Rrëfimi në Open, Xhisiela Maloku: Kam bërë dëshmi të rreme nga xhelozia

Deklarata: “Dua që të dalë që ato që Emiljano thotë nuk janë të vërteta, të zbardhen të vërtetat e ngjarjes realisht. Ato që thotë ai nuk janë të vërteta, edhe nëse Prokuroria i nxjerr si të vërteta. Nuk i them aspak nën presion këto”. Ekspertët: Vajza është nën presion Policia mori në mbrojte Xhisiela Malokun një ditë pas arrestimit të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist.

Xhisiela Maloku u shpreh në Open me Eni Vasilin se dëshmia e saj që është publikuar në media, ku thuhet që është qëlluar me pjesën e pasme të pistoletës, që është qëlluar me grushte, që i është fikur cigarja në pjesën e kofshëve, nuk është e vërtetë. “Këto gjëra i kam thënë nga xhelozia dhe inati. Kam bërë dëshmi të rremë”, tha Xhisiela. Vajza tregon takimin e fundit me Rexhepin: “Unë kisha bërë një kallëzim në komisariatin nr.3, në Tiranë. Ndodhi një konflikt mes nesh. Më mori në telefon dhe u takuam. Nisën skenat e xhelozisë nga ana e të dyve dhe nisën debatet. Në këtë konflikt nuk u ushtrua dhunë ndaj meje. Vetëm një shuplakë e lehtë, jo ato që janë thënë nëpër media. Emiljano (Nuhu) i ka ekzagjeruar. Dëshmia ime nuk është ajo që ka nxjerrë Emiljano, dëshmia ime është në prokurori, bashkë me një dëshmi tjetër në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Durrësit. Atë që ka nxjerrë Emiljano, nuk e di se ku e ka marrë”. Më tej, Xhisiela tregon: “Është e vërtetë që më ka marrë telefonin dhe ma ka thyer. Kjo ka ndodhur brenda një hoteli. Në hotel më ftoi Rexhepi. Aty pati zënka normale, vetëm një shuplakë pati në hotel. Në datën 20 kam shkuar në komisariat, por nuk e kam bërë denoncimin. Nuk e bëra sepse u qetësuam. Dola nga komisariati, e takova dhe më kërkoi falje. Ai ishte aty sepse i thashë unë më parë që do e denoncoja. U sqaruam dhe m’u mbush mendja që ta fal. Pasi u pajtuam, në datën 21 shkova sërish në komisariat pasi nuk e mbajti fjalën e dhënë. Ai iku me një tjetër me pushime. Atë natë, në datë 20 u nis. E mora vesh nëpërmjet shoqeve. Në fillim nuk i besova, por doli që ishte e vërtetë. Nga inati shkova dhe e denoncova për dhunë”. Në lidhje me aktin e ekspertizës që thotë se ka shenja dhune në trupin e Xhisielës, vajza thotë se shenjat në shpatull janë të vjetra, nga një aksident i mëparshëm. Në intervistën e saj bie në sy që ajo mbron deputetin dhe të birin e tij, por njëkohësisht përpiqet të hedhë poshtë deklarimet e oficerit të policisë që publikoi rastin e saj. “Dua që të dalë që ato që Emiljano thotë nuk janë të vërteta, të zbardhen të vërtetat e ngjarjes realisht. Ato që thotë ai nuk janë të vërteta, edhe nëse Prokuroria i nxjerr si të vërteta. Nuk i them aspak nën presion këto”. Kështu u shpreh Xhisiela në rrëfimin e saj për emisionin Open. Vajza thekson se tashmë ka dëshirë që të largohet nga Shqipëria. Në fund, Xhisiela tregon arsyen pse u rrëfye: “Pranova ta jap këtë intervistë për “Open” në Top Channel sepse shikoj që po përfshihen shumë njerëz të pafajshëm, që nga Rexhepi i arrestuar tashmë e më pas tek të gjithë. Ishte i gjithi një gabim i imi, për një xhelozi që nuk e pranoja dot. Të bëhej një shfaqje kaq e madhe mediatike, të përfshihet qeveria, apo kushdo tjetër, nuk e doja këtë. Po, jam e vetëdijshme që kam bërë një denoncim në Komisariatin nr. 3 në Tiranë, dhe me sa di unë Rexhepi nuk është favorizuar. Edhe pse nuk e njoh ligjin, Rexhepi ka qenë në Sarandë dhe sapo është njoftuar nga policia, është paraqitur”.

