Përse askush nuk e merr seriozisht reformën zgjedhore, një nga kushtet për negociatat?

Nga Ervis Iljazaj

Reforma zgjedhore, e cila nënkupton një ligj që është i aftë të garantojë të drejtën e votës, të evitojë manipulimin e zgjedhjeve, apo të realizojë një përfaqësim të drejtë demokratik, edhe kësaj herë ka qenë një nga kushtet kryesore për Shqipërinë për avancimin e procesit të integrimit.

Është e çuditshme që deri më tani politika shqiptare e ka lënë pas dore këtë ligj kaq të rëndësishëm, dhe, me shumë mundësi, kjo do të ndodhë në momentin e fundit si çdo legjislaturë e kaluar.

Në fakt, në çdo raport apo vendim që vjen nga institucionet e BE-së, reforma zgjedhore përmendet si një nga standardet që Shqipëria duhet të plotësojë. Ndërkohë, askush nuk flet për të nga palët politike. Kjo bën habi sidomos në kampin opozitar, pasi Partia Demokratike, dhe Lulzim Basha e ka patur kalë betejë të drejtën e votës, dhe në kohët e fundit këtë betejë e ka lënë në plan të dytë.

Kjo për arsye edhe të ngjarjeve të fundit që kanë ndezur klimën politike në vend. Ditët e fundit, të paktën nga institucionet ndërkombëtare, kjo çështje është kthyer në vëmendje të politikës shqiptare, si një aspekt shumë i rëndësishëm i realizmit të disa standardeve, të cila ndihmojnë vendin në procesin e integrimit.

Megjithatë, reforma zgjedhore, përtej çdo standardi ndërkombëtar që mund të realizojë, ka një rëndësi thelbësore për vetë opozitën shqiptare dhe aksionin e saj opozitar. Nuk kuptohet se përse opozita e ka lënë jashtë agjendës së saj një ligj kaq të rëndësishëm.

Është në të mirë të vendit dhe vetë Partisë Demokratike ta rimarrë sa më shpejt agjendën e ndryshimit zgjedhor, për arsye strategjike të Partisë Demokratike, por edhe të vazhdimit deri në fund të betejës personale të Lulzim Bashës, atë të ndryshimit të sistemit politik, që prej shumë kohësh ka qenë kali i betejës së tij.

Sepse, një nga aspektet kryesore të retorikës politike të Bashës, ka qenë pikërisht ruajtja e votës së shqiptarëve dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në këtë kuptim, Basha duhet të dalë me propozime konkrete dhe t’i fusë ato në agjendën parlamentare. Sistemi zgjedhor jo vetëm që do ta ndihmojë për të ndërtuar strategjinë politike, por do të siguronte dhe një nga betejat e tij më të mëdha politike, të paktën kështu na ka lënë të kuptojmë deri më tani.

Ky është momenti i duhur për të siguruar një sistem zgjedhor që të mundësojë përfaqësimin politik, dhe të gjitha instrumentet e duhura për të evituar sa më shumë manipulimin e votës.

Shqipëria është nga të paktat vende në botë, që ligjin zgjedhor, e aprovon pak para zhvillimit të zgjedhjeve, si pasojë e interesave të ngushta politike, duke iu imponuar, ndonjëherë edhe në mënyrë të fshehtë dhe jotransparente, çdo faktori tjetër shoqëror dhe politik.

Ndërkohë që, ligji zgjedhor, është ligji më i rëndësishëm i një regjimi demokratik, dhe kërkon diskutime të hapura dhe mendim nga aktorë dhe faktorë të kësaj fushe, ashtu sikurse ndodh normalisht në vendet demokratike. Sepse jo vetëm që është instrument i demokracisë direkte, por është edhe ligji nga i cili varen shumë raporte të tjera institucionale, sidomos ato midis qeverisë dhe parlamentit.

Në fakt, në fillim të kësaj legjislature, Partia Demokratike thirri një komision për reformën zgjedhore, por më pas për shkak të ngjarjeve politike ajo kaloi në plan të dytë, iniciativë e cila përbënte një risi për politikën shqiptare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ta modernizojmë Himarën pa nacionalizma dhe pa ksenofobi

Nga Ervis Iljazaj Plani i zhvillimit urban në qytetin e Himarës, që...
Read More