Rraskapitja e fundit

BE i vendos Shqipërisë “semaforin portokalli”, ku pritja për të ecur më tej varet nga politika jonë dhe jo vetëm. Rrugëtimi europian 27-vjeçar me shpresa, nxitime, ngecje dhe kthesa të frikshme.

Nga Sebi Alla

Refuzimi i BE-së për të hapur negociatat me Shqipërinë si vend kandidat, ishte i prerë, pa iu lënë vend interpretimeve, çka nënkupton se deri në qershor të vitit 2019 jemi pezull, ku sërish nuk mund të ketë siguri edhe pas kalimit të këtij afati. Kryeministri Edi Rama e konsideroi të rëndësishëm vendimin e marrë, duke e parë dështimin si një gjysmë sukses, me shprehjen: “morëm të drejtën për t’u ankoruar në Portin e BE-së”. Por kjo “anije” do qëndrojë një vit në port, mes dallgëve të forta politike në vend, me shumë të panjohura për plotësimin e të paktën pesë kritereve kryesore, e cila rrezikon që edhe në qershor të vitit të ardhshëm të marrim një tjetër vendim negativ. Panorama bëhet edhe më shumë me nuancë gri të errët, kur vetë Europa po tenton të rikompozojë bashkësinë e saj, duke dalë në skenë liderë të rinj skeptikë, me në krye Emmanuel Macron, që në dollapin ku mban këpucët i gjenden edhe një palë atlete të dhuruara nga Edi Rama… Leximi në dy mënyra të ndara i moshapjes së negociatave nuk do ishte i duhuri në këtë rast. Opozita shprehet se vendimi i BE-së erdhi pasi Shqipëria nuk plotësoi kriteret kryesore që ishin Reforma në Drejtësi, lufta kundër drogës dhe korrupsionit. “Nuk është një proces teknik ku duhet të korrigjojmë pak shënjestrën e t’i themi Edi Ramës, ndrysho pak ngjyrën e atleteve. Ky është një dështim politik i paralajmëruar. Mënyra se si Edi Rama po e trajton këtë dështim politik, tregon fare qartë se në qoftë se nuk bëjmë një kthesë të madhe, e njëjta gjë na pret edhe pas një viti, i njëjti refuzim na pret edhe pas një viti”, -tha kryedemokrati Lulzim Basha, duke shtuar se: “së bashku duhet të vendosim për këtë kthesë të madhe dhe t’i japim formë kësaj kthese të madhe”. Me fjalinë e fundit, Basha mund të ketë hedhur në lojë një bashkëqeverisje nën moton “Shqipëria në Europë”, por pa Edi Ramën kryeministër. Një opsion që dëshirohet shumë nga opozita, që ende mbetet e paorganizuar dhe larg krijimit të frymës popullore që do i sillte pushtetin. Të gjitha mundësitë mbesin në tavolinë si projekte për t’u realizuar, por kryeministri me gjasë po tenton të kamuflojë disa taktika që në vitin e ardhshëm të ketë në duar të paktën disa nga kriteret të realizuara. Sa më shumë kalojnë orët pas vendimit negativ të 26 qershorit, kryeministri po tenton ta lexojë disi me objektivitet vendimin e BE-së. “Vërtet ka një ndryshim midis çeljes imediate të negociatave dhe çeljes së negociatave në 12 muaj, këtë nuk mund ta fshehim, por ndryshimi është shumë më formal seç duket në pamje të parë, për arsyen e thjeshtë se, edhe sikur hipotetikisht çelja e negociatave të ishte imediate, ne do të na duhej një periudhë pune përgatitore, i ashtuquajturi “screening” i procesit, që do të merrte një kohë të caktuar, një kohë që normalisht shtrihet nga 6 deri në 12 muaj” -deklaroi të enjten Rama. Sa për të gjetur justifikimin e “dritës portokalli” në semaforin e pakalueshëm BE, kreu i qeverisë peshkon edhe shkaktarët. Në takim me nëpunës të Ministrisë së Jashtme, Rama e “gjeti djallin” mes BE-së! … “ka nevojë për të thelluar bashkëpunimin mes të dyja palëve dhe nevoja për të thelluar bashkëpunimin brenda nesh, brenda strukturave të qeverisjes dhe të shtetit, pasi procesi është jashtëzakonisht i sofistikuar dhe me mekanizma nga ata mekanizmat djallëzorë që vetëm Bashkimi Europian mund t’i krijojë…”, tha Rama.

