Pse opozitat në Shqipëri sulmojnë biznesin?

Edi Rama dje në opozitë kërcënonte me anulime kontratash, mbyllje koncesionesh dhe po ashtu Basha, lideri i opozitës, bën të njëjtën gjë sot. Rrënjët e mentalitetit antibiznes dhe çfarë efekti ka kjo në klimën e biznesit në Shqipëri. Flasin ekonomistët, profesori i asociuar Selami Xhepa dhe dr. Zef Preçi.

Nga Nevila Perndoj

Në mars të 2013-ës, banorë të fshatrave dhe komunave Mat bllokuan aksin rrugor Peshkopi-Tiranë. Atë botë, qeveria “Berisha” nënshkroi katër kontrata me një kompani private për blerjen e hidrocentraleve “Bistrica 1 dhe 2”, Ulëz e Shkopet.

Edi Rama (si kryetar i PS) premtoi se nuk do ta njihte këtë proces. Ky ishte shembulli i parë i tij për të lajmëruar se në qeverisjen e afërt, ai do të rishikonte koncesionet për hidrocentralet dhe jo vetëm. Pak muaj para zgjedhjeve të 2013-ës, Edi Rama do të shfaqej sa agresiv ndaj reformave të qeverisë “Berisha” aq edhe populist. Kjo i mundësoi atij një shumicë dërrmuese votash. Rama erdhi në pushtet duke sulmuar pikërisht tezën ku Berisha kishte elaboruar më shumë; atë të futjes së koncesioneve dhe kapitalit të huaj. Sjelljen e qeverisë “Rama”, vetë Berisha do ta cilësonte pasojë të së kaluarës komuniste.

Por, nga veprimet e para për kontroll en block, Rama kaloi shpejt në anën tjetër duke pranuar jo fort vonë (të paktën publikisht) se anulimi i të gjitha koncesioneve “korruptive” të Berishës (rreth 180 të tilla) ishte e pamundur. Për një kontratë të mbyllur shteti duhej të paguante shumë më tepër në arbitrazh ndërkombëtar.

Sot Rama gjendet në një situatë krejt tjetër. Ai po sulmohet nga opozita fiks për atë që vetë anatemoi kur ishte në opozitë.

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa shpjegon se, “retorika politike vazhdon të mbetet njëlloj, ndërsa cilësia e qeverisjes veçse përkeqësohet”. Edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Zef Preçi vëren në një analizë të tij se, “gjendja e ekonomisë dhe raportet e biznesit me qeverinë duket se kanë mbetur të njëjta në rastin e qeverisë aktuale në krahasim me qeverinë paraardhëse” “Gjatë 4-5 viteve të fundit bizneset më fitimprurëse në vendin tonë rezultojnë bizneset që operojnë në sektorët e rregulluar nga qeveria ku predominojnë koncesionet famëkëqija të tipit ‘Partneritet Publik-Privat’, lojërat e fatit, kompanitë e sigurimeve, etj. D.m.th. mbi bazën e treguesve të tillë është plotësisht i bazuar arsyetimi se oligarkia në Shqipëri është krijuar dhe po konsolidohet hap mbas hapi falë simbiozës së bizneseve të caktuara me politikën…”, thekson ndër radhë Preçi.

***

Në të njëjtat ujëra po noton edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha. Edhe ky i fundit, (ashtu si Rama para vitit 2013), është shprehur për anulim koncesionesh e deri burg për çdo biznesmen që sipas tij ka marrë pjesë në tendera publikë korruptivë.

Në një takim me gratë, ai paralajmëroi nismën ligjore. “…Shumë shpejt do të bëjmë publike edhe nismën ligjore për PPP-të, koncesionet dhe tenderat korruptivë, për konfiskimin e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme dhe çlirimin e ekonomisë nga paratë e krimit dhe të drogës…”. Basha flet kundër koncesioneve, kundër partnerëve publik, kundër tarifave në arsim…Krejt e kundërta e asaj që ndoqi ish-kryeministri Sali Berisha edhe pse i vetëdijshëm se kjo do t’i sillte atij kosto të madhe elektorale. Po Basha a është gati ta ndërmarrë këtë risk?

