Një person që ka studiuar në Oxford, nuk punon dot pa shkollën shtetërore të drejtorave!?

Nga Ervis Iljazaj

Shteti mund të licencojë apo të rregullojë një profesion, por, që të përgatisë një të tillë, është hera e parë që ndodh me shkollën shtetërore të drejtorave të ngritur nga Kryeministri Rama.

Në këtë rast, shteti nga rregullator dhe kontrollor është kthyer në ekspert, ku përgatit drejtorat e arsimit parauniversitar. Me pak fjalë, askush që nuk ndjek shkollën shtetërore të drejtorave nuk mund ta kryejë një funksion të tillë.

Qoftë edhe një person që ka studiuar pedagogji apo në një fushë të caktuar në Oxford apo në ndonjë nga universitet më të mira të Botës. Sepse, kështu siç është ndërtuar shkolla shtetërore e drejtorave, përpara përgatitjes të shtetit shqiptar, asnjë diplomë nuk ka asnjë vlerë.

E gjitha kjo, është pothuajse qesharake dhe absurde, e cila ngjan me një super kontroll etatist të profesioneve të ndryshme, i pakuptueshëm dhe i një stili autokrat.

Shqipëria sot e kësaj dite vuan aksesin e madh të shtetit në cdo fushë, në ekonomi, shoqëri apo drejtësi. Kështu që, me këtë prirje të zgjerimit të tij edhe në përgatitjen e profesione, është në zgjerim të rrezikshmë të kontrollit të çdo apsekti që përbën lirinë, dhe cenon tregun e sipërmarrjes apo të përgatitjes profesionale të profesioneve të ndryshme.

Në fakt, kjo nismë, nuk është gjë tjetër përvecse inercia e një mëndësie etatiste që e kemi të trashëguar nga periudha komuniste për sa i përket arsimit në përgjithësi.

Asnjëherë, asnjë nga palët politike, nuk arriti dot të krijojnte një reformë arsimore, e cila të fuste arsimin shqiptar në një llogjikë korporate, ku të funksiononte sipas parimit kosto-përfitim.

Dhe, kjo mendësi, nuk është vetëm në arsim, por edhe në disa shërbime të tjera si shëndetësia apo shërbime të tjera publike.

Për këtë arsye, shërbime të tilla janë në nivelin e ulët dhe të pakënaqshëm.

Ende në Shqipëri, mendojnë se hallet tona do na i zgjidhë shteti, dhe, për këtë arsye jemi në pritje të një politikani profet që do të merret me to. Një profet, i cili nuk do të mbërrijë kurrë, pasi, me përkufizim, sa më shumë kompetenca t’i japim politikës duke menduar në këtë mënyrë, aq më shumë rritet pushteti i tyre. Sa më shumë pushtet të kenë ata, aq më shumë është tendenca për korrupsion dhe abuzim në dëm të ekonomisë dhe shoqërisë. Kështu që, e vetmja rrugë për zhvillim e Shqipërisë është liberalizimi i plotë i disa shërbimeve shumë të rëndësishme për shoqërinë shqiptare.

Prandaj, shkolla shtetërore e drejtorave, është një nismë e cila duhet ndalur sa më shpejt. Në të kundërt, oreksi i pushtetit politik për të kontrolluar çdo gjë, do të vashdojë edhe në fusha të tjera. Duke qenë se patologjia e politikës drejt zgjerimit të pushteti është e pakufishme, atëherë, zgjidhja është kufizimi i saj me mekanizma të ndryshme. Ndërsa, ajo që ne bëjmë, nuk është gjë tjetër, veçse ushqejmë këtë patologji.

Për të gjitha këto aryse, nisma e Kryeministrit Rama për shkollën e drejtorave është totalisht regresive, për sa i përket cilësisë së profesioneve të ndryshme. Në këtë mënyrë, jemi duke krijuar një shtet që profesione të tilla, i përgatit vetë, i licencon dhe i emëron vetë.

Në këtë mënyrë, duke lënë çdo proces në dorë të shtetit, aq më tepër të një shteti si ai shqiptar, vetëm sa rrisim abuzimin me pozicionet e rëndësishme në arsim, dhe ulim ndjeshëm cilësinë e tij.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

UET i dekadës së dytë: Polivalent, me 5 fakultete dhe më shumë programe të reja studimi

Pas Fakultetit të Shkencave Sociale, Fakultetit të Drejtësisë dhe Ekonomisë, në Universitetin...
Read More