Në rastin Shqipëri, “djalli” fshihet në detaje dhe një pjesë e tyre janë tërësisht teknike dhe angazhimi për t’i realizuar, që lidhet kryesisht me zbatimin më të shpejtë të procesit të vettingut dhe Reformës së Drejtësisë në tërësi, lufta konkrete kundër drogës dhe ndëshkimi i korrupsionit në nivelet e larta qeverisëse. Shtuar këtyre kritereve jetike të Shqipërisë, vetë BE-ja është në prag të një riformatimi, mbi mënyrën e funksionimit si një “qeveri e madhe” e bllokut 28 anëtarësh.

Leximi së prapthi nga politika

Politikisht, Rama doli relativisht i “larë”, duke parë kundërshtitë që janë brenda BE-së. Fakti që 25 shtete anëtare ishin pro hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe vetëm 3 kundër, Franca, Danimarka dhe Holanda, e bëjnë kryeministrin të jetë më pak i anatemuar, ku edhe nën shenjën propagandistike të tij, ka lënë të nënkuptojë se ky proces nuk është më vetëm teknik, por politikë Europiane. “Shqipëria ka bërë më shumë se çdo vend tjetër për hapjen e negociatave në këtë fazë. Dy orë para marrjes përgjigjes përfundimtare nuk kishte vendim për shkak të dinamikës së brendshme të bisedimeve, ku 25 vende u vendosën në mënyrë të vendosur për të mbështetur çeljen e menjëhershme të tyre dhe 3 vende të tjera ishin në pozicion të ndryshëm që ne kemi dëgjuar në vijimësi”, – tha Rama, duke shtuar se edhe sikur çelja e negociatave të ishte imediate, do na duhej një tur përgatitor si në rastin aktual. Kryeministri këmbëngul se BE nuk na ka vënë kushte dhe kritere. Krejt ndryshe është qasja opozitare që moshapjen e negociatave e cilëson dështim që vjen nga përfshirja e drejtuesve të lartë të qeverisë në trafikun e drogës dhe korrupsion. Që do kishte dy lexime të ndryshme mes palëve në vend, kjo nuk është më një risi, por zërat për një ulje tonesh dhe një “bashkëqeverisje” nën moton e integrimit drejt BE-së, nuk është vetëm një trill veror në moçalin e politikës sonë. Në orët e para pas lajmit se vendimi për hapjen e negociatave do të shtyhej për në qershor të 2019-s, reagoi edhe LSI, që kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Ramës. Gjithashtu, edhe artikulimi i përfaqësuesve të PD-së se këto negociata nuk erdhën për shkak të përçarjes brenda BE-së, nuk mund të jetë i duhuri. Fakti që për Shqipërinë dhe Maqedoninë u diskutua vetëm tre orë intensive në Luksemburg dhe Bruksel, tregoi sa pak i rëndësishëm ishte për ta nëse dy vendet e Ballkanit Perëndimor merrnin ose jo negociatat. Një lexim më pranë të vërtetës bën me ftohtësi ministri gjerman i Shtetit për Çështjet e Europës Michael Roth. “Sigurisht njëri prej argumenteve nuk kishte fare të bënte me gjendjen në Shkup dhe në Tiranë. Ai kishte të bënte me Bashkimin Europian që është i tronditur nga krizat, që është i zënë më shumë me hallet e veta. Ata shtrojnë pyetjen: A ia dalim dot në këto kohëra, kur na duhet t’i shpenzojmë të gjitha fuqitë për të rregulluar punët tona, që të zhvillojmë negociata ambicioze anëtarësimi?!. Mua nuk më bind ky argument, sepse unë vazhdoj të jem i bindur, se është në interes të gjithë Europës që Ballkani Perëndimor të mbetet ose të bëhet i qëndrueshëm dhe i ankoruar te shteti ligjor”-tha Roth. Ministri nga ana e tij këmbëngul që detyrat që i janë caktuar Shqipërisë dhe Maqedonisë duhet të realizohen, në mënyrë që negociatat të afrojnë sa më shumë datën e hapjes. I pari i “Elizesë” Macron mbështeti “Jo-në” e tij duke argumentuar se Shqipëria ndonëse kishte ecur përpara, sidomos me Reformën në Drejtësi, nuk kishte bërë aq sa duhej për të marrë negociatat edhe për shkak numrit të lartë të azilkërkuesve, korrupsionit, luftës kundër drogës dhe zbatimin e të drejtës së shtetit ligjor.

