Prishja e ndërtimeve në Jalë tensionon politikën në Tiranë


PD, padi penale për kryeinspektorin Fatmir Meta. Basha-Ramës: Nëse iu prek një fije floku demokratëve, mban përgjegjësi me kokën tënde. I gjithë synimi është grabitja e pronës nga oligarkët e Edi Ramës. 

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit u përball me kundërshtimin e banorëve të tensionuar, gjatë aksionit për prishjen e 9 objekteve të ndërtuara pa leje në zonën e Jalës. Objektet janë kryesisht hotele një dhe dykatëshe, për të cilat banorët thonë se kishin ende pushues brenda në momentin e mbërritjes së inspektorëve. Ndërsa IKMT sqaron se për këto objekte është bërë procesi i skualifikimit nga ana e institucionit të ALUIZNI-t duke u trajtuar si ndërtim i paligjshëm ndërsa njoftimi është bërë sipas ligjit. Ndërkohë banorët shprehen se nuk janë njoftuar paraprakisht, madje thonë se objektet janë në pronën e tyre me ligjin 7501. “Kam dokumentet e pronës, të cilën e kemi me ligjin 7501. Ne jemi në pronën tonë dhe nuk jemi futur absolutisht asnjë metër brenda kufirit. E vetmja arsye që po na i prishin ndërtimet është se ata pretendojnë se në jemi futur brenda territorit të SHPU në Jalë, Shtëpia e Pushimit të Ushtarakëve. Ne e vërtetojmë që nuk është kështu me dokumente. Për këtë kemi bërë edhe ankimim në Gjykatën e Vlorës. Ne jemi në proces gjyqësor dhe e kemi ankimuar brenda afateve kohore. Sot kanë ardhur pa njoftim paraprak dhe pa një vendim”, shprehet një prej pronarëve të ndërtimeve që janë parashikuar të prishen në Jalë.

Përplasjet me deputetët e PD

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj publikoi një video në profilin e tij të “Facebook”, nga përplasje e policisë me banorët. Shehaj dhe deputetja tjetër e Vlorës Nada Mecorapja kanë ndjekur nga afër aksionin e IKMT-së. Deputeti demokrat është përfshirë në debate të ashpra me kryeinspektorin Fatmir Meta. Në video duket qartë përplasja mes deputetit dhe kryeinspektorit që kërcënon atë, duke u shprehur se do ta shikosh se kush jam unë. Fadromave e IKMT-së shoqëruar nga forca të shumta policie, pas kundërshtimeve të forta nga banorët dhe deputetët, kishin prishur deri në orët e pasdites vetëm një nga 9 objektet një e dykatëshe të planifikuara për t’u shembur.

Basha-Ramës: Mban përgjegjësi me kokën tënde

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagoi ashpër ndaj asaj që ai e quan dhunë policore ndaj banorëve në bregdetin e Jalit. Sipas Bashës, i gjithë synimi është grabitja e pronës nga oligarkët e Edi Ramës. Ai paralajmëroi padi ndaj kryeinspektorit të IKMT-së, Fatmir Metaj, që sipas Bashës, ka shoqëruar në vitin 1998, vrasësit e Azem Hajdarit duke qenë në krye të policisë së Tropojës. Basha pati një paralajmërim edhe për Ramën. Prania policore në Jalë ka një qëllim për të grabitur pronat e Jalës. Kjo ndërhyrje ka qenë e dhunshme dhe e paligjshme dhe me raste të rënda si arrestimi i të miturve. Dëshmitarët kanë deklaruar se toka do t’i kalojë në pronësi Ministrisë së Mbrojtjes për t’u dhënë më pas për miqtë e Edi Ramës. Ndërkohë që kompleksi i Alban Xhillarit, mirëbërësi dhe donatori i Edi Ramës që ka zaptuar gjithë bregdetin e Jalit nuk u prek fare. Policia dhe IKMT-ja janë sjell si banditë me banorët dhe deputetët e opozitës. PD do të depozitojë sot një kallëzim kriminal për Fatmir Metën. Drejtësia e ka shpëtuar një herë për vrasjen e Azem Hajdarit, ndërsa padronit Edi Ramës i jap këtë paralajmërim: një fije floku po ju prek përfaqësuesve të opozitës, përgjegjësinë do ta mbash ti dhe vetëm ti Edi Rama në kokën tënde”, deklaroi Basha.

Kush është Fatmir Meta

Reagimi i ashpër i Lulzim Bashës për ngjarjet në Jalë ka rikthyer në vëmendjen e publikut emrin e Fatmir Metës, i lakuar vazhdimisht për vrasjen e Azem Hajdarit. Basha tha se ai iu ka dhënë makinën e tij personave që e përdorën për vrasjen e ish-liderit të dhjetorit. “Në vendngjarje është ndodhur edhe makina e Fatmir Metës tip “Fuoristradë” me llambën, sinjalin e policisë. Me këtë makinë Jaho Mulosmani ka qarkulluar në Tiranë dy ditë para ngjarjes dhe atë ditë që u krye vrasja. Pas ngjarjes, Fatmiri nuk shkoi më në Tropojë dhe aktualisht është në dispozicion të Ministrisë së Rendit Publik”, thuhej në një dokument të publikuar para pak muajsh nga mediat, përgatitur nga SHISH. Vetë Meta tha se ai jo vetëm që nuk ka bashkëpunuar, por ka mbetur viktimë e kësaj historie. “Gjatë kohës që Haklaj dergjej në spitalin e burgut në kryeqytet, ndodhi një tjetër atentat, ku për fat të mirë ish-shefi i komisariatit të Tropojës në momentin që u vra Azem Hajdari, Fatmir Meta, mbeti i plagosur. Policia e Tiranës e drejtoi gishtin te Jaho Mulosmani. Motivi ishte fakti që Fatmir Meta raportoi te Ministri i Brendshëm Perikli Teta, se më 12 shtator Jaho ishte në Tiranë dhe kishte shumë mundësi që pikërisht ai ta kishte vrarë deputetin Hajdari. Ish-komisari Meta e deklaroi dhe në procesin “Hajdari”, se mbante në trup plumbat e vrasësve të deputetit demokrat”, shkruante gazetari Artan Hoxha para pesë vitesh. Meta u shpall i pafajshëm për çështjen ‘Hajdari’ dhe u lirua në sallën e gjyqit.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Viti 2017: Letërsia e çmimeve, po tregu?!

Viti 2017 mund të konsiderohet unik për nga larmia e çmimeve që...
Read More