Pensionet, e tashmja dhe e ardhmja

Transparenca, parakusht për konsolidimin e sistemit të pensioneve. Një analizë e situatës me pensionet shqiptare përmes leksioneve të gabuara të së shkuarës, vijnë në librin e UET PRESS nga KOÇO BROKA

Nga Koço Broka

Niveli i ulët i pensionit mesatar në vendin tonë, rënie e ritmeve të rritjes së tij afër ose thuaj sa niveli i indeksimit të inflacionit, mospërballimi i rritjes së shpenzimeve të sigurimeve shoqërore e sidomos ato për pensione, me rritjen e të ardhurave janë pa dyshim çështje sa individuale për çdo qytetar, aq edhe për mbarë shoqërinë, sa probleme sociale aq edhe ekonomike. Të dhënat e buxhetit të konsoliduar të këtij viti dhe parashikimet për vitet e ardhshme flasin për rritjen e deficitit të sigurimeve shoqërore e për rrjedhojë efektet e tij në rritjen e deficitit buxhetor që do të reflektohet në rritjen e borxhit ose në atë të tatim-taksave si rezultat i drejtpërdrejtë i këtij faktori.

Përballimi dhe kapërcimi i këtyre sfidave aktuale dhe sidomos në të ardhmen, është i lidhur ngushtë me njohjen e dy faktorëve kryesorë që ndikojnë në këto probleme e sfida, mekanizmi i funksionimit të sigurimeve shoqërore (skemat e pensioneve) aq edhe me ndikimin e dukurive demografike në to. Janë këto dy grupe të drejtpërdrejta faktorësh (përveç ndikimit të ecurisë së përgjithshme të ekonomisë) që kanë përcaktuar dhe pritet të përcaktojnë ecurinë dhe zgjidhjen e problemeve aktuale të skemës, niveli mesatar relativisht i ulët i pensioneve dhe stopimi i rritjes së tij në vitet e fundit, por dhe ndikimi në buxhetin e shtetit. Në këtë kuadër mendoj se për të kuptuar sfidat e sotme është e nevojshme dhe e domosdoshme të njihet e kuptohet e kaluara, duke nxjerrë mësimet e duhura prej saj. Ato mund të vlejnë dhe është e nevojshme të përdoren për të zgjidhur problemet e sotme dhe sfidat e së ardhmes. Në këtë rrafsh, për të kuptuar sfidat aktuale me të cilat ballafaqohet sistemi i pensioneve dhe për të ravijëzuar rrugëzgjidhjet e nevojshme që duhen ndjekur për përballimin e tyre në këto fusha, është e nevojshme të njihet e kuptohet se çfarë ka ndodhur me ecurinë e popullsisë dhe sistemin e pensioneve në të kaluarën dhe sidomos sot. Njohja dhe kuptimi i së kaluarës duke kërkuar thelbin, të vërtetën prej fakteve, nuk është thjesht një përshkrim i një grumbulli rastësish, një grumbull faktesh e të dhënash të thata, të pasqyruara qoftë edhe në tabelat e strukturave apo grafikë (vetëm për arsye zgjatjeje nuk kam përdorur paraqitjen grafike, e cila, nga ana e saj, do të mund të krijonte një pamje më të qartë dhe më të drejtpërdrejtë për lexuesin e studimit). Duke i ndjekur e prezantuar të dhënat, ashtu siç janë matur e pasqyruar në çdo etapë të zhvillimit historik me plotërinë e saktësinë apo me shmangiet e tyre, nga procesi real i zhvillimit, në bazë të studimit, prezantimit e përshkrimit të tyre, janë vënë njohja e elementeve dhe thelbit të dukurive demografike e të sigurimeve shoqërore.

Është bërë kujdes që pavarësisht nga numri jo i vogël i treguesve, tabelave dhe të dhënave, të mos humbet në morinë e vogëlsive dhe opinioneve që kundërshtojnë njëra-tjetrën, por duke njohur dhe nxjerrë në pah lidhjen themelore, të ravijëzohet se çfarë ka ndodhur me popullsinë apo me sistemin e pensioneve e për rrjedhojë çfarë pritet të ndodhë në periudhat e ardhshme e si mund e duhet vepruar. Kjo është mundësuar nëpërmjet metodës historike krahasuese, një harmonizimi të historikes me logjiken dhe anasjelltas, nga ofrimi, analizimi i një morie të shumtë të dhënash është kaluar në nxjerrjen e gjetjeve, përfundimeve sa më të sakta dhe për rrjedhojë të rrugëzgjidhjeve e rekomandimeve. Krahas përdorimit të metodës së këndvështrimit historik dhe në harmoni me të, në njohjen e sfidave aktuale të sigurimeve shoqërore dhe sidomos gjetjen e rrugëzgjidhjeve, trajtesa e metodologjia e mëposhtme e përdorur është mbështetur e ngjason me atë të mjekut bashkëkohor. Ashtu si mjeku para se të japë terapinë njihet fillimisht me simptomat e sëmundjes e më tej depërton në lidhjen dhe shkakësinë e tyre, duke pyetur pacientin jo vetëm për to, por dhe ambientin ku jeton, familjen, trashëgiminë, bën analizat përkatëse duke peshuar të gjitha elementet dhe jep diagnozën. Mbi bazën e saj përcakton edhe terapinë për shërimin e sëmundjes. Pra, në thelb do të përdoret ajo metodologji që profesori i Zhvillimit të Qëndrueshëm, Jeffrey D. Sachs, e artikulon si përngjasim me mjekësinë moderne dhe jo atë të shekullit të tetëmbëdhjetë dhe e quan Ekonomiksi Klinik.

