“Qeveria e ndryshimit” dhe “revolucioni” italian

Nga Eugjen Merlika

“Nëse në republikën e bimëve do të kishte votim të përgjithshëm hithrat do të kishin syrgjynosur trëndafilët dhe zambakët”- JEAN LUCIEN ARRÉAT (1841 – 1922), shkrimtar e filozof francez

Votimet e 4 marsit 2018 në Itali përmbysën nga themelet raportet e forcave dhe krijuan një tablo të re të kuadrit politik. U ngritën, me rezultate që tejkaluan edhe parashikimet më optimiste, dy forca politike të Opozitës: Lëvizja 5 yjet dhe partia e Lidhjes së Veriut e cila, si pasojë e ndryshimit të strategjisë së saj tridhjetëvjeçare, doli me etiketën “Ne me Salvinin”, në kuadrin e një aleance parazgjedhore të Qendrës së Djathtë, së bashku me Forza Italian të Berluskonit dhe Vëllezërit e Italisë të Giorgia Melonit.

Përfundimet e votimeve sipas një ligji të përzier proporcional e mazhoritar dhanë një kuadër në të cilin asnjë rreshtim politik nuk mori shumicën. Zyrtarisht Qendra e Djathtë, si aleancë, arriti të ketë shumicën relative prej 37%, e ndjekur nga 5 yjet me 32,7%. Partia demokratike në pushtet, prej pesë vitesh, u rreshtua e treta, duke shënuar rezultatin më të ulët të gjithë historisë politike të mbas Luftës së Dytë Botërore, gjë që detyroi sekretarin e saj dhe ish-kryeministrin Renzi të jepte menjëherë dorëheqjen.

U deshën tre muaj bisedimesh mes forcave politike nën regjinë e ndritur të Kryetarit të Shtetit, Sergio Mattarella, për të çmbështjellë lëmshin që mblodhën përfundimet zgjedhore. Për herë të parë në jetën politike të përtej detit, rezultati i tyre u quajt jo një marrëveshjeje mes partish në kuadrin e një koalicioni paszgjedhor, por  një “kontratë” mes dy forcash, 5 yjet dhe Lidhja, të cilat kishin qenë në kundërshti të theksuar me njëra-tjetrën gjatë fushatës zgjedhore e më pas. Është interesant të vihen në dukje deklaratat e ndërsjella të mosbesimit mes këtyre dy forcave. Po sjell këtu vetëm një frazë të sekretarit të Lidhjes, një javë para kontratës, për udhëheqësin politik të 5 yjeve: “Kush ndryshon mendim ndonjë herë më pëlqen. Por kush ndryshon mendim çdo një të katërt ore, e mendoj për Di Maion, mbi shkollën, taksat, punën, euron, imigracionin…. Jooo! Un nuk i jap kyçet e Vendit tim në dorë njerëzve që kanë ide kaq konfuze” .

Çuditërisht etja për pushtet qe kaq e fortë saqë i davariti paqartësitë brenda një jave, i bëri të firmosin “kontratën”, të caktojnë kryeministrin e madje të bëjnë edhe listën e ministrave, duke marrë mbi vete edhe përgjegjësitë që Kushtetuta i cakton Kryetarëve të Shtetit e të Qeverisë. Shkuan te Presidenti me këtë “plan rregullator” të drejtimit të Vendit, por u zemëruan shumë se ai nuk pranoi të firmoste emërimin si ministër i Ekonomisë të prof. Savonës, një ekonomisti të njohur për idetë e tij kundër Bashkimit Europian e kundër euros. Zemërimi qe aq i madh sa Di Maio vendosi t’i bëjë thirrje masave të dalin në protesta të fuqishme për të vënë në akuzë Kryetarin e Shtetit si atentator të Kushtetutës. Mbas 48 orësh Di Maio shkoi përsëri te presidenti që ndërkaq po bëhej gati të dekretonte një qeveri teknike për të organizuar zgjedhje të reja. Presidenti, një zotëri i vërtetë, i akuzuar për “tradhti kombëtare” prej një çunaku 31-vjeçar, i dha kohë përsëri që të merren vesh dy kontraktuesit. U thirr përsëri profesori Conte, që pat dhënë dorëheqjen e u vendos të pranohej një listë tjetër ministrash, me zhvendosjen e Savonës në një tjetër ministri. Kështu 2 qershori, festa e Republikës, në vend të manifestimeve oqeanike të ithtarëve të kursit të ri, u festua normalisht.