Selami Xhepa shprehet se politikisht opozita ka të drejtë, porse “mekanizmat e veprimit duhet të jenë ligjore dhe jo retorike”. “…Opozita mundet që edhe ajo vetë të kryejë hetime të thelluara dhe të bëjë analiza kosto-përfitim, që janë shumë të rëndësishme për të gjykuar mbi dobinë e projekteve koncesionare…”, vëren Xhepa.

Edhe Zef Preçi nënvizon se, “ngritja e ‘akuzave në erë’, pa trokitur në dyert e institucioneve, (ashtu siç janë: disa jashtë funksionit, gjerësisht të politizuara etj.), i shërben më shumë retorikës politike të ditës, por nuk besoj se mund të shihet nga zgjedhësit si një alternativë…”. Sipas tij, kërcënimet pa dallim nga opozita përmes artikulimeve “en block” vë edhe “shenjën e barazimit midis biznesit të ligjshëm, që paguan taksat dhe i gëzohen mundësive që krijon ekonomia kapitaliste me bizneset që lindin e pasurohen si rezultat vetëm afilacionit politik me drejtues partie në qendër apo në bashkitë e ndryshme të vendit”.

 

Xhepa: Kontratat e kontestuara nga PD duhet të sfidohen në sistemin gjyqësor

Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa flet për fenomenin e politik ndaj kapitalit dhe qasjen e partive sa herë që vijnë në pushtet

Politika dhe biznesi gjatë gjithë kohës ngjan se është më afër me pushtetin, ndërsa paradoksi qëndron se opozitat premtojnë gjithnjë (pavarësisht programit që trumbetojnë) se kur të vijnë në pushtet do anulojnë koncensionet, do t’i japin fund oligarkisë… etj., deklarata që më shumë se të studiuara dhe program politik, janë qëndrime populiste. Ç’do të thotë ky qëndrim i dyanshëm i politikës?

Problemi qëndron te mënyra se si zhvillohen proceset ekonomike: nëse praktikat e prokurimeve publike, fjala vjen janë të korruptuara, me mungesë transparence, ku projekti fitohet me çmimin më të lartë, pra asnjë ndryshim nga vlera e parashikuar në tenderim, ku firmat fituese të tenderave publikë janë firma të krijuara pas ardhjes në pushtet të një force politike etj., mendoj se këtu kemi një problem serioz me mënyrën e funksionimit të rregullave të lojës së konkurrencës në treg. Më tej, gjatë këtyre viteve ka ndodhur një rritje shpërthyese e kontratave të partneritetit publik-privat, të cilat ndryshe nga koncesionet tradicionale të cilat shlyhen nga tarifat e përdoruesve, kanë krijuar implikime serioze buxhetore për vitet në vazhdim. Për më tepër, fitues të kontratave të tilla janë bërë firma pa asnjë ekspertize në fushat përkatëse, duke dhënë argumente të mjaftueshme për të menduar se proceset kanë qenë të kapura nga grupe të caktuara interesash të biznesit. Është e njëjta sjellje që edhe opozita e djeshme kishte ndaj kontratave koncesionare që pati dhënë qeveria e PD, të cilat edhe mund të kenë patur mangësi në procesin e kontraktimit. Por, ajo që ndodh me ardhjen në pushtet të kundërshtarit politik, në vend që proceset e kontraktimeve dhe prokurimeve të bëhen me transparente dhe më të drejta nga pikëpamja e interesit publik, në fakt cilësia e tyre përkeqësohet. Në vend që të gjykohen fajtorët e djeshëm, ata bien në një sjellje edhe me përkeqësuese se qeveria e djeshme. Kështu, retorika politike vazhdon të mbetet njëlloj, ndërsa cilësia e qeverisjes veçse përkeqësohet. Publiku që mund të ketë patur besim tek opozita e djeshme, sapo shikon se çfarë sjellje adapton ajo kur vjen në pushtet, humbet besimin te politika dhe “voton me këmbë”, duke ndjekur rrugët e emigracionit.

Së fundmi, kryedemokrati Lulzim Basha është në të njëjtën linjë me atë të Ramës kur ishte në opozitë para 2013-ës. Edhe Basha ashtu si edhe Rama në një kohë, ka folur për biznesmenë “të preferuar” të pushtetit, për sekuestrim të pasurisë të çdo individi që sipas tij merr pjesë në koncesione, PPP dhe tendera publikë “korruptivë”, duke përdorur deri edhe termin “burg”… Pra, me pak fjalë, Basha zhvishet nga petku i reformatorit, duke premtuar më së shumti nisma me elemente etatiste… Si e shpjegoni këtë qëndrim të Bashës, që shkon në kundërshtim edhe me vetë ideologjinë e forcës që ai drejton?

