Përlotet Bujar Kapexhiu: Kur lexonim dhe rebeloheshim për teatrin me Vangjush Furxhinë

Aktori e pedagogu Vangjush Furxhi ka qenë sindikalisti i parë i Teatrit që ka kundërshtuar me forcë, dhe ka prirë protestën e famshme të artistëve në vitin 1999 në mbrojtje të Teatrit dhe kundër ligjit që e shkatërronte atë. Kujtesa për këtë aktor, sipas Kapexhiut shkon jo vetëm talentin, por edhe njeriun rebel, të paqtë dhe si kanë ndarë mes tyre përvojën e ’99-ës kur protesta e artistëve mori përmasa ndërkombëtare

Aktori e pedagogu Vangjush Furxhi ka qenë sindikalisti i parë i Teatrit që ka kundërshtuar me forcë, dhe ka prirë protestën e famshme të artistëve në vitin 1999 në mbrojtje të Teatrit dhe kundër ligjit që e shkatërronte atë. E njëjta histori përsëritet, dhe tani janë nxënësit e tij që mbajnë prej shkurtit protestën në oborrin e Teatrit Kombëtar, me të njëjtat kërkesa, për mosshembjen dhe moscenimin e truallit nga ndërtimi i kullave. Furxhi në atë kohë kishte përballë ministrin e Kulturës, ndërsa aktorët sot kanë përballë kryeministrin. Janë këto episode që kanë nisur të ndërtojnë mbrëmjet përkujtimore si shenjë proteste, për historinë e përsëritur. Dje, në mbrëmje dedikimi për Furxhinë ka ngjitur në skenë Bujar Kapexhiun, dhe publicistin Përparim Kabo. Kujtesa për këtë aktor, sipas Kapexhiut shkon jo vetëm talentin, por edhe njeriun rebel, të paqtë dhe si kanë ndarë mes tyre përvojën e ’99-ës kur protesta e artistëve mori përmasa ndërkombëtare. Kapexhiu i përlotur ka kujtuar: Në protestat e përditshme sot, nga aktorët dhe qytetarët, është ditë e shënuar pasi ky diskutim, ky takim, kjo protestë ka një emër të madh, emrin e një aktori të madh, të një miku të mrekullueshëm, e një pedagogu virtuoz, ka emrin Vangjush Furxhi.

Ka qenë nga shokët e mi të afërt. E kam njohur në ditët e para kur erdhëm në këtë shesh, në këtë godinë, e më pas në këtë skenë. Mbaj mend një impresion të veçantë, kur studentët janë në fillimet e tyre, në vitet e para, duken të gjithë njëlloj, sidomos në atë që quhet etyde. Mirëpo talenti i vërtetë i një studenti që vjen në teatër, është kur këmbët e tij shkelin skenën, kur fjala e tij i drejtohet sallës. Këtu duket talenti. Këtu më kujtohet Vangjushi që në ditët e para si student. Sidomos kur do vihej në skenë një shfaqje që ka qenë: “Dy zotërinj nga Verona”. I bëri një lojë brilante, ishte një aktor brilant dhe, të gjithë thonin se ky do të jetë një e ardhme e teatrit shqiptar. Shok i mirë, i urtë, sa dinamik aq edhe i qetë, sa dashamirës aq edhe i prerë. Nuk e diskutoj se sot ai do ishte midis jush, në vendin tim. Më duket se është këtu. Për të vazhduar luftën e tij, për të mbrojtur këtë teatër. Vite e vite të shkuara kur lexonim gjithë pasion një novelë të Cvajgut, në Vjenë ishte dhënë urdhër të prishej teatri. Revolta ishte e madhe, e jashtëzakonshme. Gjëja më e bukur ishte revolta e spektatorëve. Sapo mbaronte shfaqja të gjithë ngriheshin në këmbë, dhe qëndronin në heshtje për 10 minuta. Cvajg përmend Mosiun, Pirandelon… është e njëjta gjë, si edhe ne pikërisht këta përmendim. Duke nisur nga sot, më pëlqeu ideja e organizatorëve, do e quaja si dita e Vagjush Furxhiut, ku në çdo natë në vazhdimësi do jetë një aktor i madh, që nuk jeton më por, jeton në këtë shesh, në këtë teatër”.

Më pas është shfaqur një dokumentar për Vangjush Furxhinë, ku ndër të tjera, më i spikatur ka qenë kujtimi i aktores Rajmonda Bulku, në filmin “Të paftuarit”, ku shprehej se ishte ndërtuar mes tyre “një magji marrëdhënieje”. “Ndieja që gjithçka e thoshte me një magji që më tërhiqte jashtëzakonisht shumë. Në moment harroja se ishte profesori im. Tërheqje të tillë dhe tension ndaj partnerit nuk kam pasur asnjëherë”. Ndërsa mbrëmja e djeshme e protestës është mbyllur me këtë memorie, komentuesit e rrjetit social të lëvizjes Aleanca në Mbrojtje të Teatrit shkruanin: “Masivizoni protestën, mos e romantizoni. Mos u fikni si qiri, organizoni protesta në bulevard që njerëzit të bashkohen, rritni presionin”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A do të riformatohet politika shqiptare në shtator?

Nga Ervis Iljazaj Fitorja e vetme e Partisë Socialiste në 25 Qershor,...
Read More