Për një qasje të zgjuar në raport me tregun

Çdo individ është në kërkim të vazhdueshëm të gjetjes së mënyrave për të aktivizuar kapitalin që ai disponon. Ai këtë e bën për t’i shërbyer interesit te tij dhe jo se do të ndihmojë shoqërinë. Sipërmarrësi kur hap një biznes shkon të tregtojë në treg “për të nxjerrë fitimin e tij”.

Nga Eduart Gjokutaj, ALTAX

Është fakt, që njerëzit ndryshojnë nga njëri-tjetri lidhur me aftësitë e tyre krijuese, preferencat, mundësitë, cilësitë e veçanta, gatishmërinë për të përballuar rreziqe dhe pse jo dhe nga fati. Këto ndryshime influencojnë dhe mbi të ardhurat e tyre, pasi ato ndikojnë në vlerën e mallrave dhe shërbimeve qe një individ është në gjendje ose i gatshëm t’ia ofrojë tjetrit. Ndërsa merremi me ndryshimet midis njerëzve, ajo që dua të shpreh lidhet me ndryshueshmërinë e të ardhurave nga njëri individ te tjetri. E ardhura e individit nuk është gjë tjetër, përveçse kompensimi që ai merr në këmbim të shërbimeve dhe mallrave që ju furnizon të tjerëve. Individët që fitojnë shuma të mëdha të ardhurash janë ata që u ofrojnë të tjerëve gjëra shumë të vlefshme që i ndihmojnë në komodizimin e jetës së tyre. Nëse do të ishte ndryshe, njerëzit nuk do të ishin të gatshëm për të paguar për ofertat e tyre. Edhe ju, nëse doni të fitoni të ardhura të mëdha, duhet të mendoni se si të jeni gjithnjë të gatshëm për të ndihmuar të tjerët. Por dhe rasti i kundërt është i vërtetë. Kjo lidhje midis qasjes ndaj të tjerëve dhe përfitimit të të ardhurave është nxitja e brendshme e njerëzve të suksesshëm të bëhen sa më profesionistë dhe të mprehin talentet që kanë. Dhe në fakt ata vlerësohen në jetë nga të tjerët. P.sh., studenti mëson e mëson duke kaluar ore të tëra mbi libra për t’u bërë doktor, inxhinier, ekonomist. Të tjerë individë bëjnë kurse dhe trajnime të ndryshme për të perfeksionuar aftësitë e tyre. Ndërkohë, të tjerë guxojnë të investojnë dhe nisin një biznes apo të kenë një karrierë politike në rritje. Dhe pse i bëjnë njerëzit këto gjëra? Padyshim, që në marrjen e këtyre vendimeve ndikohen nga shumë faktorë. Ata më idealistët nxiten nga mendimi për të përmirësuar botën që i rrethon. Por, megjithatë dhe njerëzit që nisen nga motivi për të rritur të ardhurat e tyre nxitjen më të fuqishme e kanë se si të jenë më të aftë për të rritur cilësitë e tyre që të jenë më të vlefshëm për të tjerët. Megjithatë, njerëzit që fitojnë të ardhura të mëdha me kalimin e kohës e bëjnë zakon që të nxiten edhe për të përmirësuar mirëqenien e shumicës së njerëzve që i rrethojnë. Biznesmenët më të pasur të botës kanë fituar shuma të mëdha të ardhurash, sepse kane nxjerrë në treg produkte që kanë përmirësuar jetën dhe cilësinë e miliona njerëzve. Shembuj nga jeta e përditshme për këtë kategori pasanikësh mendoj se dini me shumicë.

Bizneset me fitim. Synimi drejt aktiviteteve që rritin pasurinë

Në thelb fitimi është një shpërblim për biznesmenin që prodhon apo shërben një të mirë që konsumatorët e vlerësojnë më shtrenjtë se burimet që shpenzohen për ta prodhuar atë. Ndërsa, humbja përkundrazi është një “dënim” që u vendoset bizneseve të pasuksesshme që tejkalojnë çmimin që konsumatori është i gatshëm të paguajë për prodhimet e tyre. Natyrisht, që në realitet nuk është kaq thjesht përkufizimi i humbjes dhe fitimit. Fakt është se jetojmë në një botë ku teknologjia ecën shpejt. Po ashtu, edhe shijet e konsumatorit. Ndërkohë, kjo botë është e mbingarkuar me reklama, por gjithashtu dhe me mangësi në informacionin për prodhimin dhe cilësinë që ata kërkojnë. Vetë biznesmenët nuk janë të qartë, se çfarë vendimi të marrin për të ardhmen e biznesit te tyre duke mos qenë të sigurt si për çmimet në treg, po ashtu dhe për kostot e prodhimeve të tyre. Vendimet e tyre bazohen më shumë në shpresën dhe besimin se po ecin në rrugën e duhur. Ata e dinë mirë se struktura e shpërblimit dhe dënimit funksionon më së miri. Për ata që do të mund të prodhojnë efektivisht dhe do të kenë paguar korrektësisht kostot për produktet dhe shërbimet, për të cilat kërkesa e ardhme do të jetë shumë urgjente do shpërblehen me fitime. Ndërkaq, për ata që do të jenë joefektivë në grumbullimin e burimeve dhe përdorimin e tyre në fusha ku kërkesa nuk duket shpresëdhënëse do të penalizohen me humbje. Ashtu si ndodh me bizneset mendoj se ndodh dhe me shtetet. Ky është një funksion i rëndësishëm. Shtetet që dështojnë në zbatimin e këtij funksioni në formën e shpërblimit do të kenë të paktën si dënim kriza dhe stanjacione ekonomike.

