Sebi Alla: Një vjeshtë me tri stuhi

Ndryshimet në kabinetin qeveritar dhe plani i Ramës për të ndryshuar imazhin nga një ekonomi e dobët dhe pa investime të huaja serioze. Vettingu dhe akuzat për kapjen nga pushteti të institucioneve të reja të drejtësisë. Roli i kryeministrit Rama në “korrigjimin e kufijve” në Kosovë dhe afrimi me politikën Trump.

Nga Sebi Alla

Shtatori i parë i Ramës në mandatin e dytë qeverisës pritet të nisë me ndryshime në kabinetin e tij, që më shumë se një formë për të rregulluar bilancet negative, mbetet një gjest politik për të iluzionuar një imazh më premtues. Për fjalimet, mënyrën e komunikimit, gjestet dhe aktet publike, kryeministri ka patur kohë t’i mendojë përgjatë tre javëve pushim, që i kreu me “low cost” pranë brigjeve të Himarës. Si njohës i mirë i perceptimit publik, Rama do tentojë të ndryshojë imazh. Me lëvizjet në kabinetin qeveritar jep edhe sinjale më poshtë në administratë, për të treguar se askush nuk është i paprekshëm. Prekja e imazhit është ajo që Rama i druhet, pasi si ndjekës i mirë i rrjeteve sociale shpesh bombardohet nga pakënaqësitë e qytetarëve që gjithsesi mllefin e shprehin në Facebook, por ende jo me votë.

Vjeshta premton edhe fronte të tjera që do hapin përplasje, në dukje larg politikës, por mbetet ngushtësisht e lidhur me të. Epiqendra do të jetë sërish procesi i vettingut, i domosdoshëm, por edhe kontestuar fort, pasi shpejt kanë nisur “kalkulimet politike” se i kujt është gjyqtari apo prokurori që konfirmohet apo shkarkohet nga detyra. Shenjat janë dhënë për një dorë të padukshme të zgjatur edhe në institucionet e vettingut, që kanë konfirmuar në detyrë disa gjyqtarë dhe prokurorë të cilët raportet me pasurinë dhe integritetin moral dhe profesional i kishin në nivele shqetësuese.

Nga ana tjetër, opozita mundohet të krijojë frymë, duke rrëmuar e denoncuar aktet korruptive që sipas saj vijnë nga rangjet drejtuese të qeverisë. Premton edhe ajo një lloj spektakli, ku nuk do të mungojnë as protestat, por duket se mbetet larg krijimit të alternativave dhe ofrimit të një programi konkret dhe besimi për një qeverisje ndryshe në të ardhmen. I ndodhur ngushtë për të qenë personazh në Europë apo më gjerë, Rama ka në duar një rast që nuk mund të anashkalohet. Kosova zien e përzihet me veten më shumë se çdo herë, kur Presidenti Hashim Thaçi ka hedhur në debat idenë e “korrigjimit të kufijve” me Serbinë. Padyshim që qeveria shqiptare nuk mund të qëndrojë indiferente dhe ndonëse ka një lloj qasje tërheqjeje, Rama ka dhënë shenja qoftë edhe me heshtje që është dakord me idenë e Thaçit.

Këtu roli i Shqipërisë mund të jetë po aq vendimtar sa ai i Kosovës, kur bëhet fjalë për korrigjim apo shkëmbim territoresh. Një nisme me shumë të panjohura ku duket se Europa është kundër ndryshimit të kufijve, por SHBA po investohet për marrëveshje që mund të vijë mes dy palëve, Kosovë dhe Serbi. Gjithçka pritet në tre muajt e ardhshëm politike, ku edhe zgjedhjet lokale po nxjerrin nga “servisi” makinerinë elektorale.

Qeveri e ndryshuar, qeverisje e njëjtë

Një nga format që Rama ka menduar për të analizuar performancën e secilit ministër do të lidhet me të dhëna statistikore të grumbulluara në 300 ditë qeverisje. Gati ka hedhur edhe “sfidën” duke përmendur se ai qeveris me qytetarët, ndërsa nuk lë rast pa trumbetuar portalin “shqipëriaqeduam”. Nga të dhënat që ofron kryeministri, thuhet se në dhjetë muaj të funksionimit të platformës, janë zgjidhur 13,694 halle dhe probleme të qytetarëve.

