Refugjatët vajtje-ardhje: Pse Shqipëria u bë prapë “qendra e botës”

Ditë vendimtare në Europë për krizën e refugjatëve nga Lindja. Plani për ta bërë Shqipërinë një vend kyç për pritjen e përkohshme të azilkërkuesve jashtë BE dhe “shpërblimi” me hapjen e negociatave.

Nga Nevila Perndoj

Negociata për anëtarësim në BE për meritë apo ndihmë për Shqipërinë për t’i dhënë një goditje ndikimit rus në Ballkan dhe një shpresë rajonit, që s’po gjen veten në këto tri dekada? Kjo pyetje po qarkullonte prej kohësh në qarqet diplomatike, ku flitej jo pak për fatin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Deri sa, në prag të Samitit të liderëve të Unionit doli një tjetër çështje.

Ajo është një krizë e brendshme e BE, por që prek edhe vendet ballkanike. Refugjatët e Lindjes janë shtruar në tryezat europiane për zgjidhje, pasi kanë tronditur stabilitetin e qeverive siç është ajo e Gjermanisë, vendi lider në BE.

Dhe në prag të Samitit të 28 qershorit vjen edhe propozimi i diskutueshëm (jozyrtar) që fut në lojë Shqipërinë: të ngrejë kampin ose një nga tri kampet e refugjatëve dhe të marrë hapjen e negociatave për anëtarësim. Jemi një vend europian jashtë BE-së, siç parapëlqejnë disa nga anëtarët e unionit për të mbledhur refugjatët. Po ashtu, duam hapjen e negociatave të anëtarësimit prej gati një dekade që për faj të politikës sonë nuk ia kemi dalë dot.

A është momenti që të japim më shumë sesa të marrim për hir të integrimit? A është momenti edhe të “shpëtojmë” stabilitetin e qeverisë së Merkel, (siç shkruan së fundmi një artikull i DW) të cilën refugjatët e kanë futur në krizë vetëm pak muaj pasi Kancelarja nisi mandatin e katërt?

Asnjë përgjigje nuk është e sigurt deri tani. Pikat mbi “i” pritet të shtrohen nesër (e diel) gjatë një takimi me kryetarët e shteteve të BE-së, me iniciativën e Merkelit në një takim të nivelit të lartë në Bruksel. Po përse Merkel?

Deutsche Welle seksioni shqip shkruan se, “partia gjermane në pushtet, CDU, dhe partia simotër nga Bavaria, CSU u përplasën javën e fundit si dy lokomotiva të drejtuara nga kryetarët përkatës, Angela Merkel dhe Horst Seehofer…”.

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, do të kthejë emigrantët në kufi, nëse kancelarja gjermane Angela Merkel nuk gjen një zgjidhje në nivel unioni deri në fund të qershorit.

Por kjo çështje nuk është vetëm debat i brendshëm gjerman. Pjesë e saj është edhe buxheti i Eurozonës, sepse disa aktorë me interesa të ndryshëm janë të përfshirë në të.

Merkel deklaroi gatishmërinë për të patur një buxhet për investimet në zonën e euros. Paketa duhet të fillojë më 2021, duke plotësuar kështu një kërkesë të Presidentit të Francës Emmanuel Macron, edhe pse shifra nuk është bërë publike ende. Nga ana e tij, Macron i ka premtuar Merkelit një marrëveshje bilaterale për pranimin e refugjatëve.

