Përse disa deputetë i njohim vetëm në raste të tilla!?

Nga Ervis Iljazaj

Në historinë e Xhisielës, përtej çdo dhimbjeje që të jep kjo histori, për të cilat është folur dhe stërfolur pa fund në ditët e fundit, ka edhe një fenomen tjetër po aq të dhimbshëm që askush deri më tani nuk e ka përmendur, duke qenë se e gjithë vëmendja është e fokusuar te drama e një vajze e konsumuar live.

“Falë” këtyre rasteve, fatkeqësisht jemi duke u njohur edhe me përfaqësuesit e parlamentit shqiptar. Ka një koincidencë të frikshme midis ngjarjeve të tilla të lidhura me abuzim, korrupsion e fenomene të ngjashme, dhe emrave të deputetëve që nuk i kemi dëgjuar kurrë më parë. E megjithatë, ata vazhdojnë të jenë përfaqësues të popullit shqiptar, të paguhen nga paratë tona e të kenë të gjitha privilegjet që të jep posti i deputetit të Shqipërisë.

Sa herë që ka një ngjarje të tilla ku flitet për abuzime me pushtetin, deputetë që me ndikimin e tyre ushtrojnë influencë për interesa personalë, shqiptarët kanë edhe mundësinë të njohin pjesëtarët e parlamentit, që në të kundërtën, nuk do kishin shansin t’i dëgjonin më parë. Edhe për rastin në fjalë, emri i deputetit, djali i të cilit është përfshirë në këtë histori, është një emër që shqiptarët e njohën për shkak të një historie që është në të njëjtën kohë e trishtë dhe komike.

Ky është një tipar i një pjese të mirë të deputetëve shqiptarë, të cilët janë aty, jo për shkak të meritave intelektuale, kulturore apo politike, por për merita të një kontrolli territori me çdo mjet. Vetëm e vetëm për disa vota më shumë, apo për një mandat më tepër. S’ka rëndësi se si merret ai mandat, s’ka rëndësi se për çfarë përdoret ai. E rëndësishme në këtë rast për forcat politike është që të sigurojnë një karton më shumë.

Ky fenomen, është kthyer në plagën më të madhe të Parlamentit dhe demokracisë shqiptare.

Deputetë që nuk artikulojnë një ide, që nuk shprehin një opinion apo të bëjnë një referatë në parlament për hir të postit që mbajnë, por, që funksioni kryesor i tyre është heshtja dhe puna në terren. A thua se përfaqësimi është një misioni që kryhet në heshtje të plotë.

Dikush mund të thotë se, të tillë deputetë punojnë mirë me komunitetin, i ndihmojnë ata, e të tjera merita si këto. Mirëpo, ngatërrojnë përfaqësimin politik me klientelizmin politik, të cilat janë fenomene totalisht të kundërta.

Deputeti që kontrollon territorin me çdo mjet, është kthyer tashmë në një tipologji të përfaqësimit politik shqiptar. Një tipologji nga e cila nuk po arrijmë do të shpëtojmë. Pa paragjykuar deputetin në fjalë, është një fenomen i trishtë dhe mjaft domethënës, që deputetë të tillë i njohim sa herë që ka një histori si ajo e Xhisielës.

Mbase nga sistemi zgjedhor, apo nga zgjedhja direkte e kryetarëve të partisë, fakti është se, tipologjia e deputetëve që askush nuk i njeh, është një fenomen i cili po sëmur plotësisht Parlamentin e Shqipërisë. Në këtë kuptim, historia e Xhisielës, përtej dramës së saj personale duhet të na bëjë të reflektojmë edhe për një fenomen të shëmtuar të përfaqësimit politik shqiptar.

Prandaj, koincidenca të tilla, të deputetëve që asnjëherë nuk ua kemi dëgjuar emrin, përveçse rasteve ku ka një histori si kjo, është tërësisht përgjegjësi e liderëve politikë shqiptarë dhe sistemit klientelist politik të cilin e kanë ndërtuar dhe rrënjosur në shoqërinë shqiptare.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

UET mbledh senatin e ri akademik: Miratohet strategjia e kërkimit shkencor për tri vitet e ardhshme

Universiteti Europian i Tiranës ka mbledhur senatin e ri akademik, një organizëm...
Read More