Pse çalon krahasimi i Kroacisë me rastin e Davidit dhe Goliatit

Shqiptarët janë tifozë të Kroacisë, pasi besojnë se janë sllavët aleatë me ne. Por historia e suksesit e Kroacisë nuk është thjesht një arritje e një ekipi të vogël apo të dizavantazhuar.

Nga Enton Palushi

Edhe po të mos ishte për faktin se shqiptarët mendojnë se kroatët janë aleati ynë në rajon, sikur të mos mjaftonte ajo video e mbrojtësit kroat Vida, që u ka shkaktuar jo pak zemërim rusëve, sërish ka shumë shqiptarë që do preferonin të ishin me Kroacinë në këtë Botëror.

Ethet e Kupës së Botës bëjnë që shumë njerëz krejt papritur ta gjejnë veten të pozicionuar, duke përkrahur një skuadër apo një tjetër, në kërkim të motiveve nga më racionalet e deri tek më të çuditshmet për tifozllëkun e tyre. Sipas psikologut Chris Stiff, kjo ka lidhje me idenitetin social. Njerëzit kanë shumë identitete sociale dhe veprojnë në mënyra të ndryshme në varësi të faktit se cili identitet është aktivizuar. Gjatë Kupës së Botës, ndodh që aktivizohet më fort dhe krejt papritur lidhja me një kombëtare të caktuar. Zakonisht njerëzit janë më të mirë me personat, me të cilët ndajnë të njëjtin identitet social.

Por përse atëherë kemi një tendencë që të bëhemi me ekipe të vogla? Stiff thotë se kjo ka lidhje me atë që njihet si efekti i të dizavantazhuarit.

“Shpesh gjatë Kupës së Botës, një skuadër pa shumë eksperiencë  përparon më shumë nga sa pritej dhe bëhet kështu fokusi i turneut. Njerëzit zakonisht fillojnë ta pëlqejnë këtë ekip, duke shpresuar që ai të fitojë, duke rrëzuar të mëdhenjtë”.

Arsyeja përse ndodh kjo ka lidhje me një psikologji të rrënjosur thellë tek njeriu.

“Një shpjegim është se diçka e tillë ndodh pasi kur ne shohim suksesin e dikujt në rrethana të vështira, kjo na frymëzon të besojmë se edhe ne mund të arrijmë diçka në situata të vështira”.

“Një tjetër shpjegim është se kostoja e mbështetjes së një ekipi të vogël e ka shpërblimin më të madh,” shkruan psikologu i njohur për “The Conversation”.

A nuk ndjeheni edhe ju shumë mirë kur i thoni dikujt: A të thashë që në fillim se Kroacia do dilte në finale? Nëse do i thonit që Brazili do ishte në finale, kënaqësia e shprehjes kaq të përdorur “a të thashë” nuk do ishte shumë e fortë.

“Së fundmi, disa kërkime sugjerojnë se njerëzit mendojnë se ekipet e vogla bëjnë përpjekje më të mëdha për të arritur diçka, çka sjell si rrjedhojë edhe një pëlqim më të madh”.

***

Një tifoz anglez pyeste pas humbjes me Anglinë, se si është e mundur që një vend me 4 milionë banorë, të arrijë në finalen e një turneu ku luajnë ekipe nga vende me mbi 50 milionë banorë. A është kjo arsyeja se përse njerëzit duhet të vlerësojnë Kroacinë si një ekip të vogël? Tek e fundit, a nuk janë thjesht 23 lojtarë që do dalin në fushën e lojës (në rastin e Kroacisë vetëm 22, pasi ia lejuan vetes që të dërgojnë në shtëpi një futbollist të talentuar për mungesë disipline), një numër shumë i vogël në krahasim edhe me një popullsi prej 4 milionë banorë? Nëse do niseshim nga logjika e numrave, a do të duhej të ishte Kina dhe India vendet me më shumë fitore në këtë drejtim? Megjithatë sado të bëjmë krahasime, sërish Kroacia është një rast i veçantë.

***

Malcolm Gladwell është një gazetar që ka publikuar disa libra shumë të shitur. Stili i tij provokativ e bën mjaft të këndshëm në lexim. Teoritë e tij të mahnisin dhe të bëjnë të mendosh mirë për gjërat që ke besuar më herët. Një nga librat e tij ka për qëllim që të zhbëjë disa nga mitet e besuara vazhdimisht nga njerëzimi. Në një rast konkret, ai merret me historinë e Davidit dhe Goliatit, duke na bërë të mendojmë se nuk ishte Goliati i avantazhuari, madje ai mund të kishte qenë në dizavantazh.

Historia nis 3 mijë vjet më parë, kur mbretëria e Izraelit ishte në fillesat e saj. Filistinët ishin armiqtë më të mëdhenj të Izraelit, të cilët drejtoheshin nga mbreti Saul. Përplasja e madhe ushtarake mes tyre ndodh në luginën Elah, por palët ngërthehen në ngërç, pasi asnjëra nuk mund të ekspozohej më shumë ndaj sulmeve.

