PS, ‘dakord’ me vettingun në politikë, por…

Opozita dorëzon në Kuvend amendamentet kushtetuese që do të mundësojnë sipas saj vettingun në politikë dhe përcakton katër koordinatorët që do ta përfaqësojnë në propozimin e saj. Partia Socialiste e quan politik qëndrimin e opozitës dhe këmbëngul se vettingun në politikë do e bëjnë institucionet e reja të drejtësisë. Nisma e vettingut në politikë po dështon ende pa nisur.

Vettingu në politikë po shkon drejt dështimit dhe po ndan pozitën me opozitën ende pa nisur diskutimet apo hapat ligjorë. Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë depozituar në Kuvend amendamente kushtetuese në lidhje me vettingun në politikë, por duket se ky propozim i artikuluar fillimisht nga kryedemokrati Lulzim Basha dhe i mbështetur me deklarata nga kryeministri Rama, pritet që të dështojë. Partia Socialiste në mbledhjen e kryesisë e ka konsideruar si veprim politik të opozitës, pasi vettingun e vërtetë sipas saj edhe në radhët e politikës, do e bëjë sistemi i ri i drejtësisë. “Propozimi i Bashës është i dështuar dhe vetëm propagandë politike. Ky propozim është si t’i zësh rrugën me ferra Reformës në Drejtësi. Ne jemi gati për vetting të vërtetë dhe reforma në drejtësi e garanton 100% atë. Propozimi i Bashës shmang hetimin e familjarëve. Jemi gati për çdo propozim që s’prek reformën në drejtësi dhe vijimin e vetingut për gjyqtarët e prokurorët”. Kështu mësohet të jetë shprehur kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Nuk është mendimi personal i tij, pasi katër ditë më parë sapo u përhap ideja e “vettingut në politikë”, Balla shkruajti se ishte “mandatuar nga Rama që të merrej konkretisht me këtë çështje”. Palët janë ndarë, ku PS këmbëngul se bashkë me vettingun në politikë duhet të vijojë ai në drejtësi dhe nëpërmjet këtij të fundit do pastrohet politika nga të korruptuarit apo të inkriminuarit, ndërsa opozita kërkon që kjo nismë e saj të miratohet brenda muajit tetor.

Opozita kthehet në Kuvend

Ndërsa duket se Partia Socialiste është kundër formës së propozuar nga Partia Demokratike për vettingun në politikë, opozita e ka marrë seriozisht, duke përcaktuar edhe katër koordinatorët që do të hartojnë nismat ligjore dhe diskutojnë për këtë çështje. Burime nga PD bëjnë të ditur se vendimi për të punuar për platformën e opozitës në kryesinë e kuvendit është një zgjedhje simbolike për të treguar vendosmërinë e opozitës për t’i shkuar deri në fund prioritetit kryesor të saj, atë që e quan si çlirimi i qeverisë nga krimi. Koordinatorët e 4 grupeve të punës së opozitës do të jenë: Ervin Salianji, koordinator për “Dekriminalizimin e plotë përmes vettingut të politikanëve të lidhur me krimin”; Enkelejd Alibeaj, koordinator për “Çlirimin e drejtësisë nga kapja politike në funksion të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin”; Luan Rama, koordinator për “Zgjedhjet e lira, të ndershme e demokratike, ku qytetarët të jenë ata që vendosin”; Jorida Tabaku, koordinatore për “Një ekonomi e çliruar nga monopolet, nga oligarkët dhe nga korrupsioni qeveritar, në funksion të mirëqenies së qytetarëve”. Ndonëse të katër pikat shigjetojnë qeverinë, duke e etiketuar të “kriminalizuar” ende pa nisur vettingu, opozita ka ndërmarrë edhe hapa të mëtejshëm ligjorë. Ajo ka paraqitur në Kuvend draftin për amendimet kushtetuese duke artikuluar se vettingu në politikë do të jetë i njëjtë me atë të sistemit të drejtësisë, ku personazhet e rëndësishëm të politikës në mazhorancë dhe opozitë, do i nënshtrohen vettingut në dy komponentë kryesorë: integritetin moral (lidhjet me eksponentët e mundshëm të krimit) dhe pasurinë. “Shumica dërrmuese e qytetarëve duan që vettingu në politikë të ndodhë. Shqiptarët kërkojnë që të mos ketë kriminelë dhe politikanë të lidhur me krimin në Kuvend dhe qeveri”, u shpreh Kryetari i PD, që shton se në këtë nismë ka mbështetjen e shoqërisë, pasi shqiptarët kërkojnë ndarjen përfundimtare të politikës nga krimi.

Balla, dakord vettingut, por…

Në momentin e parë kur u artikulua qartazi nga kryedemokrati Lulzim Basha mbi nismën e vettingut në politikë, i menjëhershëm qe reagimi i kryeministrit që e mirëpriti. Vetting politikanëve? Sa më parë! Me një drejtësi të pastruar përmes Vettingut, s’do ketë më as në këtë vend shteg për politikanët që t’i ikin drejtësisë. Dhe çdo ide tjetër për të rritur llogaridhënien e politikanëve është e mirëseardhur. Gjithnjë gati të diskutojmë me PD”-deklaroi Rama. Pavarësisht optimizmit të ndërsjellë, në pak ditë gjithçka po ndërlikohet ende pa nisur diskutimi dhe analizuar drafti i propozuar nga PD. “Ne jemi të gatshëm të zhvillojmë çdo bashkëbisedim. Prej ardhjes së tij unë kam kërkuar një takim me kreun e grupit të PD-së, Spaho, për të diskutuar formalitetet, përmbajtjen dhe sigurisht për të ardhur në një draft të përbashkët më të plotë. Por këtu jemi përballur me kushtin e vetëm: Reforma në Drejtësi dhe ngritja e institucioneve të reja të SPAK-ut dhe BKH-së të mos preken. Pra, që vettingu në drejtësi të mos jetë objekt i negociatave”- tha Balla, ndërsa shtoi se “jemi të gatshëm nga nesër të ulemi për procedurën parlamentare tashmë të filluar, por pa prekur vettingun në drejtësi”. I gjithë debati dhe deklaratat po paralajmërojnë përplasje politike dhe lënien pas të nismave kushtetuese dhe ligjore që mund të sillnin vettingun në politikë. Edhe nëse do arrihej një marrëveshje shumë diskutime lindin mbi modalitetin dhe mbi të gjitha cilët do të jenë njerëzit që do të bëjnë vettingun në politikë. Tre vjet më parë u miratua me konsensus ligji i dekriminalizimit, por ishin institucionet që e kryen këtë proces, si Prokuroria e Përgjithshme, KQZ dhe pjesa tjetër ndihmëse në varësi të tyre.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dokufest 2017: Marubi ‘sticker art’ në muret e Prizrenit

Prizreni si rrallë ndonjëherë është mbushur me fotografi të Marubëve. Një pjesë...
Read More