Përmbyset historia e “Rrethimit të Shkodrës”: Luçia Nadin zbulon në Paris dorëshkrimin më të hershëm të Barletit

Studiuesja e njohur Luçia Nadin së bashku me historianin Aurel Plasari kanë prezantuar dje punën e përbashkët për zbulimin dhe interpretimin e dorëshkrimit të Marin Barletit të gjysmës së dytë të shek. XV: “Marini Barletii, Scodrensis Sacerdotis, jurisque pontificii Scholaris, ad Augustinum Barbadicum, Venetae aristocratiae Ducem, ejusque Senatum, de bello Scodrensi brevissimus libellus”, të gjetur në Bibliotekën Kombëtarë të Francës, por e prejardhur nga Biblioteka e famshme e mbretit francez, Mazarine. Së shpejti riprodhimi i këtij dorëshkrimi do të mbërrijë edhe në Bibliotekën Kombëtare, Tiranë

Përmbyset historia e “Rrethimit të Shkodrës”. Mjaft historianë dje kanë mërmëritur, duke u befasuar por ndoshta dhe dyshuar mbi zbulimin më të fundit që vjen nga Biblioteka Kombëtare e Parisit. Edhe këtë herë është studiuesja e njohur italiane Luçia Nadin, që në moshën 80-vjeçare, po bën pothuaj punën e një institucioni të tërë akademik duke prezantuar dje në Tiranë, për herë të parë një dorëshkrim të panjohur të Marin Barletit, autorit të “Historisë së Skënderbeut” dhe “Rrethimit të Shkodrës”. Së bashku me studiuesin Aurel Plasari kanë bërë të njohur një dorëshkrim, kodik të vitit 1500, që mendohet të jetë kopja më e hershme e librit “Rrethimi i Shkodrës”, të cilin Marin Barleti e ka botuar për herë të parë në Venedik, në vitin 1504.

Prezantimi i këtij libri u bë në Konferencën Ndërkombëtare Albanologjike kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes së tij. Në fjalën e saj, Nadin u ndal në kërkimin e saj duke thënë se: “Ishte një kërkim i gjatë, derisa ndesha në këtë libër. Unë kisha kërkuar botimet e Barletit dhe deri në këtë kohë kisha hasur të gjitha botimet që ishin nga viti 1504 deri në 1510-n nga Benettino Vitali. Gjetja e këtij dorëshkrimi është një dritare e panjohur. Ky dorëshkrim kërkon studime e analiza më të thelluara. Dorëshkrimi ka shënime të ndryshme, por duhet bërë analiza, nëse është dorëshkrim apo një libër më i hershëm i botuar. Aty vihen re disa të dhëna të ndryshme nga varianti i botuar i “Rrethimit të Shkodrës”. Për shembull vihet re se versioni i parë i botimit te paragrafi i “Rrethimit të Krujës” ka ndryshuar dhe vjen më i përpunuar. Ky version është interesant sepse sjell një përpunim të gjuhës dhe të dhënave. Teksti në çon edhe në krahasimin e veprës së Marin Barletit me atë të Marin Biçikemit. Por duhet pasur parasysh se këta autorë kanë një ndryshim të madh, ndërsa Barleti shkruan për historinë dhe ngjarjet e rëndësishme, Biçikemi shkruan më shumë për historinë e familjes dhe fisit të tij”, tha studiuesja italiane.

Për studiuesen Nadin kjo është një ngjarje e rrallë për kulturën tonë, pasi është një dorëshkrim i veçantë që përmbys disa të dhëna historike.

“Ky dorëshkrim na lë të kuptojmë se Barleti zotëron të dhëna që i përkasin fundit të 1400-s dhe kjo na lë të kuptojmë se ai ka shfrytëzuar në historiografinë e tij dokumente edhe më të hershme që i afrohen më tepër periudhës kur jetoi Skënderbeu”, tha Nadin.

Edhe studiuesi Aurel Plasari ka vlerësuar rëndësinë dhe diferencën e dy botimeve për të njëjtën ngjarje historike: “Varianti i botuar i “Rrethimi i Shkodrës” çmohet si vepra e parë e letërsisë historiografike shqiptare. Gjetja e një dorëshkrimi më të hershëm në Francë, që i ishte bërë dhuratë Kardrinalit Mazarini me origjinë italiane dhe mik i familjes së madhe Durrazo, çel siparin e kërkimit të shkrimeve më të hershme rreth historisë së Skënderbeut. Profesoresha italiane Lucia Nadin, është shumë e njohur në Shqipëri për kontributin e saj në fushën e kërkimeve historike mbi marrëdhëniet midis Republikës Venedikase dhe Shqipërisë”./V.Murati

 

Mbivendosja e historisë: Barleti përballë Beçikemit, Rrethimi i Shkodrës apo Panagjeriku, ja rivaliteti?!