Kushtet e reja, kushte të vjetra…

Në takimin e Luksemburgut dhe Bruksel gjithçka po shkonte keq, kur vetos së Francës që ishte kategorike për moshapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë iu bashkua edhe Danimarka dhe Holanda. Pavarësisht 25 shteteve të tjera pro hapjes së negociatave, ku lobimin kryesor po e bënte Italia dhe Greqia, shfaqet edhe Gjermania pas një hezitimi të gjatë. Ajo argumentoi se hapja e negociatave ishte një mënyrë për të afruar më shumë Ballkanin Perëndimor, por refuzimi kategorik që erdhi nga Franca, gati çoi në një përplasje dhe ndarje të madhe mes vetë anëtarëve të BE-së. Në fund u gjet një zgjidhje e mesme, duke sjellë në tavolinën e marrëveshjes raportin që parashtronte edhe një herë pesë kriteret kyçe që Shqipëria duhet të kishte progres domethënës. Shteti ligjor duket se është në qendër të skeptikëve për hapjen e negociatave, prandaj dhe në dokumentin që i adresohet Këshillit Europian, avancimi i vettingut dhe i korrupsionit në nivele të larta është një kusht që duket përmbushur. Për këtë, ministrat e Jashtëm të BE-së i kërkojnë Shqipërisë ngritjen sa më shpejt të institucioneve të reja të Reformës në Drejtësi, që do të hetojnë korrupsionin në nivele të larta. “Avancim më tej në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti duke plotësuar të gjitha dosjet prioritare dhe duke finalizuar krijimin e strukturave të pavarura gjyqësore siç parashihet me reformën kushtetuese; finalizimin e themelimit të organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK,) Byrosë Kombëtare të Hetimeve dhe Gjykatës; forcimin e procesit të hetimeve proaktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve përfundimtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe në nivel të lartë”- thuhet në dokument, që nuk është gjë tjetër përveçse përmbledhja e pesë pikave kyçe që Shqipëria i ka të njohura prej të paktën tri vitesh. Fakti që këto kritere të vjetra, paraqiten sërish si të reja, është qasja e qartë se vendi ynë nuk ishte gati të merrte hapjen e negociatave, ndaj i ngjan një anijeje të ankoruar që nuk lejohet të zbresë në port pa u kuruar nga “epidemia” 28-vjeçare e korrupsionit, Reformës në Drejtësi, luftës kundër trafiqeve të paligjshme, reformës zgjedhore dhe klimës bashkëpunuese pozitë-opozitë. Sa do realizohet? Përsëri jemi në duart e politikës sonë, që këtë vit e ka shansin e fundit për fatet e vendit.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Së pari Amerika, ose rikthimi i fortë i realizmit në politikën amerikane!

Nga Sander Lleshi Miratimi i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të SHBA në...
Read More