Qytetarja përlotet dhe përqafon Ramën, Zheji: Si shkëlqimi i rremë i varakut

Një grua, Redi Kola, i ka kërkuar një përqafim kryeministrit Edi Rama pas zgjidhjes së problemit të saj me pronën vetëm pas denoncimit në portalin qeveritar.

“Kam tetë vite që përpiqem me mish dhe shpirt, me luftë, jam nënë 63 vjeç, ato dy vajza të vogla 10-vjeçare i kam lindur në moshën 53 vjeç. Rrija ditë e natë në hipotekë, përgjigje nuk më jepnin. O Zot ku me shku. Me atë pronë unë mund të shes, ta lëshoj me qira që të rris fëmijët e mi, t’i shkolloj, t’i bëjë të denjë për këtë vend, t’i bëjë të denjë për ju Edi Rama, që na dhatë mundësinë. T’iu përqafoj të lutem. Vajzat e mia donin të vinin, por nuk mundën dhe më thanë bëje një foto me Edi Ramën. Më keni bërë gruan më të lumtur në botë, kjo është dita e dytë më e lumtur, njëherë kur linda fëmijët dhe njëherë kjo,” u shpreh zonja.

Por analisti Artur Zheji thotë se ky rast është si një shkëlqim i rremë varaku.

SHKRIMI

Dikur, në kohëra që më nuk kujtohen, shqiptarët ngroheshin me një lloj sobe me dru, që e quanin edhe shporet dhe që ishte e një cilësie të dyshimtë.

Modeli i vjetër i shporetit, përpara se sa të dilnin sobat e “modelit të fundit” të Uzinës “Partizani”, që ishin të emaluara dhe më estetike, këto shporetet pra, njërin prej të cilëve e kisha edhe unë në apartamentin tim te Rruga e Durrësit, nxiheshin nga nxehtësia dhe duheshin lyer.
Lyheshin asokohe, me një bojë që thirrej “varak”, që hollohej me vajguri dhe i cili qarkullonte dy llojesh, ngjyrë argjendi dhe ngjyrë ari. Në të vërtetë, fill pas lyerjes soba ose shporeti dukej krejt si i ri, dhe me këtë varakun, lyheshin edhe qyngjet, disa tuba llamarine që përcillnin tymin, nga shporeti, në një vrimë të hapur në mur, që e përcillte më tej tymin e prodhuar, në oxhakun qendror të banesës, që e degdiste në tarracën apo çatinë e “pallatit”, nga edhe parfumonte qytetin me aromën e drurit të shkrumbuar…

Pas disa përdorimesh të shporetit, vetë shporeti dhe qyngjet, nxiheshin përsëri, sepse varaku, kaq mbante për Zotin!
Prej atëherë shqipja e mrekullueshme e asaj kohe, zëvendësoi fjalën e urtë: “I doli boja!” me shprehjen më bashkëkohore: “I doli varaku kësaj pune”, apo “Emo, e ka lyer me varak të freskët prandaj dhe duket kështu, se në të vërtetë, e njëjta vjetërsirë është…”

Tërë kjo tablo që përshkova, mu shfaq vetëtimthi para sysh, kur pashë përqafimin e mallëngjyer të zonjës Redi Kola me KM-në, shkak një pusullë e rëndësishme hipoteke, që zonjës i kish zgjidhur padyshim një hall të madh, por që në të vërtetë është një veprim rutinor administrativë, me të cilin, “për arsye aspak elektorale dhe propagandistike (?!), merret personalisht KM-ja.
Përse?

Sigurisht për të përfituar një përqafim të mallëngjyer përpara kamerave, si një politikan “superstar”, që populli e beson, e do, e përqafon dhe që, ai, KM-ja, din ta bëjë të lumtur, madje sipas fjalëve të zonjës Redi Kola, “më të lumturën në botë!”

Dhe këtu shpërthen “live”, mjerimi dhe qesharakja në të njëjtën kohë…

KM-ja, fërkon faqen e parruar, nga shumë dështime të nxehta, që lidhen me drogën dhe korridoret e saj në funksion të plotë, vrasjet e shumëfishta, mungesën e investimeve, mungesën e punësimeve, aksidentet e panumërta të rrugëve pa standarde, të konçesionomanisë, të braktisjes masive të Shqipërisë, të korrupsionit galopant e të gjithë përhapur, të blerjes së hapur të shumicës së mediave, të luftës së nëndheshme dhe të mbidheshme ndaj të gjithë kundërshtarëve të tij, tanimë edhe nga shoqëria civile, me flokët e zonjës Kola, ndoshta sinqerisht e lumtur, që mbaroi një punë, të cilën prej 8 vitesh, duhet ta kishte kryer.

Nga 8 vite vuajtjeje, 6 vite prej tyre të së ish të dëshpëruarës zonja Kola, në periudhën e qeverisjes së këtij KM-së, faqe parruar.

Që në objektiv të mediave dashnore, shtroi përmes hallit të zonjë Kola, një shtresë varak, mbi qyngun e nxirosur nga tymrat e bandave që na rrethojnë, përbërë nga banditë të vërtetë, që komandojnë plazhe, biznese, zona elektorale, tendera, ndërtime e asfaltime, parcela e betonime, e më the të thashë…
Dhe që janë të paprekshëm sigurisht.

Isha në të vërtetë, shumë më rehat në përshkrimin e shporetit, qyngjeve, varakut të holluar me vajguri të kohës së “socializmit”, por edhe atëherë, në Varak-Jetën ku ndodhej “Foleja e Shqipeve”, ose Shqipëria Socialiste, si zonja Kola (ndjesë zonjë ta gëzoni tapinë apo shtëpinë), kishte fabrika dhe kombinate të tëra, kooperativiste dhe “intelektuale”, aksioniste dhe zboriste, që do të linin kokën, për ta mbështetur qoftë edhe njëherë atë kokë, në gjoksin e Partisë…

“Varakopoli”, do të mund të mbiquhet koha që jetojmë, me KM-në me furçë varaku në dorë, duke lyer njollat e shumta, por pa ndryshuar aspak burimin e tyre. “Shporetin” qeverisës ku digjen pa shpresë, shpresat e shqiptarëve… që kanë stomak të fortë e nuk zënë e u përzihet nga skena të tilla telenovelash, që shiten në tregun e shumicës 5$ seria.

Shkruar Nga
More from Redaksia

20 talentet që duhen vëzhguar në Botëror

  Kupa e Botës është një mundësi unike për lojtarët e rinj,...
Read More