Përgatitja e profesionistëve – domosdoshmëri për turizëm cilësor

Nga Elvira TabakuPedagoge UET

Turizmi vazhdon të shënojë rritje në nivele të kënaqshme. Duhet investuar që kjo rritje të mos jetë e përkohshme, por të orientohet drejt zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri. Për këtë, krahas investimit në infrastrukturë është thelbësor edhe investimi në burime njerëzore. Studime të ndryshme tregojnë se elemente si menaxhimi mjedisor apo pastërtia, aspekti ekonomik i lidhur me cilësinë e ofruar dhe sidomos aftësitë e punonjësve, të cilat përbëjnë kritere të rëndësishme vlerësimi nga operatorët e huaj turistikë, nuk janë në nivelin e kërkuar.

Të dhënat sipas publikimit të fundit (gusht 2018) nga organizata botërore e turizmit, OBT (UNWTO) tregojnë se turizmi ka patur vit pas viti rritje të shifrave lidhur me mbërritjet ndërkombëtare, ndikimin në ekonomi, hyrje të të ardhurave për vendet pritëse etj. Në këtë mënyrë, ai mundëson 10.2% të punësimit global me një gamë të gjerë të llojeve të punës (nga punonjës me pak kualifikim deri tek ata me nivel të lartë kualifikimi), është sektori i tretë me kontribut më të madh në GDP botërore, i cili përbën 30% të eksportit global të shërbimeve, ku 8% në vendet më pak të zhvilluara. Me gjithë problematikat dhe sfidat e paraqitura në rajone të ndryshme të botës, të dhënat kanë një trend rritës të qëndrueshëm, gjë që ofron mundësi për rritje dhe zhvillim të mëtejshëm jo vetëm për sektorin e turizmit në vetvete por edhe për mundësinë që turizmi ofron në zhvillimin e sektorëve të tjerë ekonomikë si agrikultura, transporti, argëtimi etj., duke ofruar më shumë mundësi për zhvillim të infrastrukturës dhe punësim.

Parashikimi është që rritja vjetore të vazhdojë deri në vitin 2030 me 3.3%. OBT parashikon që në vitet e ardhshme rritja në ekonomitë më pak të zhvilluara të kalojë atë të ekonomive të zhvilluara. Europa mbetet kontinenti që pret më shumë turistë në mbarë botën; 51% apo 671 milionë me një rritje prej 8% ndërsa Rajoni i Europës Jugore dhe Mesdhetare është ndër dy rajonet në nivel botëror me rritje më të lartë se mesatarja (pret 20% të turistëve në nivel global) duke paraqitur një kërkesë të lartë për destinacionet e Mesdheut.

Në raportet e OBT (bazuar në raportimet e institucioneve shqiptare, kryesisht policisë së shtetit) vërehet qartë rritja e numrit të mbërritjeve ndërkombëtare (në vitin 2017 ishin 14% më shumë se një vit më parë, duke arritur në 4.643.000 turistë që sollën 1.929 milion dollarë në ekonominë shqiptare dhe duke kaluar edhe vendet fqinje të ngjashme si Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Sllovenia, Serbia etj). Sipas të dhënave të INSTAT në rubrikën e turizmit, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në vendin tone në shtatëmujorin e 2018 është gati 3 milionë, duke u rritur me 12,4 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017. Duke supozuar se pothuajse të gjithë këta individë janë turistë, shifrat janë premtuese. Turizmi ka qenë në qendër të vëmendjes së institucioneve deri në nivel ministrie gjë që është edhe një tregues i rëndësisë që duhet të ketë dhe ka në ekonominë shqiptare. Megjithëse i karakterizuar nga një rritje e shpejtë në 20 vitet e fundit krahasuar me situatën e mëparshme, vlerësohet se këto zhvillime nuk kanë qenë të qëndrueshme dhe ende nuk janë arritur pritshmëritë në këtë industri. Të dhënat nga institucionet paraqesin shifra të turistëve dhe të parave lidhur me to por nuk ka të dhëna rreth shërbimeve të ofruara apo përmirësimit të tyre të cilat ndikojnë pozitivisht te shifrat.

Pasuria natyrore nuk është e mjaftueshme për të patur turizëm të qëndrueshëm nëse nuk menaxhohen në mënyrën e duhur të gjithë elementët nëpër të cilët kalon një vizitor. Politikat dhe strategjitë nxitëse të zhvillimit të qëndrueshëm duhet të ndihen nga turistët e banorët vendas dhe jo të mbeten në letër. Duke patur turistë nga vende dhe me qëllime të ndryshme udhëtimi, kërkesat e tyre janë të ndryshme dhe duhet të trajtohen secili në mënyrën e duhur. Një pjesë e madhe e turistëve aktualë janë për herë të parë në Shqipëri. Duhet që ata të mbeten të kënaqur në mënyrë që të rikthehen dhe të sjellin turistë të tjerë duke folur pozitivisht dhe duke e rekomanduar Shqipërinë.