5 yjet dhe Lidhja, të cilat nuk ishin votuar për të qeverisur së bashku, janë dy forca “populiste”, tepër kritike kundrejt Europës dhe institucioneve të saj përfaqësuese. Prandaj edhe fitorja e tyre në njërin nga Vendet themeluese të BE, në fuqinë e tretë ekonomike të tij, shqetësoi mjaft ato institucione dhe vetë qeveritë europiane, kryesisht ato të zonës euro. Në bazën e atij shqetësimi është kontrata e firmosur, në vazhdim të një fushate zgjedhore me premtime nga më të ndryshmit, për plotësimin e të cilëve llogaritë e ekspertëve luhaten në shifrat 100 – 130 miliardë euro, shuma të cilat janë krejtësisht jashtë mundësive reale të një vendi që mban mbi shpinë një borxh mbi 2300 miliardësh. Por ky borxh i stërmadh, në përqindje i dyti n’Europë, mbas atij të Greqisë, duket se nuk i shqetëson aspak “djemkat” e politikës italiane, të cilët nuk kanë arritur të marrin as edhe një diplomë universiteti në jetën e tyre.

Tani për ta çështje sedre mbetet sendërtimi i premtimeve zgjedhore, që vërtet një pjesë shkojnë në dobi të shtresave në nevojë, por që kanë një çmim që tremb këdo që kupton sado pak nga ligjet e ekonomisë. Në një buxhet të përgjithshëm vjetor prej 830 miliardë eurosh, harxhohen vetëm për të paguar interesat mbi borxhet më shumë se 60 miliardë. Nëse ky borxh do të vazhdojë të shtohet për t’u dhënë nga një rrogë gjithë nënshtetasve të papunë, apo për t’i nxjerrë në pension punonjësit para kohës që parashikon ligji Fornero, të ndërthurura këto me zbatimin e taksës së sheshtë që pakëson me 40 miliardë t’ardhurat, nuk janë të pakët ata që parashikojnë një falimentim të Italisë në kohë relativisht të shkurtër. “Italia është shumë e madhe për të falimentuar, por është po aq e madhe për t’u shpëtuar” u shpreh këto ditë Kancelarja gjermane.

Por teoritë e ithtarëve të borxheve thonë se investimet e mëdha, edhe në borxh publik të pafrenuar, mund ta ndryshojnë gjendjen, duke sjellë një rritje ekonomike të atillë që të jetë e aftë të shmangë problemet e papunësisë e të ketë t’ardhura të tilla që të kompensojnë vetë borxhet. Nuk jam ekonomist e nuk mund të bisedoj me kompetencë n’atë drejtim, por mua më duket se thënia popullore “shtrij këmbët sa ke jorganin” është një shprehje e urtë e një përvoje të gjatë të historisë së popujve. Si e tillë ajo është e vlefshme si për individët ashtu edhe për popujt. Madje kësaj konsiderate do t’i shtoja edhe barrën morale të shkarkimit të tyre mbi brezin e ardhshëm, gjë të cilën e quaj sa të padrejtë aq dhe imorale.

Ka pasur një periudhë të historisë së Italisë, në vitet 80, kur punonjësit nxirreshin në pension mbas 19 vjetësh, 6 muajsh e një dite nga fillimi i punës. Atëherë nuk kishte forca, t’ashtuquajtura populiste, por pasojat e atyre vendimeve të marra për interesa zgjedhore e të ligjëruara për hapje vendesh pune rëndojnë prej dhjetëvjeçarësh mbi taksapaguesit italianë, në një kohë kur raporti i atyre që marrin pension, me ata që paguajnë kontribute është i shpërpjesëtuar në dobi të të parëve. Premtimet për të marrë vota e për të mbajtur pushtetin kanë qenë gjithmonë një konstante për politikën botërore, edhe në vitet më të suksesshme të saj.