“Dora e padukshme” e tregut

“Dora e padukshme” e tregut vepron aq pa u ndjerë, sa shumë njerëz nuk arrijnë ta imagjinojnë dot. Radhët e gjata për mallra konsumi dhe shitjet nën dorë të mallrave të tjera, që njerëzit i mbajnë mend nga ekonomia e centralizuar tashmë janë pothuajse të panjohura për qytetarët e rinj të ekonomisë së tregut. “Dora e padukshme” e tregut ka sjellë rregullin, harmoninë dhe shumëllojshmërinë e mallrave dhe shërbimeve, pavarësisht nga të metat e cilësisë dhe spekulimet, që ekzistojnë ende si pasojë e mungesës së një tregu të konsoliduar dhe me traditë për vendin tonë si dhe kontrollit të mangët nga agjencitë publike. Çdo individ është në kërkim të vazhdueshëm të gjetjes së mënyrave për të aktivizuar kapitalin që ai disponon. Ai këtë e bën për t’i shërbyer interesit të tij dhe jo se do të ndihmojë shoqërinë. Sipërmarrësi kur hap një biznes shkon të tregtojë në treg “për të nxjerrë fitimin e tij”. Por ai nuk e di se kur ndeshet me çmimet e tregut është njësoj sikur drejtohet nga një dorë e padukshme që vendos lidhjen midis tij, tregut dhe konsumatorit. Asnjë autoritet qeveritar nuk është e nevojshme t’u thotë bizneseve se çfarë dhe si ta prodhojnë apo kryejnë shërbimin. Këtë punë e bëjnë më së miri çmimet e tregut. Natyrisht, që tregu ka nevojë të kontrollohet që të mos krijohen dhe mbizotërojnë monopolet.

Nëse marrim rastin e bizneseve në prodhim, në ndërtim, në shërbime apo tregti, nëse çmimet e këtyre aktiviteteve vlerësohen më lart se kostoja e tyre nga konsumatorët, atëherë vetë sipërmarrësit, në kërkim të fitimit personal do të sigurojnë këta mallra e shërbime të kërkuar. Dhe kjo do të thotë se edhe sikur të duan, autoritetet nuk e ndjekin dot morinë e kombinimeve dhe lëvizjet e biznesmenëve për të ulur sa më shumë koston e mallrave dhe shërbimeve që ju kërkohen dhe vlerësohen nga konsumatori. Mbajtja e një kostoje të ulët dhe sigurimi i një fitimi për të vazhduar më tej është dhe motori kryesor i vazhdimësisë së prodhimit. Ndërkohë, ata që kanë kosto më të lartë, për aktivitete të ngjashme janë të destinuar të dalin nga skena e tregut ku kanë hyrë. Ndërsa, shteti ka detyrë që të mbajë një platformë tregu të pacenueshme nga sëmundjet që shoqërojnë tregun e sotëm, si: monopolizimet, marrëveshjet dhe përfitimet nga fondet publike pa konkurrim, si dhe ruajtjen prej ndikimeve nga konkurrenca e pandershme. Nëse tregu nuk mbahet i tillë, atëherë ai asnjëherë nuk mund të jetë një strukturë që do të mund të jetë i aftë të konkurrojë me produktet dhe shërbimet më tej se brenda vendit.