Siç edhe e thashë më lart, shumica e kontratave të partneritetit publik-privat kanë një mungesë të theksuar transparence në mënyrën se si u janë dhënë koncesionarëve. Opozita shpreh një kundërshtim ndaj praktikave të tilla dhe kjo është e drejtë politikisht, por mekanizmat e veprimit duhet të jenë ligjorë dhe jo retorikë. Për shembull, do të ishte më e drejtë që kontrata të tilla të sfidoheshin në sistemin gjyqësor dhe në organet e kontrollit financiar. Opozita mundet që edhe ajo vetë të kryejë hetime të thelluara dhe të bëjë analiza kosto-përfitim, që janë shumë të rëndësishme për të gjykuar mbi dobinë e projekteve koncesionare. Një kërkesë e ligjit që rregullon partneritetin publik-privat, për shembull, është që enti prokurues duhet të kryeje analiza të vlerës së parasë (value for money- VfM) për metodat alternative të financimit të një projekti, pra për të gjykuar nëse është më eficiente që një projekt të financohet dhe menaxhohet nga buxheti shtetit, apo të financohet dhe menaxhohet nga sektori privat. Opozita në komisionet përkatëse parlamentare duhet të kërkojë transparencë nga enti prokurues për analiza dhe vlerësime të tilla. A janë kryer analiza të tilla? Si është ndjekur procedura ligjore që nga ideja dhe deri në kontraktim? Si janë përzgjedhur listat e projekteve? Pra, në vend që qeveria të demaskohet me retorikë – e cila gjithashtu ka rëndësi, por nuk mund të jete kryesorja dhe e vetmja – publiku duhet të ushqehet me fakte, shkeljet ligjore të ndriçohen dhe të referohen në gjykata dhe organet e kontrollit financiar, si Kontrolli Larte i Shtetit por dhe në instanca të tjera ndërkombëtare që ndjekin problemet e korrupsionit në vendet si Shqipëria ku ai mbetet sëmundje endemike kanceroze që po gërryen çdo ditë shoqërinë tonë. Kjo lloj qasjeje ndaj kontratave të tilla mendoj se është më serioze pasi afirmon edhe një qëndrim mbështetës ndaj sektorit privat, por edhe një respekt për rregulla loje transparentë dhe angazhim ndaj konkurrencës së lirë në treg.

 

Preçi: Oligarkia po konsolidohet falë simbiozës së bizneseve të caktuara me politikën

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, jep opinionin e tij mbi marrëdhëniet e politikës me biznesin

Politika dhe biznesi gjatë gjithë kohës ngjan se është më afër me pushtetin, ndërsa paradoksi qëndron se opozitat premtojnë gjithnjë (pavarësisht programit që trumbetojnë) se kur të vijnë në pushtet do anulojnë koncesionet, do t’i japin fund oligarkisë… etj., deklarata që më shumë se të studiuara dhe program politik, janë qëndrime populiste. Ç’do të thotë ky qëndrim i dyanshëm i politikës?