Pjesë e diskutimit për një zgjidhje të mundshme të krizës së refugjatëve është edhe Shqipëria dhe ndonjë vend tjetër i Ballkanit, që nuk është në BE. E para ka qenë Austria që ka lakuar Shqipërinë si vend pritës i mundshëm për azilkërkuesit që i drejtohen Bashkimit Europian. Një zëdhënës i qeverisë austriake ka konfirmuar se bisedime për qendra të tilla kanë nisur me Shqipërinë dhe me vende të tjera. Kryeministri Rama, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në turin e tij të llogaridhënies, kinse e përgjithësoi debatin që nuk lidhet vetëm me ngritjen e një kampi refugjatësh por edhe të ISIS. “ …Kanë prodhuar këtë broçkullën tjetër kozmike të 600 mijë ushtarëve të ISIS-it që do vijnë në Shqipëri. ISIS nuk i ka njëherë 600 mijë ushtarë atje në terren, se po shkatërrohet dita-ditës, jo më të ketë 600 mijë pasagjerë që janë mbledhur me kallashnikovë dhe po presin avionët që të vijnë në Shqipëri. Ndërkohë që s’ka sesi t’i shkojë në mendje kujtdo, qoftë në Europë, që të mendojë se Shqipëria mund të bëhet një megapikë grumbullimi për 600 mijë, qofshin dhe refugjatë të zakonshëm…” – tha ai. Rama u kujdes të fokusohej te debati për dy çështje krejt të dallueshme, kampi i ISIS (që e ka mohuar në mënyrë kategorike) si dhe te numri 600 mijë (i refugjatëve) që po ashtu është mohuar. “Fake News”…komenton Rama edhe në Facebook.

Spartak Ngjela në një koment të tij në Facebook shkruan ndër radhë se, “numri prej 600 mijë refugjatësh krijon një shtet të ri në Ballkan…Mali i Zi sot është 650 mijë banorë”.

Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda, e ka shtuar komunikimin me mediat për këtë çështje. Ajo deklaron se nuk ka kërkesë zyrtare nga ndonjë vend i BE-së apo vetë KE-ja për ndërtimin e një kampi emigrantësh në Shqipëri. Për këtë çështje, i ngacmuar nga media, foli dy ditë më parë edhe kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla. “Ka vetëm një rikthim të shqetësimit mbarë europian për një kanal të ri që lidh Europën Juglindore me Europën Qendrore të rrugës së emigrantëve që vijnë nga vendet e konfliktit dhe që mund të shfrytëzojnë këtë kanal Greqi-Shqipëri-Mal të Zi-Kroaci dhe më pas Europa Qendrore.

Ky informacion është publik, por Shqipëria as nuk ka negociuar, Shqipëria nuk ka as kapacitete për të strehuar numra të tillë. Por një vend si Shqipëria, që mund të jetë pjesë e këtij kanali transferimi, sigurisht që do të mbajë përgjegjësitë e veta për aq sa i takojnë këllqeve të një vendi me 28 mijë km katror dhe me 3 mln banorë rezidente”, – tha Balla.

Por, a i ka kapacitetet Shqipëria për të strehuar edhe më pak refugjatë se 600 mijë, shifra që lakohet në çdo media ndërkombëtare?

Gerald Tatzgern, Drejtor i Zyrës Kundër Trafikimit të Njerëzve në Zyrën Federale të Kriminalistikës në Austri tha se “…Mund të them nga këndvështrimi i policisë, se nëse do të ngrihen këto qendra, pavarësisht se ku, atëherë ne duhet t’i mbështesim shumë policitë e këtyre vendeve…”.

A ka plane për këtë? “Ne kemi aktualisht një plan që nga sektori ynë të dërgohen nëpunës (Zyra Federale e Austrisë për Kriminalistikën) në Shqipëri”, – përgjigjet ai.

BE-ja në këtë rast ka një problem më pak, por vendet në diskutim si Shqipëria kanë një problem më shumë, mbi të gjitha për rrezikun e përfshirjes në kamp edhe të simpatizantëve të IS-it por edhe se mund të krijohen hapësira të reja për grupet e trafikimit, në një vend të pakontrolluar si ne.