Mospërfillja e efekteve dytësore dhe pasojat nga gabimet

Kur mjeku na rekomandon një ilaç për të kuruar një sëmundje, gjithnjë nuk duhet harruar ta pyesim për efektet anësore të tij, pasi duke i ditur mund të parandalojmë dhe pasoja të padëshirueshme. Kjo do të vlente edhe në rastet e “kurave ekonomike” që rekomandojnë politikanët. Ndërsa përpiqen të “kurojnë” segmente ekonomike të sëmura apo industri të veçanta duhet të japin sqarime dhe për efektet anësore të tyre për komunitetin. Është i justifikuar mendimi që për të ndihmuar industri të veçanta apo zona e grupe njerëzish më parë duhet marrë në konsiderate efekti i kësaj ndihme mbi komunitetin që përbëhet nga tatimpagues dhe konsumatorë. Por, në fakt grupet e individëve, industrialistët, grupet e presionit dhe përkrahësit e tyre janë gjithnjë në lëvizje që të shtyjnë politikën qeveritare të favorizojë ata, pavarësisht se çfarë pasojash do të kenë grupet e tjera nga kjo. Ata nisen nga ideja për t’u mbështetur vetëm te përfitimet e momentit dhe që janë lehtësisht të dukshme për ta. Ndërkohë që kostot mund të jenë të fshehura dhe do të zbulohen në të ardhmen. Po marr si shembull rastin e çmimeve të apartamenteve. Nëse do të propozohej që të zbatohej politika e kontrollit qeveritar të çmimeve të apartamenteve do të rezultonte me një efekt në reduktimin e çmimeve dhe do të stimulonte një treg me çmime më të favorshme për shtresat e varfra dhe të mesme. Në këtë rast, një qeveri vizionare duhet të shikonte dhe efektin dytësor të këtij propozimi apo të ardhmen e tij. Çmimet e ulëta të apartamenteve do të ulnin të ardhurat që janë të nevojshme për ndërtuesit për të fituar dhe kursyer për investime të ardhshme dhe nxitje të sektorit ndërtimor. Ndoshta ndërtuesit e sotëm do të detyroheshin të pranonin çmimet e ulëta, por kjo nuk do të ishte një gjë që do të ndiqej nga ndërtuesit e ardhshëm. Shumë nga ata do të ndiqnin rrugën e investimit të parave për të fituar në një biznes tjetër fitimprurës. Ndërkohë që biznesi i pasurive të patundshme do të binte. Këto efekte dytësore nuk do të ishin të dukshme në momentin e parë. Por, në një moment të dytë, kontrolli ndaj çmimeve të apartamenteve do të “komandonte” një pjesë të mirë të mirëqenies së këtyre komuniteteve duke ulur ofertën për shitje apartamentesh të shoqëruar me ndërtesa të amortizuara dhe efekte shkatërrimtare për ata që investuan në këtë sektor. Në një farë mënyre, kontrolli ndaj çmimeve do të mund të quhej një “teknike eficiente” për të shkatërruar një qytet.

Nëse marrim një shembull tjetër që ka të bëjë me kufizimet për hyrjen e investitorëve të huaj në sektorin energjetik. Numri i të vetëpunësuarve apo dhe punëmarrësve në sektorin përkatës është i shpërndarë mirë. Po për efektet dytësore apo anësore çfarë mund të thuhet? Kufizimi i hyrjes së investitorëve të rinj do të thotë rritje çmimesh për konsumatorët. Si rrjedhojë do të kemi rritje të çmimeve, ose ruajtjen e tyre ne po ato nivele. Shume konsumatorë do te kufizojnë një pjese te konsumit të tyre për ushqime, konfeksione, pushime e argëtime dhe ndoshta dhe shumë gjëra të tjera të jetës së përditshme për të përballuar këtë kosto të lartë që ul besimin e tyre konsumator.  Këto kufizime në shpenzime do të thotë se do të ulin në përgjithësi konsumin apo thënë me fjalë të tjera prodhimin e brendshëm duke sjellë si pasojë dhe papunësi në sektorët që bëhen jo rentabël. Natyrisht që kjo do të sjellë pasoja anësore dhe për të huajt apo investitorët e rëndësishëm. Duke qenë se ata do të konstatojnë se do të kenë pak përfitime nga ky biznes, natyrisht do t’u bjerë dhe interesi për sektorin energjetik dhe do të bjerë dhe fuqia investuese e tyre dhe pasojat zinxhir te punësimi dhe rënia ekonomike çojnë drejt hyrjes në krizë. Shembuj të tjerë mund të japin më shumë këndvështrime, por thelbi i të gjithë rasteve mbetet i njëjtë: tregu ashtu si dhe natyra në një kohë të papritur ta kthen mbrapsht gabimin që ke bërë ndaj tij.

Në mbyllje do të komentoja thënien e Platonit: “I vetmi defekt i njerëzve të zgjuar është toleranca e tyre, që ata lejojnë të drejtohen nga njerëz më inferiorë se vetja e tyre”.  Ne, shqiptarët e sotëm e kemi lejuar të drejtohemi nga njerëz më inferiorë se sa mesatarja e inteligjencës së vendit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

SHBA-Kore e Veriut, vringëllimi i rrezikshëm i shpatave

Nga Miodrag Soric, Deutsche Welle Donald Trump kërcënon Korenë e Veriut me “zjarr,...
Read More