Riprodhimi i asistuar, apeli i mjekut: Çifteve infertilë, shteti t’u subvencionojë shpenzimet

Marsel Haxhia doktor Embriolog Klinik flet për të rejat më të fundit në fushën e Fertilizimi In-Vitro, diskutuar gjatë kongresit të fundit të Shoqatës Europiane të Riprodhimit Human dhe Embriologjisë (ESHRE) të mbajtur në Barcelonë, Spanjë. 

Popullsia e Shqipërisë po tkurret gjithnjë e më shumë. Shkaqet sipas Institutit të Statistikave janë emigrimi, plakja dhe ulja e numrit të lindjeve. Veçanërisht lindshmëria e shqiptarëve ka ardhur në rënie të vazhdueshme që nga vitet 1980, kur brenda një viti regjistroheshin 70-80 mijë lindje. Por shifrat e dy viteve të fundit janë edhe më të ulëta se sa periudha para Luftës së Dytë Botërore, kur Shqipëria kishte vetëm 1 milionë banorë. Përballë kësaj situate mjekët apelojnë për një politikë më sociale për çiftet infertilë, një problem shëndetësor i cili prek afërsisht 10-15 % të çifteve në moshën riprodhuese. Sipas doktor Marsel Haxhia Embriolog Klinik, stimulimi i çifteve për të pasur një fëmijë, edhe nëpërmjet teknikave të riprodhimit të asistuar, kur nuk arrihet në rrugë natyrale, është i një rëndësie të veçantë. “Në pothuajse të gjithë Europën”- thotë doktori Haxhia- “një pjesë ose të gjitha pagesat e Fertilizimit In-Vitro mbulohen nga shteti. Dhe këtu doja të bëja dhe thirrjen time në emër të gjithë pacientëve në Shqipëri që duan të kenë një fëmijë, por nuk munden për arsye financiare, që të vihet në vëmendjen e Qeverisë një fond në mbulimin e një pjese të shpenzimeve të Fekondimit In-Vitro!.”

Si ka lindur Fertilizimi In –Vitro?

Bebja e parë e konceptuar me Fertilizimin In-Vitro (IVF) u lind më 1978 në Angli dhe këtë vit Luise Broën feston 40 vjetorin e saj. Në kongresin e fundit të Shoqatës Europiane të Riprodhimit Human dhe Embriologjisë (ESHRE) të mbajtur në Barcelone u raportua se prej asaj periudhe kanë lindur mbi 8 milion bebe në të gjithë botën si rezultat i IVF apo trajtimeve të tjera të fertilitetit. Fertilizimi In-Vitro përfshin marrjen e vezëve nga vezoret e gruas dhe bashkimin e tyre me spermatozoidet e bashkëshortit jashtë trupit. Ky bashkim do prodhojë embrionin i cili mbahet në laborator për maksimumi 5-6 ditë dhe më pas transferohet në mitrën e gruas ku eventualisht mund të zhvillohet në fetus dhe më tutje në lindjen e një bebeje.

Si paraqitet situata sot?

Kongresi i fundit i ESHRE-s në Barcelonë përveç se solli në vëmendje të rejat më të fundit në këtë fushë, bëri edhe një panoramë të shifrave të rritjes gjithmonë e më shumë në të gjithë botën të teknikave të riprodhimit të asistuar. Numri gjithmonë e në rritje i kësaj procedure tregon nevojën dhe problemet në shtim të fertilitetit. Sipas të dhënave të fundit përdorimi i IVF për të konceptuar rritet me 7% çdo vit. Në SHBA u raportua se 1.5% e lindjeve janë nëpërmjet teknikave të riprodhimit të asistuar. Në të gjithë botën është arritur një mesatare se për çdo 1 milion banorë kryhen 1000-1500 cikle Fekondimi In-Vitro. Në Shqipëri aktualisht kryhen rreth 1000 cikle IVF në të gjithë vendin (shifra jo zyrtare).  Kjo shifër është mjaft më e ulët se mesatarja botërore gjë që mund të vij nga arsye të ndryshme social-kulturore dhe ekonomike.

Cilat janë problematikat?