Eksperienca me eksodin kosovar

Një tjetër argument që po hidhet hipotetikisht në tryeza bisedimesh është se Shqipëria e ka përballuar një krizë humanitare gati dy dekada më parë. Por, a mund të hiqet një paralele mes tyre? Rreth 20 vjet më parë, Shqipëria priti dhe strehoi vëllezër të një gjaku. Kryeministri i kohës Pandeli Majko hapi dyert edhe për një arsye që nuk u tha zyrtarisht. Eksodi i kosovarëve që dëboheshin nga makineria e luftës e Sllobodan Milosheviçit kishte një qëllim tjetër: dërgimin e tyre në çdo cep të botës që të mos ktheheshin më në Kosovë. Vendimi i qeverisë shqiptare të kohës ishte shumëplanesh, pasi shpërndarja e kosovarëve anë e kënd globit ishte një ide që po përkrahej edhe nga liderë botërorë të kohës, që me dije apo padije mbështesnin largimin e tyre përtej Ballkanit. Atë botë, qeveria shqiptare nuk kishte kapacitetet për ta përballuar një fluks të tillë. Si ish-zv.ministër përgjegjës për krizën e 99-ës, Taulant Dedja shkruan në një koment të tij për këtë çështje se, “ishte populli ai që shpëtoi qeverinë shqiptare nga turpi i mungesës së kapaciteteve” . Ndërsa Kastriot Islami, si ish-Koordinator për Krizën e Kosovës në 1999, në një prononcim për gazetën “Mapo” nënvizon se, janë dy ngjarje që ndodhin në kohë të ndryshme e të lidhura me kontekste krejtësisht të ndryshme. “…Por janë dy ngjarje që kanë afërsi vetëm në një aspekt; Krizën humanitare të 1999 e shkaktoi regjimi diktatorial i Millosheviçit ashtu si edhe kjo ide e çmendur vjen nga regjimi oligarkik, kriminal dhe i korruptuar i Edi Ramës”. Islami thekson gjithashtu se, “ndërsa kriza humanitare e 1999 u menaxhua me sukses kryesisht për shkak të mikpritjes dhe angazhimit të të gjithë familjeve shqiptare, kjo ide e çmendur do të dështojë me sukses”.

“Pazari” për negociatat

Prej disa ditësh, opozita po këmbëngul se kryeministri Edi Rama po bën pazar me Brukselin për ngritjen e një kampi refugjatësh në Shqipëri në këmbim të përshpejtimit të procesit për anëtarësimin e vendit tonë në BE. “…Një dimension i tillë që kapërcen kufijtë e vendit tonë nuk mund të jetë një vendim i vetëm i një personi, aq më pak nëse kjo serviret si karamele për të ëmbëlsuar gojën e hidhur të Europës nga skandalet Tahiri, Xhafaj dhe lufta e pamjaftueshme kundër drogës dhe krimit”, – ishte përgjigja e Bashës kur është pyetur për këtë çështje.

Ndryshe nga qëndrimi i djeshëm i Gjermanisë, që megjithëse pozitiv, ende jo përfundimtar, lajme jo të mira vijnë nga Holanda. 125 deputetë të Holandës kanë votuar kundër propozimit të hapjes së negociatave të integrimit me Shqipërinë. Deputetët kërkojnë që qeveria e tyre të vendosë veton në Samitin e datës 28 dhe 29 qershor.

Përpos skepticizmit europian, që mund të lëshojë pe në këmbim të gjetjes së një zgjidhje për krizën e refugjatëve, në Shqipëri ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, shkruante pak ditë më parë se, “nëse ka ndonjë politikan europian i cili diskuton ‘ftesën’ për të hapur negociatat e integrimit europian për Shqipërinë me pranimin e ndërtimit të kampeve të refugjatëve atëherë kjo ‘ftesë’ më mirë të mos vijë…”.

Si njohës i krizave të tilla humanitare, (nisur nga eksperienca e Kosovës), Majko në fakt shtron një pyetje dyshuese, të ngjashme për çdokënd në Shqipëri: “Pse diçka që nuk është e mirë për Europën është e mirë për Shqipërinë?”.

 

Kastriot Islami: Pse kriza kosovare e ‘99-ës nuk ka ngjashmëri me refugjatët e Lindjes

Z.Islami, (si ish-Koordinator për Krizën në Kosovë) a mund të krahasohet pritja e kosovarëve rreth 20 vjet më parë me këtë të 600 mijë refugjatëve të Lindjes që propozohet sot dhe cilat janë ndryshimet?

Ndërsa ngjarja e 1999 ishte një dëshirë e madhe e të gjithë shqiptarëve për të mbështetur pavarësinë e Kosovës, opsioni i pritjes dhe strehimit të azilkërkuesve afrikanë që thuhet mund të arrijnë deri në 600 mijë është një sajesë e turpshme, qesharake dhe e rrezikshme e Ramës për të ruajtur dhe mbajtur vetëm karrigen e kryeministrit.

