Rikthehen atentatet: Tirana tronditet nga plumbat në ish-Bllok, një i vrarë dy të plagosur


Vritet me armë zjarri Rigels Gaxha. Ngjarja u shënua mbrëmjen e djeshme në Tiranë, kurse objektivi i atentatit dyshohet se ishte Ervis Martinaj ku bashkë me të mbeti i plagosur edhe Laert Hasa. Kush është Ervis Martinaj, personazhi i dyshuar për disa ngjarje të rënda. Vrasjet po bëhen më të rralla, por më të frikshme.

Atentat në Tiranë me një të vrarë dhe dy të plagosur, ku mes të plagosurve është Ervis Martinaj, një personazh i dyshuar për vrasje dhe kërcënime. Viktimë e atentatit mbeti Rigels Gaxha, i cili dyshohet se ishte truprojë e Ervis Martinajt, ndërsa i plagosuri tjetër quhet Laert Hasa. Atentati ndodhi në një lokal në zonën e ish-Bllokut rreth orës 21:50 të mbrëmjes së djeshme. Nga strukturat e rendit dyshohet se objektiv i atentatit ishte Ervis Martinaj, një personazh mjaft i njohur i dyshuar për disa ngjarje të rënda të ndodhura në kryeqytet. Së fundmi Martini është dënuar me 1 vit e 4 muaj si i përfshirë në vrasjen e Enton Nikës dhe plagosjen e Ismet Gaxherrit në vitin 2015. Po ashtu, emri i tij ka dalë edhe në dosjen e bujshme gjyqësore kundër Emiljano Shullazit. Ishte i mbrojturi nga drejtësia Ylvi Beqja që pretendoi se Martinaj e kishte kërcënuar me jetë në emër të Emiljano Shullazit që të tërhiqej nga denoncimi. Gjithsesi këto pretendime nuk u vijuan të hetonin më tej, por mbetën vetëm në kuadrin e denoncimit. Ora News raporton se Martinaj dyshohet për një vrasje në Dajt dhe për plagosjen e një biznesmeni të njohur.

Atentati

Në një nga lokalet e ish-Bllokut në Tiranë rreth orës 21:50 janë dëgjuar disa të shtëna arme ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën dy të tjerë. Sipas policisë dëshmitarët flasin për disa persona që kanë qëlluar dhe u larguan me shpejtësi. Drejt vendit të ngjarjes mbërritën efektivët e rendit, por pa bërë të mundur kapjen e autorëve, të paktën deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Dy të plagosurit janë dërguar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Mësohet se Martinaj, për të cilin ka dyshime se ishte objekt i atentatit është jashtë rrezikut për jetën. Ai po mbahet nën ruajtjen e policisë pasi rezulton person i dënuar dhe i dyshuar për disa vepra të rënda penale.

Martinaj, “grosisti” i kazinove

Emri i Ervis Martinajt ishte i njohur për strukturat e rendit, por u përfshi në listën e individëve me rrezikshmëri të lartë në vitin 2013. Ai ishte pronar i disa pikave të lojërave të fatit, kryesisht kazino dhe lotari sportive të palicencuara. Gjatë aksionit të policisë, më 20 tetor të vitit 2013, Ervis Martinaj u akuzua se kërcënoi shefin e repartit special “Shqiponja” në drejtorinë e policisë së Tiranës, Engjëllush Avdulaj. Sapo efektivët e repartit “Shqiponja” dhe komisariati numër 3, i Tiranës kishin sekuestruar rreth 400 makineri lojërash fati dhe 25 makina luksoze në një magazinë të Ervis Martinajt, ai e merr në telefon shefin e repartit, komisar Engjëllush Avdulajn dhe e kërcënon se do ta eliminojë. Komisari Avdulaj ka bërë kallëzim penal për këtë rast. Ai e ka denoncuar Ervis Martinajn për kanosje me jetë për shkak të detyrës në komisariatin numër 2. Menjëherë pas aksionit “Fundi i Marrëzisë” ekzekutohet me armë zjarri në zonën e Komunës së Parisit Elvis Doçi. Dyshohej se Doçi i kishte shitur disa makineri kazinoje Martinajt vetëm një muaj para se të niste operacioni i madh policor për bllokimin e tyre. Partia Demokratike në atë kohë shigjetoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se kishte lidhje me Doçin. Prokuroria nisi hetimet mbi vrasjen e biznesmenit Doçi, por për shkak të mungesës së provave dosja kaloi nga institucioni i akuzës në strukturat e policisë për plotësim. Që nga ajo kohë Ervis Martinaj ishte në listën e personave të kërkuar, por duket se ka bërë një jetë të qetë, pa u shqetësuar nga efektivët policorë, ndërsa mbrëmjen e djeshme u bë shënjestër e një atentati me armë.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Basha ka të drejtë, reforma zgjedhore duhet të jetë çështja e parë dhe jo e fundit e legjislaturës

Nga Ervis Iljazaj Kryetari i Partisë Demokratike ka kërkuar ngritjen e një...
Read More