Operatorët turistikë (restorante, hoteleve, agjenci, transport, argëtim) janë zhvilluar ndjeshëm në dy dekadat e fundit krahasuar me pak hotele dhe restorante para viteve ‘90. Ata shprehen vazhdimisht për mungesën e strukturave akomoduese të mëdha, si resortet, që mund të ofrojnë shërbim për një numër të konsiderueshëm turistësh ndërkohë që pjesa më e madhe e atyre aktuale ofrojnë kapacitete të vogla (p.sh. 80% e hoteleve kanë deri në 20 dhoma). Ende mungon klasifikimi i strukturave akomoduese sipas standardeve që ato ofrojnë gjë që reflektohet në vendosjen e çmimeve duke e bërë turistin edhe më konfuz dhe duke ndikuar negativisht në perceptimin e tij dhe në krijimin e kënaqësisë nga eksperienca turistike. Investimet e sipërmarrësve shqiptarë kanë konsistuar kryesisht vetëm në ndërtimin e godinave dhe arredimin e tyre pa i kushtuar rëndësinë e duhur gjithë infrastrukturës turistike dhe sidomos studimit të klientit dhe shërbimit të përshtatshëm për të. Ndërkohë që, investimi dhe ofrimi i një ambienti të pastër dhe të sigurt, në pasjen e një infrastrukture të mirë për turizmin, në shërbime që krijojnë paketën dhe eksperiencën turistike dhe ofrojnë atë çfarë turisti kërkon tek to si cilësi e lartë dhe kënaqësi vazhdojnë të lenë për të dëshiruar.

Një faktor me ndikim të rëndësishëm është mungesa e theksuar e personelit të arsimuar dhe të trajnuar për këtë industri. Mangësi në formim paraqesin si punonjësit që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me klientët ashtu edhe pjesa tjetër e personelit. Duke qenë kryesisht biznese familjare, nuk është ndjekur një procedurë e përcaktuar dhe punonjësit në këto biznese nuk janë punësuar në bazë të formimit dhe aftësive të tyre. Kjo gjë është e lidhur edhe me aspektin e theksuar sezonal të turizmit në Shqipëri. Ndërkohë, burimet njerëzore janë një faktor tepër i rëndësishëm në zhvillimin e një biznesi (sidomos te shërbimet) dhe ofertën e tij, dhe e gjithë kjo mangësi reflektohet në mënyrë negative në tërë procesin e ofrimit të shërbimit duke u përkthyer shpesh në cilësi jo në nivelin e duhur, imazh jo të mirë dhe mungesë besimi dhe kënaqësie tek oferta turistike. Të dhënat tregojnë se individët e punësuar në industrinë e mikpritjes kanë mundësi për zhvillim të vazhdueshëm pasi në këtë industri kalohet lehtësisht nga një nivel në një tjetër më të lartë duke e bërë edhe më tërheqës punësimin në të. Megjithëse në Shqipëri ofrohen programe studimi dedikuar turizmit dhe mikpritjes nuk ka të dhëna nëse të punësuarit në këtë industri kanë një formim të tillë.

Në vijim të punës për të përgatitur njerëz me njohuri, aftësi dhe kompetenca në fusha specifike dhe që i shërbejnë tregut të punës, UET ofron programe studimi në industrinë e turizmit për të gjitha ciklet e studimit. Risia për këtë vit akademik në UET është ofrimi i Diplomave Profesionale dyvjeçare, në të cilat i kushtohet një vëmendje e veçantë përgatitjes së specialistëve në turizëm që do të shërbejnë në të gjithë hallkat e turizmit si hoteleri, bare, restorante, shërbime argëtimi, agjenci turistike etj. Gjithashtu, niveli Bachelor në departamentin e Menaxhimit dhe Marketingut ofron një profil dedikuar turizmit, Masteri Profesional me profil turizmin dhe ai shkencor synojnë të përgatisin specialistë e drejtues, që mund të shërbejnë në çdo nivel në organizatat në industrinë e turizmit dhe mikpritjes.

Në të tria nivelet e studimit, njohuritë transmetohen duke përdorur literaturë bashkëkohore nga shtëpitë botuese akademike më të rëndësishme në botë duke ofruar dije por sidomos duke krijuar aftësi dhe kompetenca të vlefshme për studentët. Krahas pedagogëve, shpesh të pranishëm në auditor janë specialistë që ofrojnë eksperiencat dhe zhvillimet më të fundit në treg. Prej vitesh tashmë UET ofron ciklin e tretë të studimeve, doktoraturë, për të gjithë individët që duan të studiojnë më në thellësi industrinë e mikpritjes, punonjësit në këtë industri por edhe ata që duan të bëhen pjesë e kësaj industrie dhe të kryejnë studime më të thelluara në të. Duke përgatitur profesionistë dhe duke zbatuar politika që nxisin punësimin e tyre në profilet përkatëse do të jetë e mundur zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit në Shqipëri dhe do të mund të përfitojnë që nga individi e deri te shteti.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Leksionet e harruara të krizës financiare globale

Nga Adam Tuz Shtatori dhe tetori i vitit 2008, përfaqësonin krizën më...
Read More