Studiuesi Aurel Plasari ka folur më gjatë për rëndësinë e këtij dorëshkrimi, duke interpretuar rrethanat në raport me veprën e njohur deri tani, por që sipas studiuesit mbajnë dy histori të ndryshme. Duke kujtuar përballjen, rivalitetin që patën Barleti me Beçikemin, Plasari i shpjegon në këtë mënyrë kontekstet e mbivendosjes së historisë me zbulimin e dorëshkrimit: “Rëndësi paraqet ky dorëshkrim, qoftë dhe si skaj të fundit ka vitin 1500, pra në diferencë nga botimi i vitit 1504. Çfarë shkakton në studimin e historisë së asaj epoke, dhe në veprën e Barletit? Viti 1504 është vendosur, kontekstalizuar vepra e Barletit në rrethanat e paqes që bënte republika e Venedikut me Turqit, 30 maj 1503, dhe ratifikuar më 30 qershor 1503. Pra, është menduar, dhe autorët që kanë shkruar për këtë vepër e kanë vendosur në rrethanat e një paqeje. Fakti që dorëshkrimi na del maksimumi i 1500-ës, vite më përpara, na e ndryshon këtë të dhënë, ndaj duhet të bëjmë një rivendosje tjetër, që është çfarë ndodh në vitet 1499 dhe 1501 kur është shkruar në të vërtetë dora e parë e veprës së Barletit e “Rrethimi i Shkodrës”. Është e kundërta, nuk janë rrethanat e paqes por në Shqipëri ka ndodhur kryengritja e Lezhës, ka ndodhur zbritja në Arbëri e “Skënderbeut të ri” e ftuar nga arbri, subjekt që e ka përmendur në leksionin e tij edhe profesor Xhufi, me projektin e marrjes së Krujës dhe të Shkodrës. Pra, tashmë dy-tre shembuj çfarë ndryshon në kontekstin historik me zbulimin e dorëshkrimit të ri është edhe vendosja në rrethana krejt të tjera, pra jo të paqes por në rrethana të kundërta të kryengritjes që ka filluar në Arbëri. Këtë e ka përmendur edhe biografi i Barletit, Francesk Pali, i cili e vendos edhe ai në rrethanat e paqes por që shkruan më poshtë se mund të jetë shkruar edhe më përpara. Mendja igjenioze e Francesk Palit ka kuptuar edhe më përpara kur kishte shpërthyer kryengritje në Arbëri dhe signoria (Autoriteti politik suprem i republikës së Venedikut ishte një grup prej 10 të zgjedhurish, të cilët quheshin “Signoria”, shprehje që me kalimin e kohës filloi të simbolizonte qeverinë e Venedikut) dërgoi Skënderbeun. Ai e jep të përmbysur situatën, se nuk ishte një kryengritje e provokuar nga Signoria por kryengritja kishte filluar në Lezhë dhe kishin 2 vjet që arbërit që kërkonin me këmbëngulje që të vinte nipi i Skënderbeut që ishte Skënderbeu i Ri”.

Ndryshim tjetër me rëndësi që ndodh pas zbulimit të dorëshkrimit është marrëdhënia me Beçikemin. Duke e llogaritur marrëdhënien e botimit të Rrethimit të Shkodrës më 1504 me Panegjerikun e Beçikemit e vitit 1503. Është menduar gjithmonë që Barleti në një farë mënyre i kundërvihet Beçikemit. Madje ka edhe pjesë, apo pasazhe të marra nga Beçikemi. Është përdorur argumenti thjesht i dative ngaqë është e saktë që, Panegjeriku në fjalë, që lidhet me mbrojtjen e Shkodrës është saktësisht i botuar më 1503, ndaj 1504 e Barletit e ka bërë automatike këtë lloj marrëdhënie, e cila tashmë duhet të kthehet përmbys se nuk ka qenë Barleti që ka shkruar mbas Beçikemit dhe ka marrë Beçikemit, por duhet të ketë qenë një palë marrëdhënie krejt të tjera. Autorët që kanë bërë këtë shënim, kanë përmendur Palin. Në një farë mënyrë janë korrekt, kanë thënë tezën e tij, por do ishte mirë të kishin hyrë vetë në këtë ballafaqim, dhe ndoshta nuk do ishin nxituar të mbërrinin në këtë përfundim, i cili po të kisha përdorur shenjat grafike, tani do t’i vija një kryq, d.m.th. që bie poshtë. Teza e Palit është vërtetë e tillë, që flet se vepra e Beçikemit është botuar vetëm në vitin 1503 dhe Barleti i është përgjigjur Beçikemit, nuk ka qenë dakord me të, dhe është detyruar të vihet ai për të shkruar një vepër tjetër. Një lloj kundërvënie ndaj Beçikemit, çfarë tani me dorëshkrimin e gjetur të paktën vepra e 1501 bie poshtë.

