QSUT: Dyndje në Urgjencën Kirurgjikale, 180 raste në ditë, 10 operohen

Vetëm gjatë javës së fundit ka patur një rritje të kërkesave për ndihmë mjekësore nga qytetarët si shkak i ndryshimit të temperaturave dhe komplikacioneve nga i nxehti

Çdo ditë 180 persona kërkojnë ndihmë mjekësore në Urgjencën Kirurgjikale në QSUT, prej të cilëve 10 operohen me urgjencë. Nga apendiciti, te koliti, hemorroidet e deri te herniet dhe një sërë problemesh të tjera, kirurgët e përgjithshëm kryejnë këto operacione vetëm brenda një dite, shto këtu rastet e planifikuara. Kjo gjendje ka ngarkuar urgjencën e spitalit terciar më të madhin në vend dhe rënduar së tepërmi punën e mjekëve, teksa spitalet dhe urgjenca përballen me një sërë mungesash. Për këtë arsye nga ky muaj, çdo të mërkurë rastet e urgjencës do të transportohen drejt urgjencës kirurgjikale të spitalit universitar “Shefqet Ndroqi”, përjashtim do të bëjnë vetëm rastet e rënda që kanë nevojë për shërbime të specializuara në kardiokirurgji, neurokirurgji dhe djegie plastikë. Kjo reformë nuk prek Spitalin Ushtarak dhe çdo rast traume do të marrë ndihmën mjekësore në urgjencën e këtij spitali. Skënder Brataj, drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, në një intervistë për “Mapo” shpjegon se ky është vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë në kuadër të patronazhit të spitaleve rajonale, dhe katër herë në muaj urgjencat kirurgjikale do të përballohen nga Spitali Universitar Shefqet Ndroqi i cili tashmë, sipas doktorit, është gati për pritjen e të gjitha urgjencave kirurgjikale; janë gati sallat e operacionit bashkë me stafin mjekësor të specialistëve kirurgë, anestezistë, instrumentistë dhe personel mbështetës.

Situata

Drejtori i QKUM, z. Brataj thotë se analiza e bërë dhe trendi ka treguar se është në rritje të vazhdueshme numri i rasteve që kërkojnë ndihmë mjekësore në urgjencën kirurgjikale në QSUT. Aktualisht me një mesatare rreth 180 pacientë në ditë, prej të cilëve rreth 10% janë shtruar në Shërbimet klinike. Diagnozat kryesore të paraqitura më shpesh në urgjencën kirurgjikale janë: Apendicit akut, Peritonit, Hernie, Kolecistit akut, Abces Anal, Hemorroide etj. Nga ky numër dhe këto diagnoza kryhen rreth 10 operacione kirurgjikale urgjente në ditë.

Ndryshimi

Sikurse e shpjegon edhe vetë doktori nisur nga situata e në urgjencën e QSUT-së, duke filluar nga muaji korrik datë 4, çdo të mërkurë, pra katër herë në muaj urgjencat kirurgjikale do të përballohen nga Spitali Universitar Shefqet Ndroqi i cili tashmë është gati për pritjen e të gjitha urgjencave kirurgjikale. Ndërkohë që rastet e sjella me Helikopter, do të vijnë te QSUT, por do të transportohen më pas me autoambulancë drejt spitalit Universitar Shefqet Ndroqi. Përjashtim nga dërgimi në urgjencën e Sanatoriumit, do jenë rastet e rënda në kardiokirurgji, neurokirurgji dhe djegie plastikë, po kështu edhe Trauma e Ushtarakut. Pyetjes së përse po bëhet ky ndryshim, drejtori i QKUM shpjegon se: “Duke qenë se është rritur shumë numri i pacientëve në urgjencën kirurgjikale dhe si pasojë edhe numri i ndërhyrjeve dhe shtrimeve në repartet e kirurgjisë, gjë e cila çon në mbipopullim e tyre, ndërsa në spitalet e tjera mund të ketë shtretër të lirë. Një ditë në javë do të krijonte mundësinë e lirimit të këtyre shtretërve në këto reparte. Një tjetër aspekt është fakti se këto institucione janë qendra terciare dhe kanë për detyrë përgatitjen e mjekëve të rinj, specialistëve të rinj dhe kërkimit shkencor dhe një ditë në javë iu jepte mundësinë e plotësimit të këtyre detyrave. Prandaj të gjitha rastet që transferohen nga spitalet rajonale si të sëmurë kirurgjikalë do të jenë me epikrizë përcjellëse të vlerësuar nga specialistët e këtyre spitaleve”.

