Parkimi me pagesë nuk është zgjidhje, por problem!

Nga Gentian Kaprata

Ishte një shkrim i autores së pavarur Laura Laker, në gazetën 2-shekullore britanike, ‘The Guardian’, që konsolidoi tek unë idenë se kryebashkiaku Veliaj nuk do të mjaftohej me propagandën lokale për të prezantuar mrekullinë urbane që po vinte në Tiranë si pasojë e administrimit të tij. Koha e vërtetoi këtë ide, sepse daljet e përditshme në Tv-të shqiptare për të reklamuar punët e tij publike nuk mund t’i mjaftonin yllit të propagandës rilindase. Është në thelbin e internacionalistëve majtistë, veçanërisht të vendeve të varfra dhe të vogla si Shqipëria, të vetëshkëputen nga “popullsia injorante, e prapambetur  dhe konservatore” e vendit të tyre dhe t’i bashkëngjiten intelektualisht elitës majtiste globale. Mund të marrim në vëzhgim të gjithë majtistët e botës dhe do arrijmë në përfundimin se, ata nuk ngopen dot me aspiratat minimaliste e mediokre të popullit të tyre, bile ju duket jologjike t’i konsiderojnë interesat e shprehura prej tij.

‘Besojini shumicës së heshtur’ ishte titulli i këtij shkrimi të znj. Laker, që sigurisht e kishte shkëputur nga fjalimet e kryebashkiakut të ndërkombëtarizuar Veliaj. Pra, lëreni çfarë thonë qytetarët gërnjarë që flasin, e drejta qëndron me qytetarët që nuk flasin por që mendojnë njësoj si kryebashkiaku, përderisa është vet kryebashkiaku që vendos çfarë mendojnë këta. Teknik manipulimi që do ta kishte zili edhe diktatori Hoxha, nëse do ishte gjallë. Socializmi i tij monist, i detyronte njerëzit të shpreheshin ashtu si “duhet”, kurse socializmi demokratik i Veliajt arrin t’i lexojë në mendje ata që heshtin. Ishte kështu për ‘këndin e lodrave’ te Parku i Liqenit, për stadiumin me kullë te Stadiumi Kombëtar ‘Qemal Stafa’, për këmbësoren publike pa publik te Sheshi “Skënderbej”; dhe është edhe për projektin e fundit të kryebashkiakut Veliaj, sipas të cilit pagesa për parkimin në rrugët kryesore në Tiranë do të përmirësojë  dimensionin urban të qytetit.

Në të kundërt, parkimi me pagesë në rrugët kryesore është një projekt që do ta dëmtojë më tej gjendjen katastrofike urbane në të cilën është bllokuar dhe mbahet i shantazhuar kryeqyteti. Dy janë gjendjet fizike të një automjeti: ai është ose në gjendje statike, pra i parkuar; ose në gjendje dinamike, pra në lëvizje. Nëse një automjeti i vështirësohet parkimi, sikurse është rezultati logjik i kësaj mase administrative që kërkon pagesë për parkim, atëherë ky automjet do mbetet në lëvizje. Është e kuptueshme dhe racionale, sikurse vetë qenia njerëzore, që drejtuesit e mjetit do të tentojnë të ulin sa më shumë kostot e parkimit të automjetit të tyre, duke kërkuar vendparkime me kosto më të ulët. Mbajtja e automjeteve për një kohë më të gjatë në lëvizje, prodhon më shumë ndotje të ajrit, akustike dhe vizive për qytetin. Dhe vështirë të gjendet një qytetar, përveç z. Veliaj apo ndonjë prej dishepujve të tij, që thotë se ndotja e trefishtë është në të mirë të qytetit.

Nëpërmjet konsekuencës parësore të tij, atë të vështirësimit të parkimit, ky projekt prodhon edhe një dëm të madh për blloqet e banimit. Nëse e vëzhgojmë me kujdes Tiranën urbane, dëmi më i madh iu është bërë hapësirave të brendshme të njësive të banimit. Nëpërmjet lejeve të ndërtimit të dhëna në mënyrë të fragmentarizuar dhe pa projektim urban që paraprin zhvillimin, blloqet urbane mbeten në raporte shumë negative midis hapësirave të hapura e të gjelbra dhe sipërfaqeve të ndërtuara. Lejimi i ndërtesave të reja pa parkim nëntokësor e ka thelluar me tej këtë disbalancë, dhe projekti i parkimit me pagesë do ta rrënojë më tepër. Është e kuptueshme dhe racionale që drejtuesit e mjeteve, për të ulur kostot e parkimit, do i parkojnë mjetet e tyre në brendësi të bllokut të banimit. Çka në asnjë rast nuk mund të jetë një gjë e mirë për bllokun e banimit apo për qytetin, pavarësisht se çfarë deklaron z. Veliaj apo ndonjë prej dishepujve të tij.

Parkimi me pagesë dëmton edhe ekonomitë familjare të qytetarëve të Tiranës. Sigurisht nuk dëmton të pasurit, të cilët mund ta përballojnë me lehtësi këtë kosto shtesë dhe për më tepër do ju lehtësohet gjetja e vendparkimeve. Porse dëmton xhepin e familjeve të mesme, të cilat e kanë ndërtuar gjithë aktivitetin ditor nëpërmjet kësaj skeme të lëvizjes, përderisa rrit për ta koston e përdorimit të një automjeti. Po kaq dëmtohen edhe të varfrit, të cilëve do ju duhet të ndajnë me një pjesë të shtresës së mesme atë palo transport publik që ekziston, dhe që propocionalisht do të rritë çmimet. Por të mos shqetësohemi, sepse z. Veliaj do ketë më shumë para të marra nga xhepat e qytetarëve (2,7 milionë euro për 2017),  dhe kështu mund të fitojë edhe ca dekorata të tjera ndërkombëtare. Të cilat, vërtet nuk mund ta përmirësojnë gjendjen urbane të Tiranës, por mund t’i mbushin mendjen një pjese prej nesh, që “e ardhmja urbane e Tiranës është e ndritur”!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Leksionet e harruara të krizës financiare globale

Nga Adam Tuz Shtatori dhe tetori i vitit 2008, përfaqësonin krizën më...
Read More