Intervistat

Xhisiela Maloku ka dhënë intervista të ngjashme edhe për mediat e tjera të cilat mbrëmë ishin në garë se kush t’i transmetonte më parë. Edhe për emisionin Opinion ajo ka deklaruar pak a shumë të njëjtat gjëra, kur ka qenë e pranishme përballë një paneli gazetarësh. Ajo vazhdimisht ka këmbëngulur në versionin e saj, duke deklaruar se kjo do të ishte intervista e saj e fundit në media. Ndërkohë ekspertët që kanë debatuar në media, si edhe gazetarët e pranishëm aty i kanë parë deklaratat e saj me skepticizëm. Sipas tyre vajza po jep deklarimet e saj nën presion të mundshëm.  

Policia e merr në mbrojtje

Policia ka marrë në mbrojte Xhisiela Malokun një ditë pas arrestimit të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja. Urdhri i mbrojtjes për 25-vjeçaren u lëshua paraditen e djeshme. Dy efektivë policie ndodhen para banesës së Malokut. Ajo nuk ka kërkuar urdhër mbrojtje, por policia mori vendimin pas zhvillimeve të fundit të dosjes. Ndërkohë dëshmitë e Xhisiela Malokut dhe Rrexhep Rrajas, por edhe përgjimet ambientale që i ka bërë Prokuroria, çuan në pranga djalin e deputetit socialist. Në vendimin e Gjykatës thuhet se rraja e ka dhunuar fizikisht dhe e pa përndjekur ish-të dashurën e tij. Prokuroria e Krujës ka vërtetuar përndjekjen dhe kërcënimet që i janë bërë Xhisiela Malokut nga Rexhep Rraja, djali i deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja, jo vetëm me dëshminë e të dëmtuarës, por edhe me prova te tjera shkencore dhe përgjime ambientale. Me ane të këtyre provave prokurorja e çështjes Mirela Kapo bindi edhe gjyqtaren Enkeleda Hoxha që të caktojë paraprakisht masën e sigurimit arrest me burg për Rexhep Rrajën i akuzuar për veprën penale të përndjekjes.

Dhunimi i Xhisielës, protestë para Kryeministrisë

Dhunimi i 25-vjeçares nga Fushë-Kruja nga djali i një deputeti dhe fshehja e ngjarjes ka nxitur një revoltë tek qytetarët që sot janë mbledhur para Kryeministrisë për të protestuar. Përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë, qytetarë të thjeshtë, familjarë me fëmijë janë mbledhur para godinës së qeverisë shqiptare për të kërkuar drejtësi të barabartë dhe kundër dhunës ndaj grave. Protestuesit kanë lëshuar edhe thirrje “Rama ik”. “Liria e dinjiteti na kanë mbledhur sot këtu. Ligji të funksionojë për djemtë e deputetëve. Politika në vend është kthyer në armikun kryesor të qytetarëve. Protesta e sotme është e pavarur nga partitë”, u shprehën protestuesit.

 

Deputeti Rraja: S’kam ushtruar presion ndaj policisë

Deputeti Rrahman Rraja lëshoi një deklaratë të shkurtër pas mbledhjet të grupit të PS, ku mohoi që djali i tij të ketë ushtruar dhunë ndaj shtetases Xhisiela Maloku. Me anë të një statusi në “Facebook”, Rrahman Rraja mohon të ketë kategorikisht të ketë ushtruar presion mbi policinë. “1. S’kam marre pjese ne asnje lloj presioni mbi policine dhe kam kerkuar dhe kerkoj te hetohet vendndodhja ime ate dite. 2. Mos prisni nga une qe te behem prokurori i tim biri dhe mos keqperdorni fjalet e mia si baba! Po e them shume qarte qe prokuroria duhet ta hetoje ceshtjen deri ne fund. 3. Familja jone dhe familja e vajzes kane marredhenie te vjetra miqesore qe jane te pandryshuara sot dhe gjithe jeten. 4. Djali dhe vajza kane pasur nje marredhenie disa vjecare dhe pavaresisht asaj qe mendoj une, e perseris, kjo ceshtje i takon drejtesise, jo politikes”, shkruan deputeti. Ndërsa  në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama nuk e ka përmendur fare çështjen e djalit të deputetit Rrahja. Vetë deputeti Rrahja nuk ka qenë prezent në mbledhjen e grupit, ndërsa më pas ai ka komentuar shkurtimisht për gazetarët duke thënë se nuk largohet nga PS. Ndonëse i biri tashmë është nën pranga, deputeti Rrahja mohoi që djali i tij të ketë ushtruar dhunë ndaj shtetases Xhisiela Maloku.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Financiarizimi i Ekonomisë – sfidat dhe risqet e “kohës financiare”

Nga Prof. dr. Adrian Civici Si ta kuptojmë “financiarizimin e ekonomisë”? Në...
Read More