngë, madje me një kumbim evokativ. Pra rreshtimi i objekteve nuk duhej interpretuar si një shmangie nga synimi poetik, por si një mjet shprehës për t’i dhënë jetë poezisë.

Contini e vazhdon dhe vite më pas shtjellimin e tezës së tij në një studim të botuar në revistën “Paragone” ku vë në dukje përplasjen fitimtare të formës përkundrejt shtjellës psikologjike në poezinë montaliane dhe kujton gjithashtu rolin e rëndësishëm që “Rastet” luajtën asokohe për të rinjtë në pragun e Luftës së Dytë Botërore.

Kjo periudhë rritjeje e poezisë montaliane gjeti mbështetjen dhe interpretimin e duhur te gjenialiteti kritik i Contini-t, gjë që na bën të pyesim: Cili do të kishte qenë fati i poezisë montaliane nëse nuk do të kishte gjetur mbështetje dhe një intepretim të duhur në këtë periudhë të vështirë? A do të kishte ndikuar në ecurinë e mëpasme të poetit? A mund të thuhet se për njohjen jashtë kufijve të Italisë së poezisë montaliane ka dhënë një shtysë të rëndësishme edhe kritika? A ka merita kritiku Contini në “parabolën” rritëse të krijimtarisë së poetit? Ndoshta dhe në përgatitjen drejt çmimit Nobel?

Faktet e shtjelluara më sipër dëshmojnë për “Një besnikëri të gjatë” – siç do ta titullonte Contini më vonë veprën me shkrimet kritike për poezinë e Montales – e njëkohësisht për një mprehtësi dhe zgjuarsi të rrallë të Contini-t në fushën e kritikës letrare, që padyshim, kanë qenë përcaktuese edhe për vetë fatin e krijimtarisë poetike të autorit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Emina Zuna, boshnjakja në gjurmët e Shqipërisë komuniste

Në Tiranë, si kontribut i Poeteka-s, në “Reja-Festival”, u zhvillua takimi “Reading...
Read More