Pronarja Anjezë dhe… unë

Elda SpahoNga Elda Spaho Bleta

Po shihja videon e Anjeza Shabanit dhe diçka tjetër nisi të më ngjethte po aq fort sa të qarat e fëmijës; Mendimi i hidhur se ne, ata që po postojmë pa fund videon dhe po shajmë  dhunuesen, do ta lemë me kaq edhe kësaj here. Mendimi se kjo është thjesht videoja e rradhës që tregon se si rrihen gra e fëmijë, si pa të keq në mes të ditës, në Shqipëri. Dhe se asgjë s’do ndryshojë. Mendimi i hidhur se ne, që nesër, do ndihemi sikur e bëmë pjesën tonë si qytetarë me një Like, Share dhe një koment të rreptë. Gënjeshtër e  bukur kjo e medias sociale. Dhe kaq. S’do shohim te vetja, s’do shohim te sistemi cope-copë i mbrotjes së fëmijëve. Jo. Edhe kësaj here e gjetëm ‘të keqin”, “armikun”.  Ia gjetëm fytyrën. Le ta kryqëzojmë dhe kaq!

Si sot një javë ne ishim duke shkruar e komentuar për një tjetër video; atë që tregonte një burrë që rrihte ish-bashkëshorten e tij, në sy të fëmijëve, në një rrugë të Vlorës. Jam e sigurt; atë ditë, Anjeza Shabani po rrihte me grushta po njëlloj në kopshtin e saj. E me siguri mallkonte burrin e Vlorës tek i gjuante gruas, ndërsa i hidhte një sy fotove të kopshtit të saj në Facebook. Me ç‘pamë, ajo e ka me merak të madh këtë rrjet shoqëror.  Dhe po; shumë nga ne që sot i jemi sulur asaj, po bëjmë të njëjtën gjë me ndonjë fëmijë diku. Por e bëjmë kaq ‘pa të keq”, “pasi duruam shumë të qarat”, “për të mirën e tij, ama pasi i fola disa herë”. Por po e bëjmë. Vetëm se nuk e kuptojmë. E kuptojmë vetëm kur e shohim të shpërvjelur së jashtmi, si veprim të tjetërkujt, të shfaqur në ndonjë video.

Ndershmërisht, ta analizojmë pak gjithë këtë! Ose fundja, le të marrim me mend të paktën skenën: sa herë kemi parë burra e gra të rritur në rrugë, shtëpi e kafene duke rrahur, tërhequr zvarrë, duke i hedhur tymin e cigares në fytyrë apo duke i plasur në dorë një smartfone një të mituri bashkë me fjalët “Na dhe mbylle tani gojën!” sa herë që ai e ngrinte pak zërin dhe kërkonte fort “të tijën”? Dhe kemi ecur më tutje duke menduar “Uh, ç‘kafshë kjo grua!” ose “Epo, e ka fëmijën e vet! Le t’i bëjë ç‘të dojë!”. Dhe as që i jemi afruar fare të voglit. Apo sa herë, kur fëmija ynë ka këmbëngulur në diçka, në vend që t’ia shpjegojmë sërish, me tonin e duhur (dhe ky nuk nënkupton as kërcënim dhe as llastim), ia kemi futur me një shuplakë? Sërish me mendimin “Epo, është fëmija im! Bëj ç’të dua me të! Sa më shumë t’ia zgjatësh, aq më keq! Në kohën time, s’ma zgjaste njeri kaq!”.

Tani, të mendojmë sikur e gjitha kjo do ishte xhiruar dhe do ta shihnim në video; Më e pakta, do shihnim një vete shumë të ngjashme me atë edukatoren që nuk ndërhynte ndërsa pronarja Anjezë godiste fëmijën. Madje, do shihnim një vete shumë të ngjashme me pronaren Anjezë. ..

Ecim pakëz më tutje. Se e gjithë kjo, në fund të fundit, ndodhi në një institucion arsimor privat. Pronarja Anjezë (që, meqë ra fjala gjendet ngado pasi kopshtet private pa licensë janë më të shpeshtë se furrat e bukës) nuk ka sesi të mos lulëzojë! Ajo mjafton të ketë disa para mënjanë, ndonjë hyrje me qera të leverdishme në vendin e duhur, një tabelë plot lule dhe ja; kopshti u hap! Gjithë të tjerat janë vogëlima; vogëlimë është që, të paktën edukatorja duhet të ketë arsimin dhe përvojën e duhur. Dashuria e natyrshme për fëmijët, pastaj, dhe aftësia po kaq e natyrshme për të nxitur shpirtin e tyre krijues, është një luks i tepruar. Sepse kush i kontrollon këto? Rëndësi ka tabela e bukur dhe nevoja e dëshpëruar e prindërve shqiptarë për t’i lënë të vegjlit diku, ndërsa punojnë. Rëndësi kanë fotot në Facebook! Dhe ajo, këtë të fundit, bashkë me tabelën e bukur, i kishte që ç‘ke me të!

Pronarja Anjezë lulëzon sepse në Shqipëri mund të hapësh një kopsht e  ta mbash hapur për vite me rradhë pa marrë mundimin e licensës! Shteti nuk të vjen madje, sado e hidhur të na duket, nuk të vjen as prindi. Të paktë janë ata që pyesin nëse kopshti ku po lënë një pjesë të madhe të rrogës, e mbi të gjitha, fëmijën e tyre, ka të paktën licensë. Ndoshta ngaqë e dimë nga përvoja që, edhe nëse ka një të tillë, të pakta janë kontrollet e sistemit publik që mbërrijnë me sukses në ato dyer. Dhe kryesisht për shkak të asaj që ne, me të drejtë, mendojmë për këtë sistem; nuk funksionon. Me siguri, kryesisht, edhe ngaqë ne nuk ushtrojmë asnjë fuqi si qytetarë për të kërkuar mbërritjen e këtyre sistemeve në atë kopsht. Madje, një mbërritje me sukses. Jo sa për të thënë.

Pra, pronarja Anjezë lulëzon për shkakun e secilit prej nesh, gra e burra të rritur… Na pëlqen apo jo.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Detajet e skandalit: Përdhunohen tre fëmijë të mitur në jetimore

Prokuroria urdhëroi arrestimin e ish-drejtoreshës së Jetimores Shkodër, Albana Llazani dhe të...
Read More