Presioni publik: Si përfundoi në qeli Rexhep Rraja

Policia arrestoi dje në Rinas Rexhep Rrajën, djalin e deputetit socialist Rrahman Rraja për akuzën e “përndjekjes” ndaj 25-vjeçares Xhisiela Maloku. Raporti mjekoligjor që konfirmoi dhunën makabre deri në djegie me cigare dhe përgjimet ambientale në ballafaqimin me të dhunuarën fundosin 24-vjeçarin Rraja. Politika shpërthen me reagime, kundërreagime dhe akuza të rënda.

Nga Sebi Alla

Deri pak muaj më parë ishte një njeri anonim, por djali i deputetit socialist u kthye ndër më të njohurit në vend, pas denoncimit se kishte dhunuar, torturuar dhe përdhunuar 25-vjeçaren jetime Xhisiela Maloku. Më në fund dje Policia e Krujës në bashkëpunim me forcat operacionale të Drejtorisë së Policisë së Durrësit kanë vënë në pranga Rexhep Rrajën, 24 vjeç. Arrestimi i tij u krye në Rinas, ndërsa ishte në praninë e një tjetër personi pranë një kompanie që jepte makina me qira. Udhëtimi i “fundit” që Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja bëri ditën e djeshme ishte drejt komisariatit të Krujës. “Specialistët e Komisariatit të Policisë Krujë në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës bënë kapjen me qëllim ekzekutimin e Urdhrit të Prokurorisë Krujë mbi bazën e Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, nr.189 dt. 29.09.2018, e cila ka vendosur masën e sigurisë ‘Arrest me burg’ për shtetasin Rexhep Rraja 24 vjeç, banues në Krujë”-thuhet në njoftimin e zyrtar të policisë. Po sipas strukturave të rendit, “ai akuzohet për veprën penale ‘Përndjekja’ parashikuar në nenin 121/a të Kodit Penal”. Arrestimi me vendim gjykate i jep pak ose aspak shanse që 24-vjeçari pas tre ditësh të rifitojë sërish lirinë. Duket se prokuroria është bindur mbi përgjegjësinë e djalit të deputetit në kërcënimin, përndjekjen dhe dhunimin e ish të dashurës së tij. Rrjedha e hetimeve mori tjetër udhë kur nënkomisar Emiljano Nuhu, që tashmë ka kërkuar azil politik në një nga vendet e BE-së denoncoi publikisht rastin, duke u shprehur se ishte kërcënuar në zyrën e tij me armë për të mos arrestuar 24-vjeçarin nga xhaxhai i të dyshuarit në prani të deputetëve Rrahman Rraja, Taulant Balla dhe kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi.

Prova që fundosi Rrajën

E dhunuara Xhisiela Maloku edhe pse kishte denoncuar katër herë ish-të dashurin Rexhep Rraja në asnjë rast nuk ka vijuar procedimi për djalin e deputetit, pasi në të gjithë rastet dyshohet se Xhisiela është kërcënuar për të tërhequr denoncimin. Por rasti i 21 korrikut të këtij viti do merrte tjetër drejtim, kur çështja fillimisht u hetua nga Oficeri i Policisë Gjyqësore Gentian Çitozi dhe më pas nga kolegu i tij Emiljano Nuhu. Në mosbesim të plotë me strukturat e rendit në Fushë-Krujë, Xhisiela Maloku u paraqit në Drejtorinë e Policisë së Durrësit dhe kontaktoi me oficerë të SHKB-së dhe në fund u vendos që të kruhej një ekspertizë mjekoligjore për të vërtetuar pretendimet e 25-vjeçares. Raporti që doli nga ekspertiza ishte në kufijtë e makabritetit. Eksperti konfirmoi se Xhisiela Maloku kishte hematoma të shumta në të gjithë pjesët e trupit dhe njëkohësisht edhe djegie me cigare në kofshën e djathtë. Këto të dhëna mbërritën në prokurori më datë 26 korrik, por sërish u konsideruan “prova të pamjaftueshme” për të arrestuar djalin e deputetit. Gjithçka ndryshoi nga dëshmia e nënkomisar Emiljano Nuhut që trazoi gjithë opinionin publik me pretendimin se ndonëse vajza ishte dhunuar në mënyrë makabre ai nuk kishte mundur të arrestonte Rexhep Rrajën, pasi ishte kërcënuar me jetë në zyrën e tij në prani të dy deputetëve dhe një kryebashkiaku socialist. Përveç ekspertizës mjekoligjore, prokuroria ka siguruar edhe prova të tjera nga verifikimi i tabulateve telefonike, ku si provë janë disa mesazhe kërcënuese dhe biseda të gjata dhe shpeshta telefonike që dyshohet se ishin kërcënime të hapura ndaj 25-vjeçares Maloku. Gjithashtu, mësohet se ditët e fundit, pas shpërthimit të skandalit për Rrajan agjentët e kanë pasur nën vëzhgim, ndërsa burimet konfidenciale bëjnë të ditur se ka edhe përgjime ambientale që vërtetojnë se Rraja e ka shprehur hapur kërcënimin ndaj ish-të dashurës. Për pesë ditë pati reagime të forta nga opinioni publik duke ngritur pyetjen e madhe që nëse krimin do e kishte kryer një qytetar i zakonshëm (jo i biri i një deputeti), a do kishte vepruar drejtësia për ta arrestuar? Pikërisht trysnia, por edhe provat e shumta detyruan institucionin e akuzës që pas marrjes në pyetje të së dëmtuarës dhe të afërmve të saj të lëshojë urdhër-arrestin për 24-vjeçarin Rexhep Rraja.

