OBITUARY/ “E shkuara është një vend i huaj!”

Shuhet në moshën 95-vjeçare njeriu që i dha shumë trashëgimisë si disiplinë shkencore. David Lowenthal respektohej në mbarë botën për kontributin e tij në këtë fushë

Nëse dikush në botë flet për trashëgiminë, atëherë menjëherë i vjen ndërmend historiani dhe gjeografi David Lowenthal. I njohur si njeriu që hodhi themelet e studimit të trashëgimisë, ai ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare. Vetëm një vit më parë dha një leksion në Kolegjin Universitar të Londrës, ku insistoi: “Trashëgimia nuk është histori: trashëgimia është ajo që bëjnë njerëzit me historinë e tyre që të ndihen mirë”.

Qëndrimi i tij është në kontrast me mënyrën se si organizatat ndërkombëtare, veçanërisht UNESCO, kanë konceptuar dhe trumbetuar së fundmi, se trashëgimia duhet të jetë universale, pra e mirë për të gjithë.

Profesori Lowenthal ndihmoi që studimet për trashëgiminë të bëhen një disiplinë më vete, ai ishte profesor i nderuar në disa prej universiteteve më të mira në botë. Lindi në SHBA, por formimi i tij në tokën britanike ndikoi shumë tek ai.

Kryevepra e tij është libri “E shkuara është një vend i huaj”, në të cilën eksploroi me detaje se si shoqëritë e përdorin të shkuarën. “Politikanët përzgjedhin nga e shkuara atë që u nevojitet atyre për të mbështetur narrativën e tyre”, shkroi ai në këtë libër, që u ribotua para tri vitesh me plotësime të tjera.

Sipas tij, shoqëritë po shfaqin simptoma të të njëjtit problem: Po dështojnë që të kuptojnë të shkuarën, e cila kërkon që së pari, të kuptojmë se ajo është “një vend i huaj”, ku gjërat bëheshin ndryshe.

Sipas tij, kjo është një humbje e madhe intelektuale, por edhe psikologjike. “Pranoni përgjegjësinë kolektive për të shkuarën dhe pasojat e saj. E shkuara është integrale për qenien tonë… jetoni me kurajo me plotësinë e saj”.

Shqetësimi i madh i tij ishte se tashmë nostalgjia po komercializohet me stil alla Disney, vendet ‘historike’ dhe eventet përkujtimore po zëvendësojnë shpesh historinë e vërtetë.

Profesori i njohur shkruante se nostalgjia ka rëndësi të madhe për çdo njeri, duke kujtuar këtu se ushtri të tëra kanë pasur probleme me mallin për shtëpinë. Në kohën e Luftës Civile Amerikane, trupat nuk luanin muzikën e John Howard Payne “Home Sweet Home” pasi kjo shtonte numrin e dezertimeve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kirurgu i Përgjithshëm Amerikan kishte shprehur frikën se malli për shtëpinë po përhapej si një epidemi në ushtri.

“E shkuara na bën që të njohim të tashmen… pa të shkuarën, asgjë nuk do njihej”. Jo më kot, sot Britania e Madhe ruan më shumë se gjysmë milion struktura historike, përfshi edhe kabina telefonike.

I lindur në Nju Jork, David ishte djali më i madh i tre fëmijëve të Max Lowenthal, një avokat dhe këshilltar i presidentit Harry Truman. Pasi u diplomua në Universitetin e Harvardit për histori në vitin 1943, ai kreu shërbimin ushtarak në Europë. Në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore ai shërbeu si gjeograf, duke punuar me një fotograf të Hollivudit për të dokumentuar urat, rrugët dhe godinat në Francë, Gjermani e më pas në Britani.

Për librin e tij “E shkuara është një vend i huaj” ai mori edhe Medaljen e Akademisë Britanike.

Në vitin 1970 u martua me Mary Alice Lamberty, një kolegen e tij. La pas gruan dhe dy vajza.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

‘Reading Balkans’ në Tiranë: Intelektuali në kushtet e “hapësirës nën thonj”

Tirana i bashkohet kryeqyteteve të Evropës Juglinore në projektin Reading Balkans 2018....
Read More