PD-ja me moton: Hapje pa riciklim

Nga Ndriçim Kulla

Një nga kritikat që i bëhen kryetarit të PD-së Lulzim Basha është se ai po e mbyll partinë, ndryshe nga ç’ bëri Berisha në 2005, para zgjedhjeve, kur e hapi partinë dhe fitoi zgjedhjet. Dhe ku bazohet kjo kritikë ndaj Bashës? Te fakti që jashtë listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e vitit të kaluar mbetën shumë nga figurat tradicionale të kësaj partie. Në fakt një pjesë e politikanëve, e kishin kuptuar se do të mbeteshin jashtë listës, prandaj e nisën luftën ndaj kryetarit që shumë kohë para zgjedhjeve. Pjesa tjetër, të cilët menduan se do të shpërbleheshin sepse i qëndruan besnikë kryetarit të ri, u rebeluan pas zgjedhjeve.

Te pakënaqurit u bënë bashkë dhe kritikuan kuvendin e partisë, si kuvend të mbylljes së saj, duke i adresuar kryetarit të ri të partisë ato kritika që i adresoheshin Berishës para vitit 2005, para se të krijonte KOP-n dhe të ftonte të larguarit nga partia që t’ i bashkoheshin asaj, duke krijuar me këtë një proces që u quajt “hapje e partisë”. Atëherë Berisha nuk e gjeti me vend t’i korrigjonte ata që e përdornin këtë term, dhe ai u përdor gjerësisht në media. Me sa duket, Berishës i pëlqente që të përdorej ky term, ndonëse vetë nuk e pranonte se po ndërmerrte një hapje të partisë, pasi ishte i mendimit se partia kishte qenë gjithmonë e hapur.

Basha në kuvendin e prillit, gjeti si përgjigje ndaj kritikave që i bëhen për përjashtimin e figurave tradicionale të partisë dhe mbylljen e partisë, formulën e “bashkimit të kontributeve”. Që do të thotë se partia është e hapur për ata që duan të kontribuojnë bashkërisht te partia. Formula e Bashës e cila në fakt synon të hapë debatin e kontributeve në parti, të duket sikur dashur pa dashur është edhe një vështrim kritik i metodës së hapjes së partisë nga Sali Berisha në 2005. Këtë e them sepse në procesin e hapjes së partisë, krahas rivlerësimit me të drejtë të mjaft figurave në atë kohë u bënë edhe shumë riciklime të pamerituara.

Nëse hapja është një gjë e drejtë, riciklimi është një gjë e gabuar, kur është fjala për politikën. Riciklim politik kemi kur dikush që ka qenë në poste të larta në një parti, si në opozitë ashtu edhe në pushtet, në një çast të caktuar, kur ky njeri ka mbetur pa poste pasi partia e tij ka dalë në opozitë, kërkon të riciklohet duke siguruar si fillim postin e deputetit të cilin e shikon si premisë për marrjen e posteve të tjera, si në opozitë, por edhe në pushtet, më pas kur partia të vijë në pushtet një ditë. Ai që kërkon të riciklohet, në fakt vështirë se ka ndonjë tjetër kontribut, veç faktit se ai ka qenë “ish” kështu dhe “ish” ashtu për një kohë të gjatë. Ai nuk është më në gjendje për të sjellë kontribute dhe e vetmja vlerë e tij është se ai nuk nxitohet për të bërë kritika ndaj kreut të partisë, sa kohë që i ricikluari është deputet.

I ricikluari është armiku më i madh i hapjes së partisë, që e shikon si rrezik për pozitën e tij në parti. I ricikluari është sidomos armik i intelektualëve që i afrohen partisë. I ricikluari i shikon me qesëndi intelektualët që i afrohen partisë dhe hedh thumba ndaj tyre, duke thënë: “Ku ishe ti në këtë apo atë ditë?” (demek kur partia ka pasur ngjarje delikate). E kam ndjerë edhe vetë këtë sjellje dhe ndonjëherë kur ndonjëri prej tyre ma ka sjellë veçanërisht në majë të hundës, nuk kam munguar t’i them:

