Referendumi në Maqedoni, DASH: Mos e humbisni këtë mundësi historike

Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar në lidhje me referendumin e mbajtur një ditë më parë në Maqedoni për çështjen e ndryshimit të emrit, sipas marrëveshjes me Greqinë.

DASH ka përshëndetur rezultatin e referendumit, ndërsa i bën thirrje Kuvendit të përkrahë implementimin e plotë të marrëveshjes së Prespës në Kuvend.

“SHBA përshëndesin rezultatin nga referendumi i 30 shtatorit në Maqedoni, ku qytetarët shprehën përkrahje për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë dhe Greqisë. SHBA fuqishëm mbështesin implementimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, e cila do të mundësojë vendin e merituar në NATO dhe BE dhe do të kontribuojë për stabilitetin rajonal, sigurinë dhe prosperitetin.

Tani kur Kuvendi i Maqedonisë do të debatojë për ndryshimet kushtetuese, i bëjmë thirrje liderëve që të ngrihen mbi politikat partiake dhe të mos e lëshojnë këtë mundësi historike për të siguruar të ardhme më të ndritur për vendin, si vend anëtare e barabartë në institucionet ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e DASH.

Deri me tani janë numëruar rreth 98.6 % e votave të referendumit për çështjen e emrit dhe anëtarësimin në NATO në Maqedoni, i cili është karakterizuar nga një pjesëmarrje relativisht e ulët. Pro, deri me tani rezultojnë të jenë 91.48%, ndërsa kundra rezulton se kanë votuar 5.64%. Qendrat e votimit janë mbyllur në orën 19 të së dielës dhe sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja ishte mbi 36.8 për qind, kuotë që e përkthyer në shifra i bie 661 mijë e 393 qytetarë nga mbi 1 milion e 800 mijë me të drejtë vote. Procesi është zhvilluar nën monitorimin e 12 mijë vëzhguesve vendas dhe 493 të huaj dhe gjatë tij janë regjistruar rreth 20 incidente, të cilat gjithsesi nuk kanë ndikuar në ecurinë e votimeve.

Nga të dhënat zyrtare rezulton se shumica e incidenteve u verifikuan gjatë paradites, ndërsa 6 prej tyre në orët e pasdites.

Një orë pas mbylljes së pikave të votimit ka ardhur reagimi i kryeministrit Zoran Zaev, i cili e ka cilësuar referendumin “të suksesshëm”, pavarësisht pjesëmarrjes së ulët.

Duke theksuar se respekton tërësisht vullnetin e qytetarëve, Zaev ka nënvizuar se çështja do t’i kalojë Kuvendit. “Dhe nëse Kuvendi nuk e zgjidh, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka paralajmëruar kryeministri.

Në të njëjtën linjë, aleati i tij shqiptar Ali Ahmeti ka nënvizuar se qytetarët ia deleguan vendimmarrjen Kuvendit, por ka kundërshtuar opsionin e zgjedhjeve. Një grup qytetarësh u mblodh para selisë së Kuvendit për të protestuar kundër marrëveshjes me Greqinë, e nënshkruar në muajin qershor në Prespë.

Përmes një podiumi të vendosur përpara hyrjes së Parlamentit, qytetarët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Zaev. Për të parandaluar një përshkallëzim eventual të situatës, një kordon me agjentë policie është u vendos përpara hyrjes së godinës. Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Kristjan Miçkoski ka deklaruar se, rezultati i referendumit tregon se qytetarët hodhën poshtë marrëveshjen e turpshme dhe nuk lejuan ndryshimin e emrit dhe identitetit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Stafi i ALBtelecom dhuron “jetë” për fëmijët talasemikë

Si një prej kompanive më aktive në fushën e përgjegjësisë sociale të...
Read More