Prapaskenat, pakësohen skeptikët, mediat gjermane: Rama merr refugjatët dhe negociatat 

Gjermania “ikën” nga lista e skeptikëve. DW shkruan se Merkel do hapë dritë jeshile në këmbim të pranimit të refugjatëve. “Përse Shqipëria? Sepse është në Mesdhe dhe emigrantët do shkarkohen në portin e Durrësit. Në këtë mënyrë palët kënaqen të gjitha, edhe BE, edhe Berlini, edhe Shqipëria. Gjithsesi fati i negociatave mbetet në pikëpyetje. “Rezistenca” franceze vijon, ndërsa De Telegraaf njofton gjithashtu se Holanda do bllokojë negociatat me Shqipërinë.

Afrimi i 28 qershorit, datës kur vendoset për nisjen ose jo të negociatave për pranimin e Shqipërisë në BE i ka shtuar tensionet dhe reagimet si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Por tashmë që marrja e përgjigjes është çështje ditësh në tryezë është shtuar edhe një çështje tjetër, pranimi ose jo i emigrantëve nga vendet arabe në Shqipëri. Mediat gjermane e kanë trajtuar këtë si një monedhë në shkëmbim të negociatave. Madje Deutsche Welle shkon deri atje sa shkruan se Edi Rama po e shpëton kancelaren Merkel nga rrëzimi. Gjithsesi, hapja e negociatave, që brenda vendit është kthyer në një mundësi akuzash të ndërsjella politike, ende nuk është e sigurt. Nga dy vendet e tjera skeptike, Franca e Holanda sinjalet që vijnë nuk janë pozitive.

DW: Negociatat në këmbim të emigrantëve

Tashmë duket se ka pak dyshime. Transmetuesi publik gjerman, Deutsche Welle shkruan se qeveria shqiptare mund të shpëtojë kancelaren gjermane Angela Merkel nga rrëzimi. Fati i saj është në fije të perit për shkak se aleatët e kërcënojnë për çështjen e azilantëve. Zgjidhja do i vijë nga Shqipëria e vogël, e cila do pranojë të marrë refugjatët që vijnë nga Afrika e Jugut dhe Lindja e Mesme. DW shkruan se Shqipëria e ka provuar veten se mund të mbajë qindra e mijëra refugjatë si në rastin e luftës së Kosovës. Si shpërblim, përveç ndihmës financiare, Shqipëria merr dhe hapjen e negociatave pasi CDU e Merkel ka rezerva për qeverinë e Edi Ramës. Por përse Shqipëria? Sepse është në Mesdhe dhe emigrantët do shkarkohen në portin e Durrësit. Në këtë mënyrë palët kënaqen të gjitha, shkruan DW, edhe BE, edhe Berlini, edhe Shqipëria. DW citon një shprehje ballkanike: Ujku është i ngopur dhe delja është e paprekur.

Rezistenca franceze

Gazeta austriake “Der Standard” i ka kushtuar një artikull çeljes së negociatave të Shqipërisë me BE-në. “Rezistenca franceze kundër fillimit të bisedimeve me BE-në” është titulli i Der Standard, ku thotë se pavarësisht se ka vlerësime për Reformën në Drejtësi në Shqipëri, në Paris ka ende rezistencë. Madje, thotë Der Standard diplomatët e BE-së në Berlin e konsiderojnë Reformën në Drejtësi si një model për vendet kandidate për në BE. “Deri tani nuk kishte një reformë të tillë të plotë në asnjë nga shtetet e Europës Juglindore”, shkruan media austriake duke theksuar se për herë të parë shqiptarët shpresojnë se korrupsioni mund të luftohet seriozisht, duke vijuar “se opozita po përpiqet të minojë reformën në drejtësi”. Der Standard shkruan se ka rezistencë mes shteteve të BE kundër nisjes së bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë dhe kjo kryesisht vjen nga Franca, por dhe Danimarka dhe Holanda. “Ndonëse këta të fundit kanë gjasa “të kthejnë” kur të gjithë të tjerët po tërhiqen, është ende e mundur që Parisi të votojë kundër shqyrtimit të kapitujve të parë të BE për Shqipërinë në samitin e 28 dhe 29 qershorit”, thotë media austriake. Ndërsa në Berlin thotë Der Standard, dhe pse në CDU dhe CSU ka deputetë që janë kundër, fjala e fundit i takon Merkel, dhe ajo është në favor të hapjes së negociatave.

Megjithatë ekspertët e sigurisë në BE janë ende të shqetësuar për trafikun e drogës, dhe jo për prodhimin e kanabisit në Shqipëri, siç ishte vitin e kaluar, por për kontrabandën e kokainës në Europë.

