‘Profecia’ e këngëtares: Detaje nga lidhja mes Elvana Gjatës dhe Ervin Matës

 

Përplasja e armatosur në Bllok nuk ishte një pritë. Armët thuhet se u shkrepën për ngacmimin e këngëtares Elvana Gjata. Ndërkohë, ndonëse të plagosur, policia arrestoi Ervis Martinin dhe Eljon Haton. Gjithashtu, në kërkim është shpallur i dashuri i këngëtares, Ervin Mata, si dhe dy persona të tjerë që e shoqëronin.

Paraditen e kësaj të premteje, policia dha një version zyrtar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Bllok. Sipas policisë, nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë Fabiol Gaxha, 28 vjeç dhe u plagosën Ervis Martini, 36 vjeç dhe Eljon Hato, 28 vjeç nga Shkodra.

Biznesmeni Ervin Mata është prej kohësh në një lidhje dashurie me këngëtaren e njohur Elvana Gjata. Policia dyshon se ngjarja mund të ketë ndodhur pas një sherri për ngacmimin e këngëtares, megjithatë, asgjë nuk është konfirmuar ende.

Në emrin e Ervin Matës në QKB figuron i regjistruar vetëm një biznes, i cili merret kryesisht me shitjen dhe servisin e kompjuterëve. Ky biznes është në proces falimenti dhe Ervin Mata figuron i vetmi aksioner aty. Gjithashtu, në QKB figurojnë edhe dy biznese fitimprurëse, por jo në emër të Ervin Matës. Bëhet fjalë për një hotel dhe një firmë konstruksioni që janë regjistruar në emër të babait të Ervin Matës, të fejuarit të Elvana Gjatës.

Këngëtarja Elvana Gjata ka qenë në një lidhje dashurie me Ervin Matën që prej vitit 2015, por pa e bërë asnjëherë publik këtë fakt. Në vitin 2017, këngëtarja pranoi në disa intervista për mediat se ishte fejuar me një biznesmen, por pa e zbuluar emrin e tij. Ajo thoshte se ndihej shumë mirë nën shoqërinë e tij dhe se ai i përgjigjej gjithnjë. Megjithatë, këngëtarja ka mbajtur profil të ulët për të fejuarin, duke mos bërë postime publike për të.

Disa muaj më parë, në një intervistë ekskluzive në “Xing me Ermalin”, Elvana Gjata ka pranuar publikisht se është në një lidhje dashurie. Por ajo nuk e ka treguar emrin e të dashurit të saj, biznesmenit Ervin Mata. Gjatë intervistës në shtëpinë e këngëtares, Ermali e ngacmoi paksa, duke i thënë: “Po mirë mi goc, vajte 62-vjeç edhe ngele gjithë jetën beqare”. “Mesa duket gjërat kanë ndryshuar”,iu përgjigj Elvana. “E ke parasysh kur ke një gjë të mirë dhe s’do që ta… ke frikë”, shtoi këngëtarja. “Unë mendoj që Zoti është treguar shumë i mirë me mua, më ka sjellë një fat shumë të mirë”, u shpreh Elvana, ndërsa Ermali e uroi: “Hajde në dasmë o Zot”.

Por a u tregua Zoti shumë i mirë me Elvanën?

“Ndoshta një bestytni e brendshme nuk e lejoi asnjëherë ta bënte publik prej më shumë se dy vjetësh të fejuarin e saj Ervin Matën. Ndoshta besonte vërtet ashtu siç pat deklaraur, se “po e përmende, prishet gjithçka”. Dhe fati e deshi që emri i të dyve së bashku të përmendej për herë të parë në sfondin e një masakre me vrasje dhe plagosje. Ajo tani thërritet si dëshmitare në prokurori, ndërsa Ervin Mata është shpallur në kërkim nga policia. Ndoshta sepse profecia e Elvanës mund të ketë qenë e vërtetë. Ndoshta sepse pas gjithë kësaj kohe të lumtur, Zoti ka ndryshuar mendje. Ose për një arsye disi më të thjeshtë, sepse jeta nuk të jep asnjëherë asgjë me tepri, sepse për çdo kompromis, paguhet një çmim,” shkruan Lapsi.al.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Tillerson lëshon mesazhin paralajmërues para largimit: Kujdes nga Rusia

  Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, i shkarkuar nga kjo detyrë, bëri...
Read More