Rritja e përdorimit të kësaj procedure ka bërë që presioni të jetë i lartë në palën mjekësore për rritjen e performancës, përqindjes së suksesit por më kryesorja në kufizimin e komplikacioneve të ndryshme. Përqindja e suksesit është rritur nga 15-20% në 1990 deri në 50-60% në vitet e fundit. Pavarësisht teknologjive të reja të futura në këtë fushë dhe rimodelimit të protokolleve të trajtimit nuk arrihet në një uniformitet përqindje suksesi, një klinikë e ka 30% dhe dikush tjetër e ka 60%. Komplikacionet kryesore në IVF kanë qenë sindromi i hiperstimulimit të vezores dhe shtatzënia multiple (binjak ose trinjak). Për të parën raportohen gjithmonë e më pak raste në të gjithë botën. Gjithashtu edhe për shtatzënitë multiple raportohen gjithmonë e më pak pasi në shumë vende, sidomos Europiane, është përcaktuar me ligj transferimi i vetëm një embrioni. Në Europë transferimi i një embrioni është rritur nga 11% në 1997 në 38% në 2015, ndërkohë që përqindja e shtatzënive multiple ka rënë me 14% sipas raporteve të fundit. Sipas po të njëjtit raport, mbulimi nga siguracionet apo nga Shteti i teknikave të riprodhimit të asistuar është në rritje të vazhdueshme. Raporti i fundit i ESHRE-s në Barcelonë vuri theksin në nevojën e madhe që ka për IVF. Arsyeja është se çiftet kanë mundësi të limituara për të kryer këto procedura. Pas 5 cikleve Fekondimi In-Vitro 75-80% e çifteve do kenë një fëmijë “në dorë” sipas studimeve të fundit. Në Europë transferimi i një embrioni është rritur nga 11% në 1997 në 38% në 2015, ndërkohë që përqindja e shtatzënive multiple ka rënë me 14% sipas raporteve të fundit. Sipas po të njëjtit raport, mbulimi nga siguracionet apo nga Shteti i teknikave të riprodhimit të asistuar është në rritje të vazhdueshme.

E megjithatë ka ende dyshues?

“Unë nuk besoj se nëna ime, Lesley Brown, do ta kishte imagjinuar ndonjëherë se sa e famshme do bëhej IVF-ja dhe se sa shumë fëmijë do ishin lindur nëpërmjet saj” , tha Luise Brown për 8 milion bebet që e pasuan. Duhet theksuar se ekipi i atëhershëm dhe të gjithë pionierët që e përqafuan këtë teknikë në vitet e para u sulmuan dhe u ndeshën me probleme të mëdha etike. Shumë prej tyre u akuzuan në shtyp por edhe në kongreset mjekësore të asaj kohe se ishin duke ndërhyrë në “punët e Zotit”. Shumë nga këto kritika i ngelën kohës dhe vetë koha tregoi se ata do mbahen mend si të parët që i dhanë shpresë miliona njerëzve në të gjithë botën. Duhet thënë se edhe sot, 40 vjet më pas, kjo fushë është gjithmonë e përfolur nga pjesa etike dhe në vende të ndryshme legjislacioni lejon apo jo një procedurë të caktuar. Legjislacionet në të gjitha vendet janë bërë gjithmonë e më shumë të qarta dhe të mirë përcaktuara. Duhet përmendur që vendi ynë ka nevojë për një ri-shikim të legjislacionit në këtë fushë. Kryerja e një ligji të mirë-pranuar nga të gjithë kërkon konsultimin e domosdoshëm me specialistët e fushës, duke marrë shembujt më të mirë të vendeve europiane.

Kjo teknikë a ka shpresë pas një sëmundje tumorale?

Fusha e infertilitetit është zhvilluar dhe përhapur shumë në këto 40 vite. Gjithmonë e më shumë është perfeksionuar ngrirja apo ruajtja e vezëve, embrioneve apo vetë indit të vezoreve. Përdorim të gjerë vitet e fundit po gjen përdorimi i këtyre teknikave në pacientët me tumor; gratë me tumor të vezoreve përpara se t’i nënshtrohen kirurgjisë për heqjen e tyre bëjnë ngrirjen e vezëve apo indit vezorial. Kjo do i japi mundësi atyre të bëhen nëna në të ardhmen. Te meshkujt gjithashtu ngrihet sperma përpara nënshtrimit me kemiopreparate të cilët do i dëmtonin këto qeliza. Infertiliteti është një nga fushat e mjekësisë ku në 40 vitet e fundit janë bërë hapa gjigande dhe shumë punë është duke u bërë me një qëllim përfundimtar për t’i sjellë njerëzve shpresë dhe lumturi për të pasur fëmijë në familjet e tyre.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tirana e Erion Veliajt, metropoli i taksave të larta

Rritja drastike e taksave dhe tarifave e ka bërë Tiranën një qytet...
Read More