PD duhet të shpëtojë nga ngasja jakobine kundër biznesit

Nga Ervis Iljazaj

Lulzim Basha ka bërë publik dje planin e tij antimafie, ashtu sikurse e quan ai luftën ndaj korrupsionit ekonomik dhe politik. Me anë të këtij plani Partia Demokratike është duke evidentuar më të drejtë një problematikë të rëndësishme, atë të klientelizmit dhe të përdorimit të parave të shqiptarëve në mënyrë arbitrare dhe pa garë.

Qeveria shqiptare është duke kryer disa investime strategjike, ose të famshmet PPP, të cilat janë duke u zhvilluar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa konkurrencë, duke vënë në rrezik lirinë ekonomike që është një parim kushtetues.

Në të kuptim, problematika qëndron dhe duhet adresuar. Mirëpo, ajo që pritet nga një parti politike, sidomos nga një parti politike e djathtë, është një program dhe një zgjidhje politike. Ndërsa ajo që propozon PD sot, është tërësisht një retorikë në kufijtë e jakobizmit kundër biznesit shqiptar, nëpërmjet gjyqit publik që po i bën atij. Kjo mënyrë, mund të jetë elektorale, por është totalisht kundër interesit publik, dhe kundër vetë interesit të Partisë Demokratike.

Duke mos u mjaftuar me kërcënimin për prishjen e koncesioneve dhe kontratave të lidhura nga qeveria Rama sapo PD të vijë në pushtet, Lulzim Basha, është shtyrë edhe më tej. E reja e programit antimafie, ishte pikërisht sekuestrimi i pasurive që janë fituar nga kontrata publike në mënyrë jo të ligjshme.

Në radhë të parë, kërcënimi për prishjen e koncesioneve, është një retorikë që e kemi dëgjuar nga çdo opozitë këto 25 vite, dhe, asnjëherë nuk është konkretizuar. Për një arsye shumë të thjeshtë, ato ndoshta janë jo efikase apo të pamoralshme, por gjithsesi janë lidhur nëpërmjet një kontrate nga dy palët.

Në radhë të dytë, sekuestrimi i pasurisë, edhe për organizatat më të mëdha mafioze, ndodh vetëm me vendim gjykate, dhe jo nëpërmjet një vendimi politik. Fakti që PD përmend me emra biznese të caktuara, të cilat sipas saj janë për sekuestrim pasurie, do të thotë që gjyqin ia ka bërë politikisht dhe jo nëpërmjet një procesi gjyqësor.

Kështu që, nuk është parë dhe dëgjuar ndonjëherë një retorikë e tillë, e cila i bën gjyqin publik biznesit, që ngjan me një gjuhë revolucionare, e cila nuk i shkon përshtat aspak një partie të djathtë si Partia Demokratike.

Me sa duket, tendencat populiste kundër “oligarkisë” që ngjallin emocione popullore, janë duke mbërthyer edhe Partinë Demokratike shqiptare. Në fakt, ky trend radikal dhe populist, është duke u manifestuar edhe përtej territorit shqiptar. Është një trend që ndoshta sjell konsensus politik, por, është totalisht një politikë regresive, kundër lirisë dhe demokracisë.

Ajo që pritej nga Partia Demokratike, është një zgjidhje politike për të adresuar një problematikë të tillë, dhe jo pretenca publike kundër biznesit, që nuk është as detyra dhe funksioni i saj. Një parti politike nuk mund të reduktohet në një zyrë prokurorie.

Një parti politike jep zgjidhje strukturore për problematikat që adreson. Për shembull, do të ishte e udhës që, Partia Demokratike të propozonte eliminimin nga fjalori politik i togfjalëshit prokurim i drejtë për drejtë. Çdo qindarkë e taksapaguesve shqiptarë, duhet të shpenzohet vetëm nëpërmjet garës dhe konkurrencës, për t’u shpenzuar në mënyrë sa më efikase, duke evituar arbitraritetin e qeverisë që sjell vetëm abuzim me pushtetin dhe korrupsion.

Këtë mund ta bënte nëpërmjet një parimi kushtetues ose në çfarëdo lloj forme tjetër. Kjo është një zgjidhje politike, afatgjatë dhe efikase. Të gjitha të tjerat rrezikojnë të mbeten thjesht një retorikë politike e momentit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Çili: Vonesa shqiptare është thjesht mungesa në vendosjen e tregut

U promovua sot në mjediset e UET, libri i Henri Cilit: Vonesa...
Read More