Ndihma

Në rast urgjence si mundet qytetarët të thërrasin autoambulancën? Sipas z. Brataj mjafton një telefonatë në numrin 127 për çdo urgjencë mjekësore, në varësi të parashtrimi të problematikës shëndetësore mund të dërgohen në urgjencë ose të asistohen me ndihmë mjekësore në shtëpi. Vetëm gjatë javës së fundit ka patur një rritje të thirrjeve nga qytetarët si shkak i ndryshimit të temperaturave, dhe komplikacioneve nga i nxehti. Numri i thirrjeve nga data 27.06.2018 deri sot 04.07.2018 (1 javë) ka qenë 2656, skeda 2621, misione 574, nga të cilat misione të dërguar në spitale është 218, ndërsa në vendngjarje është 356. Kodi i patologjisë, kodet e rëndesës së sëmundjet, ku kodi i kuq ku personi është shumë i rëndë, më pas vjen kodi i verdhë, më pak i rëndë, kod jeshil dhe kodi i bardhë ku përshkruhen rastet e lehta të personave; këto kode kanë qenë: Kodi i kuq 45, kodi i verdhë 289, kodi jeshil 240, që do të thotë rreth 82 misione në ditë nga 79 që ka qenë më parë.

Rastet

Aktiviteti i QKUM ka treguar se me aktivizimin e Njësisë së Koordinimit me datë 3 prill 2017 është përmirësuar cilësia e shërbimit dhe numri i misioneve ndaj qytetarëve. Analiza njëvjeçare tregoi se nga të dhënat aktuale rezultonte se kishim rreth 40.000 thirrje për ndihmë mjekësore, ndërsa nga aktivizimi kemi rreth 160.000 thirrje, nga rreth 10.000 vizita tani kemi 30.338. Një risi tjetër pranë Njësisë së koordinimit është reanimacioni kardiopulmonar telefonik. Kur flasim për emergjencë-urgjencë, flasim për arrest kardiopulmonar dhe siç dihet qeliza cerebrale duron deri në 6 minuta. Nga gjashtë deri në dhjetë minuta fillojnë dëmtimet e parikthyeshme, gjë që do të thotë që pacienti mund të ringjallet, por nuk do të zgjohet ndonjëherë, por do të ngelet në koma për gjithë jetën. Nëpërmjet protokollit të reanimacionit kardiopulmonar ne blejmë këto minuta deri sa të mbërrijë ekipi mjekësor nëpërmjet sektorit të menaxhimit. Pranë Njësisë së Koordinimit është ekipi mjekësor që bën konsulta online, që do të thotë që çdo qytetar ose pacient merr këshillime nga mjeku dhe nuk është e nevojshme të shkojë në asnjë institucion, qendër shëndetësore ose urgjencë spitali. Numri i konsultave mjekësore telefonike me mjekun 24/24 orë për një vit kanë qenë rreth 17.000 të tilla.

 

Kërkesa për ndihmë

Alo 127, kam nevojë urgjente për mjekë. Qytetari merr në telefon thotë simptomat, çfarë ka, nga se vuan. Infermieri që përgjigjet në telefon në bazë të pyetjeve që i bën dhe filtrit që ka në program përcakton kodin. Quhet kodi i patologjisë, kodet e rëndesës së sëmundjeve, kodi i kuq kur personi është shumë rëndë, më pas vjen kodi i verdhë, më pak i rëndë, kod jeshil dhe kodi i bardhë ku përshkruhen rastet e lehta të personave. Qendra e koordinimit telefonon mjekun e terrenit dhe i jep kodin e vënë edhe orientimin gjithmonë nga çfarë ka thënë qytetari, që mjeku i terrenit të jetë i përgatitur me çfarë do përballet, kjo quhet kod nisje. Ndërsa kodin ekzakt e vë mjeku i terrenit pasi ai e sheh pacientin edhe e konfirmon. Mund të jetë i njëjti kod, mund të jetë më i rëndë ose më i lehtë. Edhe në sistem vendoset kodi i mbërritjes.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Një superkoktejl për çmimet e letërsisë

Dy fituesit e Ministrisë së Kulturës për veprën letrare më të mirë,...
Read More