“Bashkëqeverisja me njerëzit e zakonshëm, në 10 muaj ka marrë jetë si një praktikë efikase ndërveprimi mes qytetarëve dhe qeverisë, duke dëshmuar vlerën dhe potencialin e saj të jashtëzakonshëm për Shqipërinë që Duam”, u shpreh Kryeministri Rama pak ditë më parë. Kjo lloj qeverisjeje “virtuale” (nëpërmjet internetit), është një formë dështimi e administratës, pasi numri i lartë i ankesave, mbetet treguesi se qeverisja nuk është në nivelin e pritshmërive. Përzgjedhja e nëpunësve dhe drejtuesve të lartë është tagër e pushtetit dhe që problemet e qytetarëve nuk marrin udhën e zgjidhjes në kontaktin me zyrtarin, por pasi përfundojnë si ankesë në “portalin” me reklamë shtetërore “shqipëriaqeduam”, konsiderohet dështim institucional edhe pse po referohet si sukses portali. Në aspektin ekonomik, shifrat shkojnë në një rritje prej 3.7 për qind për vitin 2018. Por ky mund të jetë shkëlqim i përkohshëm pasi sipas ekspertëve të Bankës Botërore, rritja ekonomike e Shqipërisë mbetet në rrezik.

Pavarësisht optimizmit qeveritar, institucionet ndërkombëtare presin që ekonomia shqiptare të ngadalësohet në 2018-ën, në krahasim me vitin e mëparshëm. Kjo lidhet me mbarimin e projekteve të mëdha, si gazsjellësi TAP dhe hidrocentralet që po ndërtohen mbi lumin Devoll. “Ritmet e rritjes pritet të ngadalësohen në vitin 2018 për shkak të përfundimit të dy projekteve të mëdha energjetike të financuara nga Investimet e Huaja Direkte”, thanë specialistët e Bankës Botërore në prezantimin e raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor. Për ekspertët e ekonomisë, në një vend si Shqipëria nevojitet rritje ekonomike mbi 5 % për një afat të gjatë që të shihen efektet pozitive.

Në të kundërt me imazhin që referohet nga sigla qeveritare, raportet ndërkombëtare, përfshi edhe Departamentin Amerikan të Shtetit, ngrenë shqetësimin se Shqipëria vijon të ketë problem kryesor mungesës e investimeve dhe korrupsionin qeveritar. “Investitorët raportojnë shqetësime të vazhdueshme, pasi rregullatorët përdorin legjislacionin dhe rregulloret e vështira për t’u interpretuar, si mjete për të dekurajuar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën”-thuhet në raportin e fundit të DASH, ndërsa nuk kursen as frazën: “korrupsioni në prokurimet e qeverisë janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (PPP) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë”.

Bilancet që lidhen drejtpërdrejtë me ekonominë e shqiptarëve, apo shtimi i pakënaqësisë dhe uljes së besimit ndaj qeverisë janë treguesit që kryeministrit i prekin imazhin, pa të cilën e ka të vështirë të qeverisë. Mundësia për të kapërcyer këtë ngërç mbetet akti politik me ndryshimet në qeveri, por edhe një qasje tjetër për investitorët e mëdhenj të huaj, të cilët vijnë deri në Maqedoni apo Bosnje, por akoma jo në Shqipëri.

Vettingu, imazh dhe shpresë

Në shtator gjithashtu institucionet e vettingut do nisin punën për rivlerësimin, ku radhën në listë e kanë gjyqtarë dhe prokurorë të apelit. Deri më tani kanë kaluar për shqyrtim 48 gjyqtarë dhe prokurorë, ku 27 janë konfirmuar në detyrë, ndërsa 21 të tjerë u shkarkuan. Në dukje një shifër mbresëlënëse, ku mbi 45 për qind e të marrëve në shqyrtim janë shkarkuar, por problem nisi të shfaqet pikërisht te personazhet e konfirmuar në detyrë.

Puna e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit shpesh është vënë në dyshim kur u konfirmuan në detyrë disa gjyqtarë e prokurorë që u gjetën me pasuri të mëdha, (vështirësisht të justifikueshme) shtuar edhe të dhënat e tjera të DSIK (Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar) që i gjeti të papërshtatshëm sidomos në lidhjet e tyre me eksponentë të krimit, apo dyshime për afera korruptive. Në disa raste opozita doli hapur kundër KPK-së që e konsideron institucionin kryesor të vettingut si të kapur nga qeveria dhe po konfirmon apo shkarkon nga detyra me urdhër politik. Gjashtë nga 27 të konfirmuarit në detyrë janë ankimuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe ky mbetet një tregues më se shqetësues për besimin në institucionet e vettingut. Të 48 shqyrtimet janë një kampion i mjaftueshëm për të perceptuar vijueshmërinë e vlerësimit të njerëzve të drejtësisë.