Reagimet politike

Ndërsa Rexhep Rraja transportohej me pranga në duar nga Rinasi drejt Krujës, nuk humbi kohë kryeministri Edi Rama për të komentuar mbi arrestimin e tij. “Ndryshe nga ata që dje u bënë mburojë e të kërkuarve nga drejtësia duke i hapur luftë prokurorisë dhe sot po ridhunojnë vajzën për politikë, ne mbështesim drejtësinë e barabartë për të gjithë gjithmonë. Inkurajoj prokurorinë të mos ndalet deri në fund”, shkruan kreu i qeverisë në Twitter. I menjëhershëm ishte reagimi i Partisë Demokratike që arrestimin e Rrajës e konsideron një lëvizje të kryeministrit për të mbyllur skandalin e madh. “Arrestimi i djalit përdhunues të deputetit të PS është prova se gjithë vëmendja e Edi Ramës këto dy muaj dhe e Prokurorisë nën urdhrat e tij ka qenë për të mbrojtur përdhunuesin dhe zyrtarët e deputetët e tij, të përfshirë në krim. Arrestimi i djalit të pushtetarit erdhi vetëm pas bërjes publik të rastit nga nënkomisar Emiljano Nuhu, duke provuar vërtetësinë e dëshmisë së tij”-thuhet në reagim. Sipas PD-së, arrestimi i djalit të deputetit të Edi Ramës vetëm nën presionin e lartë publik, është i pamjaftueshëm dhe një truk për t’i vënë kapak një skandali më të madh politik: “përfshirjes direkte të disa prej pushtetarëve më të lartë të vendit në krimin e mbulimit të torturimit të vajzës nga djali i deputetit të Edi Ramës”, deklaron PD. Gjithashtu e konsideron një truk prangosjen e djalit të deputetit pasi për PD-në, bashkë me të, para drejtësisë duhet të ishte Rrahman Rraja, Taulant Balla dhe Artur Bushi, të pranishëm në kërcënimin me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut për të mbyllur çështjen. Nuk ka mbetur pa koment edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socislite Taulant Balla. “Ndalimi i djalit të deputetit na ndan qartë edhe njëherë nga ata që kemi përballë! Sepse jo vetëm nuk e pengojmë prokurorinë dhe as protestojmë kundër saj, po e mbështesim plotësisht. Drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj deri në fund dhe shpresoj shumë që edhe autorët dhe heroi i Babale Dyshit të marrin atë që u takon nga organi i akuzës”- shkruan Balla. Gjithashtu, qëndrim zyrtar për këtë çështje pati edhe Lëvizja Socialiste për Integrim. “LSI kërkon që prokuroria të largohet nga roli i shërbëtores me shërbim të qeverisë por të hetojë me themel dhe të çojë përpara drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në fshehjen dhe manipulimin shtetëror të ngjarjes qofshin këta kryeministra, deputetë, pjesëtarë të policisë, prokurorë etj.”-thuhet në qëndrimin e saj. Edhe pse arrestimi i djalit të deputetit u konsiderua si “barazi përpara ligjit” nga ana e kryeministrit, qëndrimet e mëpasshme e detyruan të reagonte dy herë në një kohë të shkurtër. “E kanë kapur vajzën si të ishte një dru për të shembur portën dhe vijojnë me yryshin e politikës së tyre të dëshpëruar. Asnjë fjalë mbështetjeje për prokurorinë. Përkundrazi, veç baltë pa asnjë fre tanimë. Edhe njëherë shqiptarët e bëjnë qartë dallimin”-reagoi sërish kryeministri. Arrestimi pas një kohe të gjatë, vetëm pasi skandali shpërtheu në publik vërtetoi se institucionet shtetërore, veçanërisht policia e Fushë-Krujës ka çeduar në veprimet e saj hetimore, ndonëse ishte para një rasti flagrant të dhunës, torturës dhe përdhunimit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

….e megjithatë, Xhafaj duhet të jepte dorëheqjen…

Nga Ervis Iljazaj Tashmë mund ta themi hapur. Fatmir Xhafajn e mban...
Read More