Sipas kësaj metodologjie, ka pesë leksione bazë të mjekësisë klinike, të vlefshme për Ekonomiksin Klinik. Leksioni i parë është se trupi i njeriut është një sistem kompleks dhe se sistemi njerëzor i përngjet atij, ku më e rëndësishmja është se një problem mund të sjellë një seri problemesh të tjera … (sistemi i pensioneve është kompleks). Leksioni 2 është se kompleksiteti kërkon diagnozë diferenciale. Doktori kërkon në një listë të gjatë për të gjetur përgjigjen e saktë. Leksioni 3 E gjithë mjekësia është një mjekësi familjare. Nuk është e mjaftueshme të identifikosh sëmundjen e një fëmije. Në mënyrë që ta trajtosh sëmundjen e fëmijës me sukses, është e rëndësishme të kuptosh situatën shoqërore. A mos edhe nëna po vuan nga kjo sëmundje? A është plagosja e një fëmije me të vërtetë aksident apo shenjë e një keqtrajtimi? Leksioni 4 është se monitorimi dhe vlerësimi janë thelbësor për një trajtim të suksesshëm. Leksioni 5 është që mjekësia është profesion dhe si një profesion kërkon norma të forta etike dhe një kod sjelljeje. Në raportin terapi-diagnozë vendin kryesor dhe pjesën dërrmuese të studimit të mëposhtëm e ka zënë zbulimi sa më i saktë i diagnozës dhe më pak terapia e rekomanduar. Në këtë rrafsh, shumëkujt që do të lexojë studimin pres dhe mund t’i lindë dhe bëjë apriori pyetjen se cilat janë rrugëzgjidhjet që jep?! Për mua kryesorja është gjetja dhe sidomos pranimi i diagnozës, por dhe terapive të rekomanduara më parë. Nëse terapia që precipiton e rezulton natyrshëm nga studimi njihet mbi bazën e praktikave të vendeve të tjera, por ajo është shmangur dhe shmanget për shkaqe të ndryshme si interesat e grupimeve të caktuara shoqërore e deri ato individuale apo në mënyrë të vetëdijshme për interesa të ngushta politike, do të kishte një thjeshtëzim e shmangie të mëtejshme të rrugëzgjidhjeve që burojnë nga diagnoza. Ideja se terapia dhe strategjia e pensioneve kërkon mirëkuptimin e të gjithëve, nuk është rrjedhojë e studimit, por është një ide e njohur që dihej dhe dihet nga shumëkush para studimit. Pavarësisht nga simptomat, por dhe apelet për kryerjen e reformës së sistemit të pensioneve, ajo nuk u realizua nga politikëbërësit dhe vendimmarrësit e periudhës 2009–2013. Kur u ravijëzua reforma e vitit 2015 ajo u kundërshtua me pretekstet nga më të ndryshmet dhe me trajtesa populiste. Ndërsa përballë premtimeve se pensioni minimal do të shkonte në 25 000 lekë nëse do t’u jepej vota kësaj ose asaj partie politike, u shmangën elemente të qenësishme të terapisë që përmbante në vetvete kryerja e reformës. Vetëm një pranim i kësaj të fundit nga vendimmarrësit dhe politikëbërësit mbi bazën e provave dhe fakteve, do i hapte rrugën zbatimit të terapisë së përpunuar.

