PROFIL/ Sfidat jo vetëm politike të Grida Dumës

Nuk është e lehtë që të jesh femër në Shqipëri. Nuk është as e lehtë të jesh femër në politikë. Por Grida Duma ia del të bëhet protagoniste jo vetëm duke mbrojtur Xhisiela Malokun, por edhe me fjalimet e saj motivuese

Thonë se është e vështirë që të vendosësh veten në pozitën e tjetrit. Të ‘ecësh mbi këpucët’ e dikujt tjetër nuk është e lehtë. Megjithatë, Grida Duma, kur nis e flet për historinë e Xhisiela Malokut, i lexohet lehtë se mezi mban lotët. Teksa flet në TV, ajo e di se vuajtjet e Xhisielës janë vuajtjet e shumë femrave në Shqipëri. Si politikane ka provuar vuajtjet, fyerjet e shpifjet, por këto e kanë bërë më të fortë.

Grida Duma nuk është thjesht një deputete konservatore, por më shumë. Është përballur në një garë të vështirë elektorale dhe e di se çfarë do të thotë të bësh politikë në Shqipëri. Përballet çdo ditë me paragjykimet dhe spekulimet. E di se e sulmojnë jo vetëm pse është në opozitë, por edhe sepse të jesh femër e pashme mbetet një sfidë e vështirë.

Por pikërisht duke mbrojtur një viktimë të dhunës seksuale si Xhisiela Maloku, duke treguar empati për të, ajo bëhet protagonistja e javës. Jo vetëm kaq, por një fjalim i saj frymëzues bëhet viral në rrjet. Ajo u flet të rinjve dhe të rejave me një still alla-TED duke i motivuar.

“Nuk mjafton thjesht të bësh disa gjëra mirë, dhe “do gjesh” mirë; në realitetin tonë të shumtë janë njerëzit që shumë gjëra i bëjnë mirë, por nuk ia dalin mbanë në fund. S’mjafton të kesh rezultate të mira në kartona diplomash, s’mjafton as t’ia hedhësh fajin sistemit që funksionon keq, e pastaj të përfundosh vetë akoma më keq; suksesi, kur e arrin, është shumë më tepër se kaq”.

“Që t’ia dalësh mbanë sot nuk mjafton të ëndërrosh, as të bësh ca gjëra mirë; duhet të stërvitesh fort në mendje dhe në zakonet e përditshme. Zakone fare të vogla -nga ngrënia e mëngjesit, tek ecja në rrugë, te veshja e duhur, e më pas stërvitja e trurit si qendër force. Të stërvitësh zakonet, të stërvisësh forcën, të bëhesh i domosdoshëm; “mos të kenë çfarë të bëjnë pa ty”; kjo është çështja.

Duket disi e pabesueshme që edhe në më të keqin e sistemeve ti mund ta kontrollosh fatin tënd. Kjo mund të ndodhë vetëm nëse ti vendos t’ia nisësh sot, pa çuar kot asnjë minutë.

Suksesi nuk është fat -është teknikë; është bashkimi i disa gjërave që mund të stërviten brenda teje dhe më pas fitoren nuk e sheh më në dritare, por në pasqyrë.

Sistemet do të jenë gjithmonë të padrejta; të tjerët mund të duan të mos ia dalësh kurrë, aleati i vetëm është vetja jote – mos u dorëzo, mos e lër veten vetëm!”

Dhe kush më mirë mund të ndryshojë për mirë sistemin se politika? Ajo që e sulmojnë të gjithë, që e mosbesojnë të shumtit. Por Grida e ka një këshillë për të rinjtë: vetëm falë saj mund të bëjnë dallimin. A është e vështirë? Shumë, si vetë jeta…

 

BIO

Grida Duma ka lindur në Durrës.

Në vitin 1999 diplomohet në Filozofi dhe Sociologji. Merr pjesë në debatet e Ballkanit Perëndimor për çështje të mprehta të tranzicionit të vendeve postkomunistë ku edhe vlerësohet me çmime ndërkombëtare. Në 2004 merr gradën master në MBA, studime të kryera në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë në bashkëpunim me Universitetin e Nebraskës, SHBA. Në vitin 2006 merr titullin Doktor i Shkencave Ekonomike.

Eksperienca e saj si lektore prej 14 vitesh zhvillohet në fushat e Sociologjisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm. Gjatë përvojës akademike drejton Katedrën e Sociologjisë dhe merr pjesë në borde të rëndësishme ekspertizash të mbështetura nga institucionet ndërkombëtare si OSBE, Komisioni Europian etj.

Përpos publicistikës dhe botimeve shkencore është autore e studimit socio-politik “Dymbëdhjetë teza përtej 2013-ës” dhe “Fëmijëria menaxheriale”.

Nga tetori 2011 deri në shtator 2013 është Zëvendësministre e Integrimit të Republikës së Shqipërisë. Në 2014 votohet Sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike të Shqipërisë. Në 2017 zgjidhet deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe Zëdhënëse e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

EKSKLUZIVE/ Donald Lu: Politikanët nuk e duan Reformën në Drejtësi

Në intervistën për “Revistën Mapo” që shoqëron shpalljen e Donald Lu  “Njeriu...
Read More