Për të thyer këtë ngërç, tradita e kërkonte që të përballeshin dy ushtarët më të fortë nga secila palë luftuese. Fituesi do të përcaktonte edhe fatin e betejës. Për filistinët, zgjidhja ishte e lehtë. Ata do të dërgonin në mesin e fushës së betejës një gjigand, një ushtar 2 metër e 5 centimetra. Ishte i frikshëm, aq sa asnjë izraelit nuk do donte të luftonte me të. Quhej Goliat dhe ishte i armatosur nga koka në këmbë me armaturë bronzi, mbante një shpatë dhe një shtizë.

Historia pak a shumë dihet nga njerëzit. Në kampin e izraelitëve u shfaq një djalosh, një bari, i quajtur David. Ai i kërkoi mbretit Saul që të luftonte kundër filistinit të përbindshëm. “Ti nuk mund të luftosh, kjo është qesharake, ai është një luftëtar i fuqishëm”, reagoi mbreti. Por djaloshi i thotë se ka ruajtur tufën e tij të bagëtive ndaj luanëve dhe ujqërve. Kur i japin parzmoren, ai nuk e pranon.

Edhe fundi i historisë është i njohur. Djaloshi, një mjeshtër për hedhjen e gurëve, fut dorën në një nga xhepat e tij, merr një gur, e vendos në hobe, e rrotullon fort dhe e godet gjigandin në mes të syve, duke e lënë të vdekur në vend. Filistinët pranojnë humbjen dhe kthehen andej nga kanë ardhur.

Por a është kjo një histori ashtu siç duket?

Gladwell e zbërthen mitin, duke e nisur fillimisht nga Goliati, të cilin e sjellin në mes të fushës së betejës duke e mbajtur nga krahët. Më pas, nisur nga referencat biblike, ai thotë se gjasat janë të Goliati të vuante nga sëmundja e gjigandizmit, çka e bën atë shumë vulnerabël, pasi ka vështirësi në lëvizje, por edhe në shikim. Ai nuk e sheh mirë as Davidin teksa i afrohej.

Kjo nuk ishte një betejë e barabartë, pasi bariu izraelit e goditi që nga larg me një gur, kur dihej se në atë kohë hobet ishin një armë shumë e rrezikshme. Guri që qëlloi Davidi nuk ishte i zakonshëm, pasi në atë luginë ka kryesisht sulfat bariumi, çka e ka bërë atë plumb të rëndë. Shpejtësia me të cilën qëllojnë hobet është 35 metra për sekondë, çka do e bënte forcën goditëse të gurit si një plumb pistolete. Historianët thonë se ushtarët me hobe mund të godisnin me saktësi një objektiv deri në 180 metra largësi.

Po Goliati? Ai vërtet ishte një gjigand, por kjo mund të vinte nga agromegalia, një sëmundje që sjell rritjen e trupit, por edhe probleme të tjera anësore, si për shembull vështirësitë në lëvizje dhe nevoja për shoqërues. Goliati po priste një luftëtar me të cilin të përballej nga afër, ndoshta duke luftuar me trup. “A jam një qen që të vish tek unë me shkopinj,” i drejtohet ai Davidit, si një referencë e qartë e problemeve me shikimin. “Ky është një leksion shumë i rëndësishëm për të gjithë ne. Gjigandët nuk janë aq të fortë dhe aq të fuqishëm sa duket”, thekson Gladwell.

***

Këto ditë mediat shqiptarë kanë publikuar një foto të trajnerit të Kroacisë, Daliç, me një veshje pak harrakate, dikur në rrugët e Shqipërisë, kur ishte trajner në vendin tonë. Është dukshëm një pasqyrim i efektit të dizavantazhurit. Shqiptarët kanë jo vetëm respekt për kroatët, por dukshëm ndjejnë edhe admirim. Janë pak më shumë se ne si popullsi, por janë një shembull për t’u marrë. Kanë shkëlqyer në turizëm, janë shumë përpara sa i përket ekonomisë dhe janë anëtarësuar tashmë në BE. Kur bie puna tek sportet, janë vërtet për t’u vlerësuar. Dhe nuk janë aspak të dizavantazhuar. Mjafton të shihni se çfarë lojtarësh kanë në ekipin e tyre të Botërorit. Përse ndodh kjo? Për të njëjtat arsye se përse mediat gjermane habiten që Shqipëria prodhon kaq shumë talente në fushën e muzikës klasike. Sir Ken Robinson, ekspert i njohur në fushën e kreativitetit dhe edukimit, thotë se burimet njerëzore janë si burimet nëntokësore. Janë aty, por thjesht duhet të krijosh terrenin, duhet t’i ujisësh, që të dalin mbi tokë. Ne kemi nxjerrë talente në muzikën klasike sepse aty kemi ditur ta ujisim më mirë tokën aty. Kroatët e kanë ujitur mirë… në më shumë drejtime.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për herë të parë: Në thellësitë e Kanioneve të Nivicës

Për herë të parë një ekip alpinistësh na Holanda, Sllovenia, Franca dhe...
Read More