Në vlerësimin tim, çështja është shumë komplekse. Së pari, “tradita” jonë zgjedhore ka provuar, sidomos gjatë dekadës së fundit, se rotacioni i pushtetit është i lidhur ngushtë jo aq me ndjesinë e publikut se “cili grupim politik duhet të rrijë apo cili duhet të vijë” se sa me shumat e parave që “investohen” nga aktorët e përfshirë. Më konkretisht, qeveritë investojnë paratë publike shumë herë në vepra publike pa efektivitet dhe dobi të mirëfilltë publike, por me theks të fortë populist, deri edhe të gjigantomania e trashëguar nga periudha komuniste “Rrugës Iks apo Rrugës Ipsilon”. Opozitat synojnë të miklojnë komunitetin e biznesit për “barrën e rëndë të taksave dhe inefektivitetin e shpenzimeve publike, e nëse vijnë në pushtet e rritin më tej këtë barrë sepse “nuk na lejon FMN të ulim taksat ose po veprojmë kështu sepse na këshillon FMN” etj., duke lënë mënjanë faktin se në pjesën më të madhe biznesi luan rolin e agjentit fiskal të qeverisë në mbledhjen e taksave nga qytetarët… Qytetarët, në kushtet e mungesës së traditës demokratike të vlerave komunitare, manipulohen lehtësisht në përputhje me shtresën shoqërore ku bëjnë pjesë, (p.sh. komunitetet rurale ndikohen dukshëm nga mentaliteti i klanit), por tashmë ka fituar qëndrueshmëri ndikimi “i të fortëve” që gjithsesi janë në krahun e pushtetit të radhës, ndikimi i sipërmarrësve me lidhje politike që shumëfishojnë në dhjetëra herë xhiron (dhe fitimet) mbas ardhjes në pushtet partia apo grupimi politik “për të cilin kanë investuar gjithçka” etj. Po kështu ndikon edhe propaganda e masmedias kryesisht në favor të qeverisë, por edhe vetë propaganda e kushtueshme qeveritare e ngritur në art, p.sh. vizitat e “udhëheqësve” në rreth me regji dhe 3D me vete… Si rezultat, bëhet përherë e më e vështirë për të kuptuar ndjesinë e vërtetë të elektoratit dhe në këto kushte, vijën ndarëse e vendos segmenti i komunitetit të biznesit i lidhur me politikën, investimet që vijnë prej tij në fushatat zgjedhore. D.m.th. simbioza e dukshme, luajaliteti pa kufi i një pjese jo të vogël të biznesit ndaj pushtetarëve të lartë apo zbehja deri në zhdukje e kufijve midis këtij të fundit dhe politikës është shndërruar në “një vijë sjelljeje e biznesit, sidomos atij të madh”. Kjo lidhet ngushtë me faktin se gjate 4-5 viteve të fundit bizneset më fitimprurëse në vendin tonë rezultojnë bizneset që operojnë në sektorët e rregulluar nga qeveria ku predominojnë koncesionet famëkëqija të tipit “Partneritet Publik-Privat”, lojërat e fatit, kompanitë e sigurimeve etj. D.m.th. mbi bazën e treguesve të tillë është plotësisht i bazuar arsyetimi se oligarkia në Shqipëri është krijuar dhe po konsolidohet hap mbas hapi fale simbiozës së bizneseve të caktuara me politikën, se fitimet e saj prej miliona Eurosh “bëhen në tavolinë” dhe nuk vijnë si rezultat i konkurrencës së ndershme dhe lirisë së tregut, pra mbështeten në licenca, në ekskluzivitete publike, në kontrata të dyshimta për 20-30 vitet e ardhshme për investime publike të panevojshme (p.sh. për rrugë e tunele pa studim fizibiliteti, duke injoruar detyrimin kushtetues për transparencë ndaj qytetarëve taksapagues, ciklin e biznesit dhe mundësinë kthimit të investimit etj.). Në një vlerësim më të përgjithshëm, nuk e teproj të them se përqendrimi në përherë e më pak duar të përfitimeve nga fondet buxhetore, ofrimi i shërbimeve të rëndësishme publike nga kompani të krijuara enkas për të marre këto shërbime me norma fitimi të larta dhe garantuara, ngushtimi i mundësive konkurruese për kompanitë serioze që operojnë në tregun shqiptar apo më keq akoma pamundësimi i hyrjes së kompanive të tjera të njohura (brand names) lidhet me rritjen e fuqisë ndikuese të oligarkëve në jetën ekonomike të vendit dhe me pompimin në këtë ekonomi të shumave të mëdha monetare me origjinë drogën dhe burime të tjera kriminale. Këto të fundit, siç tregojnë zhvillimet në tregun e monedhës (mbiçmimi i lekut), në tregun e pasurive të patundshme apo shtimi i depozitave në cash të biznesit me 130 milionë Euro vetëm gjatë vitit në vazhdim, përbëjnë një faktor kërcënues me peshë në rritje në jetën ekonomike, financiare e bankare të vendit tonë dhe për stabilitetin makroekonomik të tij. Shkurt, nuk teproj të them se gjatë dekadës së fundit sektori publik dhe shërbimet bazë të tij, duke filluar nga trojet publike që po tkurret dhunshëm vit pas vit, si dhe vitet e fundit edhe një pjesë e sektorit të vogël privat (p.sh. pronësia mbi tokat në bregdet) i janë nënshtruar një agresioni të vërtetë të oligarkisë dhe elitës politike të lidhur me të. Kështu që çdo grupim politik duket se është e detyruar të operojë në këtë mjedis të ndotur dhe është tepër vështirë të dallosh thirrjen për respektimin e parimeve nga presioni mbi lobet e biznesit për të rritur “kontributet financiare e biznesit” të madh që përgjithësisht rezulton se kanë qenë përgjithësisht të dyanshëm, pra në të dy krahët e politikës… Por duhet pranuar edhe se populizmi është po ashtu kryefjala e debatit dhe retorikës politike të ditës…