Ndërsa për strehimin e mbi 500 mijë vëllezërve nga Kosova të gjithë familjet shqiptare kishin mbështetjen e të gjithë vendeve të BE-së dhe ishin të gatshme t’i pranonin ata në vendet e tyre, për sajesën e Ramës vendet e BE nuk pranojnë asnjë prej tyre kurse SHBA është kundër këtij opsioni.

Ndërsa NATO ishte në krah të Shqipërisë për operacionin humanitar me një mision special për të ndihmuar shqiptarët në menaxhimin e kësaj krize humanitare, në rastin konkret të kësaj sajese të çmendur të Ramës shumë nga vendet e NATO nuk besojnë se vendi më i korruptuar dhe më i inkriminuar në Europë do të mund të menaxhojë i vetëm këtë sajesë të çmendur, madje disa nga vendet më serioze e kanë kuptuar që këtë Rama e bën vetëm për karrigen e tij kryeministrore.

Ndërsa krizën humanitare të shkaktuar nga regjimi i Millosheviçit ishin të gatshëm të gjithë shqiptarët ta absorbonin me sakrificat e tyre siç ndodhi realisht, këtë sajesë të Ramës të gjithë shqiptarët janë të gatshëm të ngrihen në protesta dhe ta refuzojnë me revolta dhe me neveri. Prandaj mund të thuhet se këto janë dy ngjarje të pakrahasueshme. Janë dy ngjarje që ndodhin në kohë të ndryshme e të lidhura me kontekste krejtësisht të ndryshme. Janë dy ngjarje që lidhen me situata të ndryshme politike si në Shqipëri ashtu edhe në Europë.

Por janë dy ngjarje që kanë afërsi vetëm në një aspekt; Krizën humanitare të 1999 e shkaktoi regjimi diktatorial i Millosheviçit ashtu si edhe kjo ide e çmendur vjen nga regjimi oligarkik, kriminal dhe i korruptuar i Edi Ramës. Dhe së fundmi, ndërsa kriza humanitare e 1999 u menaxhua me sukses kryesisht për shkak të mikpritjes dhe angazhimit të të gjithë familjeve shqiptare, kjo ide e çmendur do të dështojë me sukses.

A kemi kapacitete pritëse dhe menaxhuese?

Të gjithë misionet humanitare të organizmave ndërkombëtare të specializuar për menaxhimin e krizave humanitare dhe misionet humanitare të vendeve të ndryshme të BE, NATO e tjerë kanë thënë me sinqeritet maksimal: Se kriza e 1999, kriza më e madhe humanitare në Europë pas Luftës së Dytë Botërore u menaxhua në saje dhe vetëm të mikpritjes së familjeve shqiptare. Ato përbënin edhe kapacitetin më të madh menaxherial.

Ndërsa nëse kjo sajesë e çmendur e Ramës do të pranohej nga vendet e BE, gjë që për mendimin tim nuk ka asnjë shans të ndodhë, sepse lidershipi serioz dhe i përgjegjshëm europian nuk mundet t’i ngarkojë një detyrë kaq të rëndë që nuk është në gjendje ta zgjidhë vetë vendin më të varfër, që qeveriset nga qeveria më e korruptuar, më e inkriminuar dhe e lidhur me klanet mafioze dhe trafikantët e rrezikshëm të drogës e të armëve, kjo do të pasohej nga katastrofa më e madhe që ka njohur ndonjëherë rajoni dhe Europa.

Shqipëria nuk ka kapacitete për të menaxhuar këtë sajesë të Ramës se familjet shqiptare janë kundër saj dhe nëse kjo ngjarje do t’u imponohej shqiptarëve atëherë ajo të ishte një fatkeqësi për ta.

Ç’pasoja kemi nëse Shqipëria i pranon?

Dy mundësi ka. Njëra që kjo sajesë e çmendur e Ramës të mos pranohet nga vendet e BE. Dhe tjetra, që kjo sajesë t’iu imponohet shqiptarëve. Në këtë rast shumica e azilantëve do të bëheshin pre e skafistëve dhe trafikantëve të qenieve njerëzore për t’u dërguar drejt Italisë duke patur edhe ndihmën e të një njëjtit rrjet policor që menaxhoi kultivimin dhe trafikimin e kanabisit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Një lajm i mirë për shkencën nga Samiti i Triestes

Samiti i Triestës ku krerët e BE-së u takuan me krerët e...
Read More