Megjithëse çdo krahasim çalon, studimi im synon të përdorë në përcaktimin e diagnozës në thelb një metodë që i përngjet ose mëson nga metodat e mjekësisë bashkëkohore për diagnostikimin e problemeve koronare, bllokimin e enëve të gjakut, të cilat mund të jenë fatale për individët që mund të vuajnë nga probleme të tilla. Mjekët rekomandojnë se nëse ky problem kapet në kohë dhe arrihet të diagnostikohet mund të parandalohen një sërë problemesh deri te një infarkt i mundshëm. Ky rol i diagnostikimit të problemeve koronare bëhet përmes koronarografisë, e cila është një procedurë diagnostikuese dhe ndërhyrëse në të njëjtën kohë. Përfitimi i parë i kryerjes së kësaj diagnoze ka të bëjë me përmirësimin e cilësisë së jetës, ku largimi i dhembjes së gjoksit, si rrjedhojë e hapjes së ngushtimit, e rikthen të diagnostikuarin në një përditshmëri të pakufizuar dhe duke parandaluar e ulur dukshëm rrezikun e mediokardit, i cili, siç dihet, nëse rëndohet ka pasoja fatale për jetën. Koronarografia është një procedurë diagnostikuese dhe ndërhyrëse. Ky tipar nuk mund të transplantohet në studimet ekonomike dhe sociale, për faktin se ndërhyrjet nuk u përkasin më studiuesve, por politikëbërësve dhe vendimmarrësve. Ndërkohë koronarografia ka edhe rreziqet e veta të mundshme, siç janë rreziqet që lidhen me komplikacionet lokale, si hematoma apo disekimi i arteries femorale (çarje e murit të aortës), komplikacione që mund të lidhen me lëndën e kontrastit që përdoret në ekzaminimin e komplikacioneve të tjera më të rrezikshme, thonë mjekët.

Ky ekzaminim, sipas mjekëve, rekomandohet kur dyshohet për një ngushtim arteriesh, si pasojë e informacioneve që vijnë nga simptomat që shfaqin pacientët në ankesat e tyre, nga kryerja dhe shqyrtimi nga ana e mjekëve të elektrokardiogramës, ekokardiogramës, nga të dhënat indirekte që marrin nga provat ushtrimore që njihet si ushtrimi i biçikletës. Por pavarësisht dyshimeve që vijnë nga ekzaminimet e mësipërme, për përcaktimin e saktë të problemeve koronare, shërben koronarografia, e cila konstaton se mund të ketë nevojë për masa ndërhyrëse me stentë, me anë të të cilave mund të parandalohet një infarkt i mundshëm nga ngushtimi kritik i enëve koronare ose jo. Gjithsesi, nëse nga koronarografia del se ka nevojë për 1 – 2 stenta (unaza) mjeku vazhdon. Nëse nga diagnoza rezulton se gjendja është më e rëndë dhe konkludohet se ka nevojë për bypass, atëherë ka nevojë jo thjesht për një mjek, por për një ekip më të plotë mjekësh.

Ndryshe nga koronarografia si metodë diagnostikuese, studimet ekonomike e sociale nuk kanë rrezikshmëri për mirëqenien e përgjithshme në tërësi, përveç efekteve që mund të ketë zbatimi i gjetjeve dhe rekomandimeve në përfitimet dhe subvencionet që diagnoza i nxjerr si pengesë për zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë ekonomik-social. Aq më tepër kur këto studime bëhen pa kosto, pa pagesë, siç ndodh rëndom në vendin tonë, që jo vetëm harxhohet pak për kryerjen e studimeve ekonomike e sociale, por edhe kur kryhen ka pengesa deri në mosleximin e kujdesshëm të tyre, ndezjen e dritës së kuqe për publikime, pa bërë fjalë për reflektimin dhe marrjen në konsideratë dhe shndërrimin e tyre në objekt të politikëbërësve, vendimmarrësve dhe hartimin, miratimin dhe realizimin e politikave përkatëse.

Natyrisht, cilësia e studimit të tij matet nga vlerësimi i oponentëve dhe lexuesve. Gjithsesi mund të thuhet paraprakisht se për efekt kohe, studimi i prezantuar ka edhe material bruto që mund të paraqitej në mënyrë përmbledhëse ose në mënyrë sintetike më shprehëse, siç janë paraqitja grafike dhe kufizimi ose ngushtimi i trajtave tabelare të të dhënave të prezantuara. Autori është i hapur ndaj çdo komenti e sugjerimi dhe marrjen në konsideratë sidomos të atyre që mund të realizohen brenda një hapësire të caktuar kohore. Nga ana tjetër, si terapia, por edhe diagnoza nuk mund të jenë shteruese në kushtet e një mungese të transparencës apo kufizimeve që rrjedhin nga fakti se studime të tilla kërkojnë përfshirjen e institucioneve. Duke pasur parasysh lidhjen që ekziston midis pensioneve, sidomos ato të pleqërisë me aspektet demografike, po ndalem fillimisht në njohjen e faktorëve demografikë dhe ndikimin e tyre në sistemin e sigurimeve shoqërore pensionet e pleqërisë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Loja me dy porta për çështjen e detit dhe negociatave me Greqinë

Nga Ervis Iljazaj Konflikti që ka nisur midis presidencës dhe qeverisë për...
Read More