“Unë isha këtu, në mos në tribunë, në shesh, sepse tribunën e kishe zënë ti, ose të tjerë si ti. Pastaj ika se nuk mund të rrija në oborrin e partisë, se më duhet të punoj për të nxjerrë jetesën për vete dhe familjen time. Nuk jam si ti që nuk të ka lënë kurrë partia pa një rrogë të majme. Se zotrote, edhe kur partia ka qenë në opozitë ke marrë goxha rrogë si deputet, pa llogaritur beneficet e tjera që vijnë me këtë post. Te partia kam ardhur kur ma ka ndjerë, kur kam menduar se mund të jap kontribut me ide, me këshilla kur gabon, por edhe me mbështetje inkurajuese. Dhe kontributin e kam dhënë edhe pa ma kërkuar dikush. Këtë e provoj qoftë edhe me shkrimet e mia në shtyp. Dhe tani nëse do hajde t’i krahasojmë kontributet e mia pa përfitim, me ato të tuat që i ke vetëm në periudhat kur partia të kishte siguruar një pagë, qoftë edhe si deputet në opozitë!”.

Riciklimet nuk janë produktive as në politikë, as gjetkë madje as në sport, siç po shohim këto ditë të kampionatit botëror të futbollit. Me një përjashtim. Riciklimi i trajnerëve që mund të krahasohet me riciklimin e liderit në politikë. Sepse të gjesh lider të aftë, është po aq e vështirë sa të gjesh trajner të aftë. Prandaj Uruguai shkoi në Rusi me Tabarezin, që ecte me paterica, sepse ishte e vështirë të gjente trajner tjetër fitues. Dhe me Tabarezin kaloi jo vetëm fazën e grupeve por eci edhe më tutje, madje po shpreson shumë.

Nuk e kam fjalën për një pjesë të atyre ish-drejtuesve të PD–së që Kryetari i Partisë Demokratike i hoqi pa i llogaritur mirë me realizëm profilet e tyre dhe çfarë kontributesh që kanë dhënë ose mund të jepnin si drejtues në të ardhmen, të cilët madje i zëvendësoi pa bërë qoftë edhe një komunikim njerëzor me ta, duke harruar se politika ka edhe aspektin e saj sociologjik. Por e kam fjalën konkretisht, sidomos për ato figura të konsumuara që kontribuuan në humbjen e rezultatit të zgjedhjeve.

Një parti politike mund t’i lejojë vetes vetëm luksin e riciklimit të liderit, kur lideri pasardhës nuk bind, por kjo parti do të shkatërrohej nëse do të bënte riciklime në masë dhe sidomos për ata njerëz që unë diku i kam quajtur i bindur “xhaketa të vjetra”. Basha gaboi me shumë prej atyre që solli, por jo me shumë prej atyre që hoqi. Prandaj maksima e PD-së duhet të jetë: Hapje pa riciklim!

Ndonjë lider partiak do të hezitonte që ta përdorte fjalën “hapje” për partinë, duke patur dyshimin se kështu do të pranojë pa dashje se partia kishte qenë e mbyllur dhe kjo fjalë e tij do të përdoret si armë ndaj tij nga kundërshtarët politikë. Kjo është një mendësi e gabuar. Sepse çdo parti në botën demokratike është normalisht e hapur, por në situata të caktuara ndërmerr një fushatë hapjeje, që do të thotë se i vë përparësi hapjes ndaj shtresave të caktuara. Në fund të fundit edhe vetë procesi i hapjes së partisë është i dyanshëm, nga njëra anë janë të interesuarit për t’ju afruar partisë, ndërsa në anën tjetër janë funksionarët e partisë në të gjitha nivelet të cilat luajnë rolin e tyre në këtë proces duke komunikuar me ata që i afrohen partisë, duke iu bërë sqarimet e nevojshme. Një parti e madhe është edhe një makineri e madhe që kur vihet në lëvizje për të kryer një proces të caktuar ka nevojë për një plan veprimi.

Prandaj PD-ja, që është parti e madhe, nuk duhet të ketë fobi nga motoja: Hapje… pa riciklim!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Marrëveshje me vende të tjera për shmangien e tatimit të dyfishtë

Nga Eduart Gjokutaj Shqipëria aplikon sistemin e marrëveshjeve bilaterale për shmangien e...
Read More