Së fundmi, kryedemokrati Lulzim Basha është në të njëjtën linjë me atë të Ramës kur ishte në opozitë para 2013-ës. Edhe Basha ashtu si edhe Rama në një kohë, ka folur për biznesmenë “të preferuar” të pushtetit, për sekuestrim të pasurisë të çdo individi që sipas tij merr pjesë në koncesione, PPP dhe tendera publikë “korruptivë”, duke përdorur deri edhe termin “burg”… Pra, me pak fjalë, Basha zhvishet nga petku i reformatorit, duke premtuar më së shumti nisma me elemente etatiste… Si e shpjegoni këtë qëndrim të Bashës, që shkon në kundërshtim edhe me vetë ideologjinë e forcës që ai drejton?

Nuk mendoj se jam personi i duhur me dijenitë e mjaftueshme për të interpretuar deklarimet e një lideri politik dhe as skenarët e mundshëm të sjelljes së grupimit të kryesuar prej tij kur të jetë në pushtet, kurdoherë që kjo të ndodhë, në qeveri apo në pushtetin vendor. Por duke gjykuar nga ngjashmëria e deklaratave mund të nxirren disa konkluzione të thjeshta. Kështu shihet lehtësisht se gjendja e ekonomisë dhe raportet e biznesit me qeverinë duket se kanë mbetur të njëjta në rastin e qeverisë aktuale në krahasim me qeverinë paraardhëse. E në këtë sens opozita, si kudo në botë, tenton të artikulojë me forcë shqetësimin e qytetarëve dhe të bizneseve për rritjen e ngadalshme ekonomike, për mosrespektimin e principeve kushtetuese të lirisë ekonomike dhe konkurrencës së lirë në tregje, për ineficiencën dhe korrupsionin e dyshuar në kontratat publike me sektorin privat, për rritjen shqetësuese të fuqisë ndikuese të lobeve të biznesit dhe të oligarkisë në vendimmarrjet qeveritare, për rreziqet që vijnë nga futja në qarkullimin ekonomik e parave të drogës dhe burimeve të tjera të ekonomisë kriminale etj. Së fundi, nuk duhet harruar se ngritja e “akuzave në erë”, pa trokitur në dyert e institucioneve, (ashtu siç janë: disa jashtë funksionit, gjerësisht të politizuara etj.), i shërben më shumë retorikës politike të ditës, por nuk besoj se mund të shihet nga zgjedhësit si një alternativë… Gjithsesi elaborimi i alternativave politiko-qeverisëse duket si një mision i vështirë me “dheun e Shqypeve”, por që gjithsesi mbyllja e ciklit qeverisës gati e barabartë nga të dyja forcat kryesore politike të vendit duket se i ka konsumuar dukshëm ato dhe ka ardhur koha që tranzicioni, në kuptimin politik të fjalës, të marrë fund njëherë e mirë.

Politika e paqëndrueshmërisë së kuadrit fiskal të vendit, politika e favorizimeve fiskale si për hotelet me 5 yje apo lojërat e fatit duhet të marrë fund njëherë e mirë si nxitëse të deformimit të ligjësive të tregut dhe në radhë të parë të konkurrencës dhe lirisë së tregut. Po kaq të dëmshme janë, sipas vlerësimit tim, retorikat politike nga qeveria përmes kërcënimeve pa dallim apo nga opozita përmes artikulimeve “en block” si këto që përmendni ju, të cilat vënë shenjën e barazimit midis biznesit të ligjshëm, që paguan taksat dhe ju gëzohen mundësive që krijon ekonomia kapitaliste dhe bizneseve që lindin e pasurohen si rezultat vetëm afilacionit politik me drejtues partie në qendër apo në bashkitë e ndryshme të vendit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dy sqarime për Lelën, të cilit i ka ngelur koka mbrapa te gazeta MAPO

Nga Ervis Iljazaj Dje, Alfred Lela në portalin e tij POLITIKO, ka...
Read More