De Telegraaf: Holanda do bllokojë negociatat

Holanda do të bllokojë hapjen e negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin në BE, ky është lajmi që vjen nga agjencia e lajmeve holandeze “De Telegraaf”, që raporton se ky është edhe mesazhi që shumica e Dhomës së Përfaqësuesve do të përçojë përmes qeverisë në mbledhjen e radhës së ministrave të Jashtëm të BE. “Kemi një shqetësim serioz për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri”, ka deklaruar ministri i Jashtëm, Stephanus Abraham Blok, por sërish Holanda nuk ia ka mbyllur dyert Shqipërisë, raporton “De Telegraaf”, e cila shton se kjo është edhe arsyeja se përse partitë VVD, CDA, CU, PVV, SP dhe 50Plus po mbledhin votat për t’ia ndaluar qeverisë që të pranojë hapjen e negociatave me vendin tonë. Deputeti i CDA, Van Helvert, raporton “De Telegraaf”, e pranon progresin në Shqipëri, por ecuria e dobët e Vettingut nuk është bindës për hapjen e negociatave. Sipas “De Telegraaf”, vetëm D66 dhe GroenLinks janë dakord për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Xhafaj në Gjermani

Ndërkohë ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ishte dje në Berlin, ku pati një takim të veçantë, nga homologu i tij, Horst Seehofer. Seehofer, në cilësinë e Ministrit të Brendshëm Federal, por edhe si President i Partisë CSU, deklaroi se “i ka dhënë dritën jeshile Kancelares Federale dhe Ministrisë së Jashtme për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Mësohet se gjatë takimit, të dy ministrat kanë diskutuar mbi çështjet aktuale, si: migracioni i paligjshëm, çështjet e menaxhimit dhe kontrollit të kufirit, si dhe atë të azilkërkuesve shqiptarë në Europë. Në njoftimin e Ministrisë së Brendshme thuhet se “Xhafaj njohu Ministrin Seehofer me arritjet dhe progresin që ka bërë Shqipëria në rrugën e integrimit evropian, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ministri Seehofer shprehu, veç të tjerash, interes në lidhje me reformën në drejtësi dhe procesin e Vetting-ut në Polici, duke përgëzuar për hapat që po hidhen në këtë drejtim, gjë që do të çojë në konsolidimin e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Ministri Xhafaj i prezantoi homologut të tij, një plan me 10 pika, i cili parashikon fushat e bashkëpunimit në nivel institucional dhe operacional”.

 

Negociatat, Basha: U vendos kundër; Balla: Merkel do të thotë “Po”

Hapja e negociatave ka qenë tema e debateve edhe në seancën e djeshme të Kuvendit. Me të njëjtin skenar, demokratët bllokuan foltoren, duke mos lejuar tjetërkënd përveç kryetarit të tyre. Mes ndërprerjeve të seancës, Lulzim Basha tha se i kishin ardhur lajme të këqija nga Gjermania për sa i përket negociatave, për të cilat nguli këmbë se është në dijeni edhe Kryeministri. “Është verdikti gjerman se Edi Rama nuk i ka bërë detyrat, se Shqipëria nuk i ka plotësuar kushtet për hapjen e negociatave. Shqipërisë nuk i vendosen vetëm kushte, por edhe një proces kontrolli që tregon pabesueshmërinë totale ndaj çdo raportimi të bërë deri më sot nga Edi Rama”, tha Basha. Edi Rama ishte në sallë gjatë të gjithë kohës, por bëri spektatorin. Përgjigjen në emër të mazhorancës ia dha numri dy i PS-së, Taulant Balla: “E vërteta e madhe është se Gjermania po e ndjek me vëmendje këtë proces, ka të njëjtin pozicion sikurse ka mbajtur edhe me Malin e Zi. CDU dhe Bundestagu gjerman mbështesin tërësisht hapjen e negociatave. Të jeni të sigurt se qeveria gjermane është promotorja e një mbështetjeje të madhe të Shqipërisë në samitin e 28 qershorit. Ti Lulzim u mundove të bëje gjithçka kundër hapjes së negociatave”. Për herë të parë, lideri i opozitës foli edhe për çështjen e refugjatëve sirianë, duke akuzuar Ramën se po e përdor atë si pazar me Europën: “Lutet që Shqipëria të bëhet kazani i plehrave i botës. Armët kimike, mbetjet, muxhahedinët dhe tani është vetofruar për 600 mijë sirianë. E bën me shpresën se do i harrojnë drogën dhe krimin”.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Te fëmijët: Si parandalohen sëmundjet infektive

Gjithmonë është mirë të mos i vaksinoni fëmijët kur kanë temperaturë, më...
Read More