Rrëfimi i Vis Martinajt: Sherri nuk ndodhi për Elvanën, po të donin do më kishin vrarë

Duket se atentati i së enjtes në zonën e ish-Bllokut, ku mbeti i vrarë, Fabian Gaxha, dyshohet se ishte i paramenduar nga personi i shpallur në kërkim njëherësh i fejuari i këngëtares së mirënjohur, Elvana Gjata, Ervin Mata.

Grupi hetimor pasi ka administruar pamjet e disa prej kamerave të sigurisë si edhe dëshmitë e protagonistëve kryesorë, si Ervis Martinaj dhe të administratorit të lokalit ku ndodhi vrasja, Redi Popesku, ka dalë në konkluzionin se komandoja Merviol Bilo ka reaguar vetëm në drejtim të një personi, i cili mbeti edhe viktimë.

Madje Martinaj thotë se ka tentuar ta shmangë sherrin, duke vënë në dukje se komando Mervjol Billo nëse do të kishte dashur, mund ta kishte vrarë.

“Unë e njihja prej kohësh si komandon, ashtu edhe Matën. S’kemi pasur konflikte me njëri-tjetrin. Nuk shkuam për t’u vrarë, por për t’u sqaruar. Nëse do donin të më vrisnin, unë do isha i vdekur sot. Pasi u plagosa padashje në qafë dhe truprojat e mi u vranë. Por komando nuk qëlloi mbi mua. Edhe pse unë isha i shtrirë. Plumbi më kapi padashje. Sherri nuk ka ndodhur për asnjë femër, sepse nuk vuaj unë për ku…a që të shkoj të vritem për ato”, mësohet se ka thënë Martinaj.

Për këtë moment, vetë Martinaj ka pohuar se nuk ka pasur probleme personale me Ervin Matën dhe të fejuarën e tij.

E gjitha historia dyshohet se ndodhi pasi Fabian Gaxha në një nga lokalet e natës në kryeqytet kishte ngacmuar Gjatën dhe për këtë arsye, ky i fundi i kërkoi shpjegim mikut të Martinajt.

“Unë s’kam pasur lidhje fare në atë konflikt dhe kam raporte të mira me Ervin Matën. Ky i fundit nuk më kishte thënë asgjë se kishte probleme me Gaxhan. Më vonë mësova se ai që ka qëlluar ka ardhur nga jashtë lokalit pasi nuk ishte fillimisht në shoqërinë e Matës dhe miqve të tij në tavolinën tjetër të lokalit. Unë po rrija në një tavolinë me Redi Popeskun dhe një mikun tonë të përbashkët. Nuk është e vërtetë që unë ndodhesha në të njëjtin vend ku ishte Fabian Gaxha dhe Eljon Hato”, ka thënë para prokurorëve Martinaj.

Mësohet se Martinaj i ka rrëfyer prokurorëve se Gaxhaj i kishte nxjerrë probleme edhe herë tjetër për shkak të temperamentit të tij.

Një nga personat që përshkruan edhe pronari i lokalit, që hynë më vonë në lokal dhe nisën të qëllojnë mbi Mervjol Billon është ende i paidentifikuar nga policia.

Martinaj ka treguar në prokurori edhe pse kishte qëndruar larg grupit të Matajt, megjithëse kishin lënë takim bashkë për t’u sqaruar.

“Pse s’u ulëm në një tavolinë ku Mata kishte 1 orë e gjysëm që më priste? Sepse unë u ula në banak, kështu e kemi kodin tonë. Dhe jemi gërric me sy, dy truprojet e mi me komandon. Më pas, vjen Gaxha me një tjetër roje dhe godasin me qytën e pistoletës komandon.

Pasi u bëj me shenjë “çohuni dhe lëreni” Gaxhës i shkrepi pistoleta pa dashje në ajër, këtu ndërhyri komando që i vret”, ka thënë Martinaj.

Pra sipas Martinajt, pavarësisht tensionit që ekzistonte mes dy grupeve, shkak për degradimin e situatës dhe vrasjes është bërë ndërhyrja e menjëhershme e Fabian Gaxhajt dhe e një personi tjetër që kanë qëlluar komandon Mervjol Billo dhe më pas shkrepja e armës pa dashje nga Gaxhaj.

Pikërisht në këtë moment, komando ka reaguar duke qëlluar për vdekje Gaxhajn dhe duke plagosur rëndë truprojën tjetër të Ervis Martinajt dhe vetë atë.

Nga dëshmia e Martinajt duket se komando Mervjol Billo ka reaguar në kushtet e vetëmbrojtjes dhe pavarësisht se është arratisur, duket se ka vepruar kur i rrezikohej jeta.

Për konfliktin e datës 4 Tetor janë shpallur në kërkim, tre persona; biznesmeni Ervin Mata, miku i tij Fabiol Alushi dhe komandoja e njëkohësisht trupoja e këngëtares, Merviol Bilo.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Afganistan/ Tre gazetarë të Radios ‘Evropa e Lirë’ humbën jetën nga dy sulmet kamikaze në Kabul

  Dy sulme të koordinuara vetëvrasëse në Kabul vranë së paku 29...
Read More