Vettingu është në lupën e ndërkombëtarëve, pasi mbetet një investim thuajse tërësisht i tyre. Nëse qeveria ka dorë në vendimmarrjen e vettingut dhe akuzat e opozitës qoftë edhe për një rast të vetëm arrijnë të vërtetohen, atëherë i gjithë procesi shembet, për aq kohë sa u krijua pikërisht për ta shpëtuar drejtësinë nga vetë politika. Kriteri kyç për hapjen e negociatave me BE-në nuk varet vetëm nga shpejtësia e vettingut dhe ngritja e institucioneve të reja të drejtësisë, por edhe nga cilësia dhe pavarësia që do kenë në vendimmarrje. Të premten në darkë kryeministri Edi Rama iu përgjigj një shkrimi kritik të gazetës “Washington Times”, që ngrinte shqetësimin se qeveria dhe vetë Rama po ndikonin në institucionet e vettingut.

“Paguani paguani artikuj nëpër botë kundër Vetingut! Shani e mallkoni në sa gjuhë të mundeni Reformën në Drejtësi! Na akuzoni sa të doni për imoralitet nga dritarja e shtëpisë suaj publike! Ne do ta pastrojmë me rrënjë drejtësinë s’e s’kemi frikë nga drejtësia e vërtetë”-shkruan Rama. Një artikull në gazetë të madhe ndërkombëtare që ngre pikëpyetjet mbi pavarësinë e vettingut kryeministri është munduar që ta kalojë si një shkrim të porositur, apo “blerje” nga ana e opozitës. Mënyra e reagimit të shpejtë e të flaktë të Ramës që i jep rëndësinë këtij shkrimi ka një shpjegim pasi të vetmin kalë beteje për fushatën e zgjedhjeve lokale, apo edhe të përgjithshme do të ketë reformën në drejtësi. Një përkujdesje që vetëm vettingu të mos baltoset është “investimi” kryesor i Ramës, që e ka si shpëtim dhe mundësi.

Kosova si “kufi” dhe investim i SHBA

Loja politike ndërkombëtare është një fushë që Rama mëton ta kthejë në protagonizëm me fjalime, bisedime, batuta apo edhe veshje. Pikërisht këto takime do mungojnë në vijim, pasi agjenda europiane nuk parashikon për gjashtë muajt në vijim takime të nivelit të lartë. Një “shans” protagonizmi Rama mund ta marrë pa shkuar larg, duke ndalur në Kosovë. Presidenti Hashim Thaçi për afër një muaj vijon të këmbëngulë për “korrigjim kufijsh” me Serbinë.

Kjo çështje ka ndezur debate dhe akuza të forta në Kosovë që nuk mund të shuhen lehtë as me deklarata. Zhvillimet e fundit po tregojnë se si Thaçi ashtu edhe Rama kanë qenë dy liderët e vendeve që parimisht kanë rënë dakord për të hapur një tjetër kapitull në Ballkan, duke tentuar të thyejnë “letargjinë” e deritanishme Europiane që nuk mundën të shuajnë konfliktin Kosovë-Serbi. Flitet për një marrëveshje të madhe me “korrigjim kufijsh” që nënkupton kalimin e Luginës së Preshevës në hartën Kosovare, ndërsa Veriu i Mitrovicës t’i kalojë Serbisë.

Për një marrëveshje të tillë, Bashkimi Europian është më se skeptik, duke këmbëngulur se lëvizja e kufijve, qoftë edhe në një marrëveshje dypalëshe mes vendeve do i hapte rrugë një precedent me rrezik në Ballkan, çka mund të nxiste edhe konflikte etnike. Nga ana tjetër, në të kundërt me Europën, ka një investim amerikan dhe veçanërisht të administratës Trump, që po nxit palët për të shkuar në një ndarje të re kufijsh, që do pasohej nga njihje reciproke. Ngjan se vetëm në Kosovë mund të ndikojë kjo marrëveshje e mundshme, por do prekë edhe Tiranën politike që më shumë se vendimmarrjen ka në dorë lobimin dhe “instruktimin” për atë që njihet deri më tani si “korrigjim kufijsh”.

Me deklaratat e fundit nga personalitete të lidhur fort me Trump, u qartësua edhe më shumë se kjo është një nismë amerikane që në planet e saj kërkon të jetë me ndikim në Ballkan. Mbështetja e idesë së korrigjimit të kufijve mund të jetë edhe një qasje “pro Trump” e Ramës, që gjithsesi nëpërmjet arritjes së një marrëveshjeje të mundur Kosovë-Serbi, do marrë kredo politike, apo një afrim personal pas gafës politike që bëri në fundin e fushatës elektorale kundër kandidatit Trump. Tri furtunat e vjeshtës po vijnë me parashikimet e përplasjeve të forta politike, por edhe sfidave të mëdha për shkak të pakënaqësisë në rritje të publikut.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Hapësira alternative larg retorikës inatçore, thashethemit dhe frustrimi

Në kohët e fundit po vërej me shqetësim të madh se si...
Read More