Propozimi i Bashës për vettingun ka nevojë për mbështetjen e BE dhe SHBA

Nga Ervis Iljazaj

Propozimi i ardhur nga Partia Demokratike për vettingun në politikë, është një propozim i duhur, i drejtë dhe i natyrshëm për t’i dhënë fund njëherë e mirë një prej problemeve më të mëdha të tranzicionit shqiptar, atë të korrupsionit politik.

Në të kundërtën, e gjithë sforcoja e madhe politike, shoqërore, por edhe ekonomike, që i ka kushtuar Shqipërisë Reforma në Drejtësi, nuk do të kishte asnjë kuptim nëse fryma e saj nuk do të na çonte drejt vettingut në politikë.

Mirëpo pyetja që ngrihet në këtë rast është se, a mundet politika shqiptare të aprovojë një ligj me kartonat e saj për aprovuar vettingun në politikë, duke ditur të gjitha problemet që ajo ka me ligjin?

Nëse do të ishte kaq kollaj, dhe politika shqiptare do të kishte vullnet për bërë pastërtinë e figurave të saj, atëherë, reformat në drejtësi nuk do të zvarriteshin ashtu sikurse ka ndodhur deri më tani. Të gjithë e dimë historinë e Reformës në Drejtësi. Aprovimi i saj erdhi si pasojë e imponimit të aleatëve tanë ndërkombëtarë, sidomos Shteteve të Bashkuara.

Në këtë kuptim, që të “çrregulltit” të vetërregullohen me vullnetin e tyre të plotë, duket si një iluzion nga i cili sa më parë të shpëtojmë, aq më mirë do të jetë.

Kështu që, për të aprovuar një proces të tillë, të besueshëm dhe real, ka nevojë për mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë, BE dhe SHBA. Është pothuajse e pamundur të zhvillosh një proces, ku e gjitha elita politike shqiptare të futet në sitën e kontrollit, pa një monitorim të tillë ndërkombëtar. E kundërta, do të ishte një krizë e madhe politike, por mbi të gjitha një teatër që duhet t’ua kursejmë shqiptarëve.

Por, arsyeja kryesore, qëndron në faktin se, është pothuajse e pamundur që një nismë e tillë kaq e rëndësishme dhe shumë e ndërlikuar për shumë arsye, të zhvillohet pa ndihmën e aleatëve tanë ndërkombëtarë. Me të njëjtën mënyrë dhe modalitet, ashtu sikurse ndodhi me Reformën në Drejtësi.

Propozimi i Partisë Demokratike për vettingun në politikë, është ndoshta lëvizja më e zgjuar strategjike e saj e kohëve të fundit. Është e qartë se, korrupsioni politik, abuzimi me pushtetin dhe lidhja e politikës me krimin, është një nga çështjet që shqetëson më shumë se çdo gjë tjetër opinionin publik.

Në këtë kuptim, sfida që opozita i ka bërë mazhorancës me vettingun, është një gjetje në aspektin e komunikimit dhe betejës politike.

Dorashka e hedhur e Lulzim Bashës ndaj Ramës dhe mazhorancës, është një lëvizje për të luajtur politikisht me moralitetin e saj, i cili është një nga debatet që shoqëron politikën për shumë se 20 vite.

Përtej një strategjie politike, të cilën çdo parti politike është në të drejtën e saj ta bëjë, problemi ekziston vërtet. Kështu që, propozimi i Partisë Demokratike nuk duhet paragjykuar, por thjesht duhet shqyrtuar nëse ka shanse të shkojë deri në fund dhe si?

Për të tjerat, përgjegjësitë bien mbi ata që e kanë propozuar dhe koha do ta vërtetojë nëse është thjesht një strategji politike apo ka diçka të vërtetë dhe të sinqertë në të gjithë këtë histori.

Por, nëse vërtet politika shqiptare ka vullnet për ta zhvilluar këtë proces, ashtu sikurse të gjitha palët e kanë shprehur ditët e fundit, atëherë, nuk ka rrugë tjetër përveçse të përfshijnë aleatët tanë ndërkombëtarë, për ta bërë procesin të besueshëm dhe të sigurt.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Edhe një dëshmitar? Në pritje të vendimit për Tahirin

Kreu i Prokurorisë për Krimet e Rënda, Besim Hajdarmataj ka zbuluar disa...
Read More