Duke kërkuar në një fjalor italisht kuptimin e termit “populizëm”, hasa në këtë përkufizim: “Ideologji e një lëvizjeje politike ose artistike që sheh në popullin një model etik apo shoqëror”. Ideja e përkufizimit është e lashtë sa bota dhe mbart në vetvete gjithë demagogjinë, në gjendje të hipnotizojë turmat, për të përdorur fuqinë e tyre si bazë për t’u ngjitur në pushtet, për të zbatuar pastaj mbi kurrizin e tyre diktatura nga më të ndryshmet. Shembulli më shprehës i kësaj të vërtete janë sot Vendet e Amerikës latine, kryesisht Venezuela, e kthyer në gjendje urie kronike nga shteti më i begatshëm i kontinentit, si pasojë e një qeverisjeje “populiste” prej njëzet vitesh.

Bazat teorike të populizmit mbijnë nga ideologjitë, kryesisht të majta, të demagogjisë së koncepteve të barazisë shoqërore e prirjeve për të ndërpretuar çdo vështirësi të jetës shoqërore, si rrjedhojë e “politikës së padrejtë” të klasës drejtuese që kërkon të shkarkojë mbi popullin e thjeshtë të gjitha sakrificat e mundshme. Jo rastësisht, një nga emblemat e populizmit italian, që ka të veçantën e tij në marrëveshjen mes së majtës e së djathtës, është shprehja “populli kundër elitave”. Një koncept i tillë dasor i shoqërisë përbën demagogjinë më të dëmshme e më regresive që mund të përfytyrohet. Për të patur idenë se ku mund të çojë përqafimi i tij, duhet të kthehemi mbrapa, në përvojat e viteve 60 – 70 të shekullit të shkuar, të zbatuara nga Kina e Mao ce Dunit dhe akoma më keq nga Kamboxhia komuniste e Pol Potit.

Jo rastësisht drejtuesi aktual i Lidhjes së Veriut, Matteo Salvini, ka qenë para disa vitesh “themeluesi i komunistëve padanë” në Itali. “Qeveria e ndryshimit”, e kryesuar formalisht nga profesori Conte, ka shpallur në programin e saj një sërë parimesh e detyrash që përbëjnë gjithçka dhe të kundërtën e tyre, djallin dhe ujin e shenjtë, si në strategjinë ende jo të qartë ekonomike, ashtu edhe në politikën e jashtme, që me fjalë mbetet besnike e NATO-s dhe BE, por që me prirjen filo Putin të drejtuesve efektivë të saj, i ve minat gjithë kundërvënies së Perëndimit ndaj politikës agresive ruse në zona të ndryshme të botës. Madje, sipas Salvinit, NATO, si aleancë mbrojtëse, nuk duhet t’i mbajë sytë te Rusia, nga e cila nuk vjen asnjë lloj rreziku, por ta “mbrojë” Italinë nga “sulmi” që vjen nga Jugu, nëpërmjet varkave të mbushura me emigrantë. Sa e pështirë është kjo kërkesë, e kthyer në një strategji zgjedhore, me të cilën katërfishoi votat në zgjedhjet e fundit, mund të kuptohet kur të sjellim ndërmend se shtete me mundësi ekonomike shumë më të pakta se Italia, si Jordania apo Libani, i bëjnë ballë në heshtje e me zemër të hapur qindra mijëra të shpërngulurve nga zonat e luftës të Sirisë  apo Irakut.

“Qeveria e ndryshimit”, për mirë apo për keq do ta vërtetojë shpejt koha, e ngritur këto ditë në Itali, dashje pa dashje, bëhet një problem për Europën, mbasi në të do të gjejnë mbështetje gjithë forcat kundër sistem të kontinentit, të cilat nuk e duan atë në rrugën e tij të integrimit të plotë, mbasi ndjehen të “kërcënuara” në sovranitetin e tyre, në zbatimin e rregullave që pranohen bashkërisht.  Ato quhen “sovraniste” e qeverisin në vendet e lindjes, në Austri, janë të fuqishme në Francë (Bashkimi kombëtar), Gjermani (Alternativa për Gjermaninë), në Holandë, në Spanjë dhe arritën të shkëpusin Anglinë nga Europa nëpërmjet Brexit-it e gjejnë mbështetje edhe te mendësia e politika e presidentit të SHBA.

