Po ikën apo po e përzënë BE-në nga Ballkani Perëndimor?

Nga Ervis Iljazaj

Rezultati i referendumit në Maqedoni mund të lexohet në dy këndvështrime.

E para, popullsia shqiptare tashmë nuk ka asnjë dyshim për perspektivën e saj euroatlantike, duke qenë se doli masivisht në votime dhe votoi pro marrëveshjes së emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë. Në fakt, perspektiva e shqiptarëve pro perëndimit demonstrohet jo vetëm në Maqedoni, por kudo që jetojnë shqiptarët e Ballkanit, dhe, për këtë nuk ka më asnjë dyshim.

E dyta, pjesëmarrja e ulët në referendum, e cila mund të fusë në krizë legjitimitetin e marrëveshjes, dhe si pasojë politikën atje, që nënkupton anëtarësimin në NATO dhe BE të Maqedonisë, është një goditje e fortë që i është dhënë Perëndimit, sidomos një goditje kundër Bashkimit Europian.

E gjithë marrëveshja midis Greqisë dhe Maqedonisë për emrin, ishte një marrëveshje e sponsorizuar dhe e mbështetur fort nga Bashkimi Europian, si një kusht i domosdoshëm për ecurinë në procesin e integrimit të saj.

Në këtë kuptim, nuk është e ekzagjeruar të thuash se Bashkimi Europian në këtë rast dështoi. Linja antieuropiane ishte më e shumtë në numër, ose më së paku, nuk kishte një mbështetje të qartë dhe të sigurt pro saj.

Ky nuk është rasti i vetëm që Bashkimi Europian ka dështuar në procesin e Integrimit të Ballkanit Perëndimor. Është e qartë tashmë se, projekti i Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor është në vështirësi. Gjithmonë e më shumë ndihet ndikimi në rënie e politikave të BE-së në Ballkanin Perëndimor kundrejt ndikimit të madh që po marrin fuqitë të tjera.

Pyetja që duhet të ngrihet në këtë rast është: Bashkimi Europian po e braktis Ballkanin Perëndimor apo po e detyrojnë të dështojë?

Në fakt, Ballkani Perëndimor është një nga sfidat më të vështira të Bashkimit Europian. Në këtë aspekt përpjekjet nga ana e BE nuk kanë munguar. Mirëpo, deri më tani duket qartë që këto përpjekje nuk ka dhënë rezultatin e duhur. Vendet e Ballkanit Perëndimor sigurisht që kanë shumë probleme, por, situata që paraqitet vetë brenda BE-së nuk është nga më të mirat. Janë të njohura të gjitha vështirësitë që po has sot Bashkimi Europian, për shkak të frymës euroskeptike dhe linjës të moszgjerimit të mëtejshëm. Në këtë kuptim, Ballkani Perëndimor, në kohët e fundit, duket sikur nuk përbën më një prioritet për Europën, me gjithë përpjekjet e vazhdueshme dhe “derës së hapur” që theksohet shpesh nga institucionet e BE-së.

Ky është vetëm një aspekt për sa iu përket marrëdhënieve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Ka dhe një aspekt tjetër, i cili tregon ndikimit e ulët të BE-së dhe politikave të saj, ne favor të rritje gjithmonë e më të madhe të fuqive të tjera. Duket sikur, fuqi e Bashkimit Europian dhe Gjermanisë, është gjithmonë e më e ulët për të zgjidhur problematika e shumta që ka ky rajon.

Të gjitha marrëveshjet të projektuar nga Gjermania në vitet e fundit janë pothuajse duke dështuar të gjitha. Në këtë kuptim, influenca europiane është gjithmonë e në vështirësi në Ballkanin Perëndimor. Ndoshta edhe për faktin se, ka një politikë të jashtme të ndryshme të SHBA në këtë rajon. Një politikë e cila, shpesh nuk është në përputhje me atë të Gjermanisë dhe BE-së në përgjithësi.

Kjo vështirësi e BE-së me Ballkanin Perëndimor nuk është vetëm në aspektin politik, por edhe në atë ekonomik. Në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të Ballkanit, ka gjithmonë e më pak kompani dhe investime europiane, duke iu lënë terren kompanive të fuqive të tjera. Shenjë kjo, që tregon më së mirë vështirësinë e marrëdhënieve që ekziston sot midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Universitetet publike: Nuk ka internet, por blihet një makinë 76 milionë lekë

Zëri i Amerikës ka publikuar raportin e kryer për shpenzimet në Universitetet...
Read More