Përplasja me biznesin nuk i shkon një partie të djathtë

Nga Ervis Iljazaj

Ashtu sikurse opozita e Edi Ramës dje, edhe opozita e Lulzim Bashës sot, ka ndërmarrë një qasje agresive kundër koncesioneve dhe biznesit të madh në përgjithësi. Me akuza dhe kërcënime për prishje kontratash e lidhje klienteliste me qeverinë, Lulzim Basha është duke krijuar një përplasje të panevojshme, dhe të dëmshme me biznesin dhe kapitalin shqiptar.

Aq më tepër që, një partie të djathtë nuk i ka aspak hije. E kundërta pritet nga një parti e tillë. Mbështetja ndaj biznesit dhe kapitalizmit duhet të jetë prioritet i saj.

Diskursi i eliminimit apo prishjes së kontratave koncesionare, është një diskurs absurd dhe i pavërtetë. Askush nuk mund të prishë dot një kontratë të lidhur nga dy palë në mënyrë të ligjshme.

Të njëjtën gjë premtonte dhe Edi Rama kur ishte në pushtet për koncesionet e dhëna nga qeveria Berisha, por asgjë nuk ndodhi në këtë drejtim. Për një arsye shume të thjeshtë, ka një kosto financiare të madhe nëse ato janë lidhur sipas ligjit. Dhe të vetmin moral që njeh një kontratë, është morali i ligjit.

Kështu që, i gjithë diskursi që po krijon Partia Demokratike për biznesin, është një qasje kundër interesi publik, interesit të saj, kundër ideologjisë dhe betejës politike që duhet të zhvillojë pro tij, dhe jo kundra tij.

Me sa duket, çdo opozitë është e majtë dhe çdo mazhorancë është e djathtë, pavarësisht ideologjisë së saj. Kjo është lehtësisht e shpjegueshme. Të flasësh kundër biznesit, ta kritikosh atë, ta quash atë si e keqja më e madhe e Shqipërisë, padyshim që ngjall emocione popullore të shtresave të mesme dhe të varfra. Emocione për të cilat një parti politike ka nevojë për të fituar popullaritet. Mirëpo, e gjitha kjo retorikë është një retorikë kundër interesit publik dhe zhvillimit të Shqipërisë.

Në ka një gjë nga e cila vuan ende Shqipëria sot, është pikërisht mungesa e vendosjes së kapitalizmit, kundrejt etatizmit që mbizotëron kudo, në mendësi, në politikë dhe shoqëri.

Në fakt, kjo është detyra e një partie të djathtë. Të orientojë diskursin e saj drejt lirisë ekonomike dhe kapitalizmit. Në këtë rast, jo vetëm për arsye ideologjike, por edhe për interesa praktikë dhe elektorale të saj. E vetmja mënyrë që ka Partia Demokratike sot për të ardhur në pushtet, është nëpërmjet alternativave të zhvillimit. Dhe, zhvillimi i Shqipërisë vjen vetëm nëpërmjet mbështetjes së biznesit dhe vendosjes së kapitalizmit. Në të kundërt, PD, është e detyruar të garojë në një fushë, atë të komunikimit emotiv, që për hir të së vërtetës, kjo mazhorancë e njeh më mirë se sa Partia Demokratike.

Për këto arsye, Partia Demokratike duhet të ketë më të qartë diskursin e saj publik. Në këto momente duket një diskurs kaotik, me premtime të cilat janë kontradiktore me njëra-tjetrën. Në këtë mënyrë profili saj ideologjik nuk është aspak i besueshëm. PD, duhet të kthehet në mënyrë të menjëhershme te vlerat e një partie të djathtë europiane, të cilat bazohen te liria, individi, konkurrencat dhe ekonomia e tregut. Shpeshherë diskursi i saj ngatërrohet me majtizma dhe premtime sociale që do i kishte zili dhe çdo parti socialiste në Europë.

Ajo që pret biznesi shqiptar nga një parti e djathtë siç është Partia Demokratike, nuk janë sulmet e vazhdueshme emotive dhe morale, por zgjidhje strukturore për të patur një ekonomi tregu të sigurt dhe afatgjatë. Vetëm kështu, mund të konkurrojë denjësisht me mazhorancën aktuale në qeveri.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Botimi i UET-Press/ ‘Biseda me Ramiz Alinë dhe “porosia” për Shtrausin’

Nga Shpëtim Çaushi Ai ishte dhe mbetet një nga librat që trajton...
Read More