Por, marrëdhënia e Beçikemit me Barleti, nganjëherë ka qenë edhe e ekzagjeruar në mënyrë të bukur dhe të besueshme. Edhe unë e kam besuar një tezë shumë interesante. Shikoni sa interesante është teza, e them pa ironi, ku te parathënia e Rrethimit të Shkodrës, prapë te Beçikemi, mundet që aludon ai, Barleti ndër të tjerë kur i thotë Dozhit, Lenardo Loredano: Kthjelltësia jote e ruajttë këtë vepër nga kafshimet e zemërkëqijve. Pra tregon se ka pasur armiq, rivalë Barleti.

Në të vërtetë ne kemi arritur në përfundimin se një nga arsyet për të cilat Barleti e shkroi Rrethimin e Shkodrës, fill e flak pas botimit gjer në korrik të vitit 1503 të Panegjerikut, ku Beçikemi bëri historikun e atij rrethimi, duke ia kushtuar veprën të njëjtit sundimtar të Venedikut ka qenë që të vinte në vend, çka Beçikemi kishte vlerësuar jo sa duhet meritën e masës së Shkodranëve dhe të shqiptarëve. Dhe Barleti me inatin që e pushtoi atëherë nuk ka përmendur asnjë Beçikem, midis të merituarve në rrethimin e famshëm. Barleti përbuzës, i ashpër, lavdidashës…” etj.. Teza pra është shumë interesante dhe tashmë bie poshtë se del Barleti e ka shkruar përpara Beçikemi. Tezën e kam pas pranuar edhe unë, kam shkruar për të me një farë rezerve, në një punim të botuar jashtë që them se rivalë ka pasur, që mundet të ketë qenë Beçikemi por kam rreshtuar edhe një numër autorësh të tjerë me të cilët mund të ketë qenë i detyruar të rivalizojnë Barletin. Të paktën, para dy vjetësh e kam shprehur dyshimin, që duhet të jemi të kujdesshëm me këtë rikonstruksion dhe nuk kemi të drejtë të përjashtojmë mundësinë që Barleti mund të shkruar tekste të tjera të botuara apo jo, përpara këtyre veprave. Dyshimi është hedhur, që përpara këtyre dy veprave Barleti mund të ketë shkruar tekste të tjera, që mund të dalin edhe përtej veprës që flasim tani. Me shprehjen latine librat kanë fatin e tyre, në këtë rast për specialistët e Bibliotekës së Francës ku ndodhet dorëshkrimi, prejardhja është nga biblioteka Mazaraine, që ishte kardinali i famshëm i mesit të shekullit XVI. Ai ishte koleksionist i sëmurë për piktura, dhe të dorëshkrimeve, ishte organizator i një gjahu, që e niste për Itali në Gjermani në gjithë vendet e Europës për të kapur dorëshkrime, vepra etj., dhe për t’i bërë pronë të bibliotekës së vet. Në kohën kur ndodhej në Romë kishte 5 mijë burime, Biblioteka e tij kur u vendos në Paris, në 1640, përbën 14 mijë vëllime, një pjesë e tyre sot ndodhen në Bibliotekën Nacionale të Francës, dhe kam shënuar se ky dorëshkrim do riprodhohet së afërmi për Bibliotekën tonë Kombëtare në Tiranë.

Verifikimi i prejardhjeve bëhej nga stemat, lidhjet e librave. Librat botoheshin në fashikuj, të lidhur me spango, që ishin për pasunikët, kontët mbretërit, dhe secili i lidhte me ngjyrën dhe sipas dëshirës, dhe stemën që donte ai. Stema ishte si vula e sotme, madje më e sigurt, se ajo e Bibliotekave të sotme që mund të falsifikohet.

Kërkimi im, botimi lidhje, dhe stema është e Luigjit XV, kur në të vërtetë Mazaraini i shërbeu Luigjit XIV, XII etj., është një shteg për t’u zbuluar, që së bashku do ta sqarojmë me profesoreshën Nadin se si mund të ketë përfunduar dorëshkrimi nga Biblioteka e Mbretit në bibliotekën e Mazarainit?! Ky i fundit ishte super i fuqishëm që një gjë që e donte, e merrte, donte ta bënte e bënte, dhe kam zgjedhur si një qerasje të vogël një nga thëniet e famshme të kryeministrit Mazarain: Kombi francez është më i çmenduri i botës, bërtasin e këndojnë kundër meje dhe më lënë të bëj timen. Unë i lë të bërtasin e të këndojnë, ndërsa bëj çfarë dua vetë. Do të jetë një shteg që do ta kemi të vështirë, që do na shtyjë të kërkojmë më tej”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Nuk na shet, se e shesim ne”: Çfarë pritet nga dosja e Saimir Tahirit

Çështja e Saimir Tahirit është rikthyer në vëmendjen e opinionit publik këto...
Read More