Vënien e interesave kombëtarë mbi çdo gjë ne, shqiptarët, ndoshta e ndiejmë më shumë se të tjerët si domosdoshmëri, sepse jemi ende një komb i ndarë në pesë shtete. Por sovranizmi i disa Vendeve të Bashkimit nuk është një dukuri e dobishme për të, sepse sa më shumë të vonohet procesi i integrimit të Europës, sa më shumë Vendet e saj të ngurojnë në dhënien e kompetencave organeve të Bashkësisë, aq më shumë do të zgjatet periudha e kalesës në Shtetet e bashkuara t’Europës, aq më e dobët do të jetë ajo në përballimin me botën në të gjitha drejtimet.

Para pak ditësh dëgjoja një komentator të njohur të shtypit shqiptar që, duke folur mbi zhvillimet e politikës italiane, shprehte keqardhjen për faktin se te ne nuk ka forca antisistem. Desha t’i them atij zotërie se duhet të falënderojmë Zotin që ende nuk i kemi ato forca. Është e vërtetë se Shqipëria ka nevojë për një shndërrim rrënjësor të klasës politike  të saj, por prania e forcave antisistem do të na hidhte nga shiu në breshër. Me drobitjen në të cilën ka arritur Vendi, një fitore e atyre forcave do të ishte varrimi i tij i plotë. Nëse rrezikohet të çojnë në falimentim Italinë merret me mend si do ta kishin katandisur Shqipërinë.

Për të kuptuar më mirë thelbin e dukurisë që sot po trondit Europën dhe institucionet e saj, së bashku me shpresat tona për të qenë një ditë jo të largët pjesë e saj, po e mbyll këtë shkrim me një fragment të njërit prej politologëve më të mirë italianë, prof. Angelo Panebianco, që në një artikull të botuar në Corriere della Sera të 21 marsit të këtij viti shprehet:

Një qeveri 5 yje – Lega do t’i detyronte të gjithë të kujtojnë se krisja politike themelore, jo vetëm në Itali, nuk është më ajo e majtë – e djathtë (socialistë – konservatorë) e kohëve të bukura në të cilat bota perëndimore ishte mjaft e qëndrueshme dhe e rregullt, aq sa t’i lejonte politikës, të ndihej ndërmjet mëdyshjeve më shumë Shtet apo më pak Shtet, më shumë apo më pak Shtet shoqëror e të tjera.

E çara themelore tani është ndërmjet forcave që kundërshtojnë shoqërinë e hapur dhe atyre që e mbrojnë atë. E meqë shoqëria e hapur, e themeluar mbi demokracinë përfaqësuese dhe ekonominë e tregut është një prurje e përkatësisë sonë botës perëndimore, kush e kundërshton duhet të kundërshtojë edhe atë përkatësi, duhet të dobësojë lidhjet me Europën dhe Shtetet e Bashkuara, duhet të zhvendosë hap mbas hapi Vendin drejt një aleance me Rusinë (nënkuptohet me shoqëritë e mbyllura)”.   

Meqë ne shoqërinë e mbyllur, madje tejet të mbyllur, të ngjashme me burgun, e provuam për gjysmë shekulli, duke paragjykuar jetët e dy brezave, nuk duam të biem as në shëmbëlltyrën sado të zbehtë të saj. Duke mbajtur parasysh të mirat e shoqërisë së hapur, edhe në kufizimet e saj, duhet të jemi të vendosur në mos pranimin e së kundërtës së saj, edhe në format më të sheqerosura e më ndjellëse, të cilat nuk mungojnë të na serviren çdo ditë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Nisin Ditët e Studimeve Shqiptare: Kërkuesit shkencorë parashikojnë ndikimet e Reformës në Drejtësi

Nis sot për të pestin vit radhazi Konferenca “Ditët e Studimeve Shqiptare”....
Read More