Sëmundja nga e cila vuan Presidenti Thaçi

Nga Berat Buzhala

Nëse Presidenti Thaçi është duke e lexuar këtë shkrim, duhet të këtë filluar të nënqeshet, i ekzaltuar si një fëmijë në shitore të lojërave, që po i jap kredit. Nuk është e rëndësishme se për çfarë krediti bëhet fjalë. Ai me duar të hapura e pranon edhe çmimin si kryemanipulatori i Kosovës. Ai këtë e do. Këtë e deshi. Këtë ia dhamë. Nuk patëm rrugë tjetër.

Pehlivani kryesor i skenës politike, ai që nuk pushon as verë e as dimër, as të shtunë e as të diel, ai që nuk ka jetë private, ka disa javë që është në pole position, krahasuar me liderët e tjerë në vend. Presidenti Thaçi bëri ç’bëri dhe u kap për një teme interesante politike, çmimin e të cilës ka mundësi ta paguajë Kosova, por që një gjë e tillë nuk e lë pa gjumë atë. Ajo çfarë po ndodh në vendin tonë aktualisht, pra një fushatë banale për korrigjime të kufijve, është model mjaft ilustrativ se si mund të përmbyset debati në një shoqëri. Studiuesit do të mund ta trajtonin këtë rast, për të analizuar se si një lider – që konsiderohej i vdekur – arrin që me dy-tre poteza të rikthehet në jetë, madje duke e diktuar tempon e lojës – si playmaker. Paramendojeni, shkoi aq larg, bëri aq shumë mjegull, sa ia turbulloi mendjen edhe një teknokrati si Avdullah Hotit, duke e nxitur që të flasë për këmbime territoriale. Një ekspert i financave, i nxehur me temën, flet se si Kosova do të marrë territor në Serbi, por edhe do t’i ruaj tokat tona. Përveç z. Hoti, Thaçi me agjendën e tij të re politike e zuri të papërgatitur Lëvizjen Vetëvendosje. Edhe më tutje nuk po dinë të artikulohen saktësisht përballë kësaj situate të re. Ata që ishin prijetar të ideve të tilla radikale. sot janë shndërruar në vrojtues. Se çfarë mendon Veseli për këtë temë e lexuam dje. Në një qëndrim – nëse mund të quhet qëndrim – Veseli merrej më shumë më rrjetet sociale dhe me portalet, se sa me kryeprotagonistin e zhvillimeve të fundit. Kryeministri Haradinaj, në anën tjetër, kohë pas kohe, në zemërim e sipër i shkrep dy-tre fishekë. Një gjë e tillë nuk e pengon shumë Thaçin. Për të është shumë e rëndësishme që qeveria të funksionojë kështu siç po funksionon, deri në momentin që atij i duhet. Në këtë moment, nëse Presidenti Thaçi është duke e lexuar këtë shkrim, duhet të këtë filluar të nënqeshet, i ekzaltuar si një fëmijë në shitore të lojërave, që po i jap kredit. Nuk është e rëndësishme se për çfarë krediti bëhet fjalë. Ai me duar të hapura e pranon edhe çmimin si kryemanipulatori i Kosovës. Ai këtë e do. Këtë e deshi. Këtë ia dhamë. Nuk patëm rrugë tjetër. Presidentin, pa marrë parasysh sa joserioz është, sa manipulator është, është e vështirë ta injorosh. Presidenti Thaçi, i mbetur pa kauzë serioze tash e dy vjet, përveç asaj kauzës së Tribunalit Special në dimrin e kaluar, e kishte tepër të rëndësishme të akomodohej disi, ta gjente një rol të madh për vetën. Nuk mund të pajtohej më faktin që të jetë edhe President i shtetit, e edhe të zhduket politikisht, siç bie fjala ka ndodhur me Atifete Jahjagen. Kjo e fundit nuk bëri kurrfarë gabimi. Thjesht hyri dhe doli nga politika. Prandaj Thaçi, për të mos e përjetuar një fat të tillë, jo shkëmbim të territoreve, por për t’u faktorizuar, për të qenë prezent në çdo portal dhe në çdo palë lajme, do ta konsideronte opsion më serioz shitjen e Kosovës se sa asgjësimin. Pra, mund të themi me siguri të plotë se Thaçi vuan nga një fobi e parëndësisë politike. Dikush e ka fobi liftin, një tjetër qenin a macen, kurse Thaçi e ka fobi defaktorizimin. Kjo është ajo çfarë e lë pa gjumë. Me të drejtë. Thaçi e di se në momentin kur mbetet pa rol, në momentin kur ujërat qetësohen, në momentin kur nuk i përmendet emri as për mirë e as për keq, kur në Bruksel do ta gjejnë dikë tjetër që do ta zëvendësonte, atëherë ka mundësi që do të fillonte epoka e re – ajo e dhënies së llogarive për çfarë ka bërë ai që nga viti 1999 e deri më sot. Dhe kjo çfarë po e them tashmë nuk është kurrfarë sekreti. Se Thaçi po improvizon skandale politike, për ta neutralizuar Tribunalin Special, këtë e kanë thënë tashmë pothuajse të gjithë. Kjo është një hamendje e lehtë. Mirëpo ajo çfarë unë dëshiroj të them është se Thaçi, edhe sikur të mos ishte afera e Tribunalit Special, ai prapë njëjtë do të vepronte.

Do të përplasej poshtë e lart, do ta hante vetën, nuk do t’i linte dy gurë pa i rrotulluar, do t’i shkonte Lutfi Hazirit pas mesit të natës në shtëpi, nëse nuk do të ekzistonte Lutfi Haziri do ta lindte një tjetër, derisa do ta tërhiqte vëmendjen. Dhe këtë nuk besoj që do ta bënte për të keqen e askujt, por vetëm pse e urren vetminë. E urren irrelevancën dhe pafuqinë. Thaçi fillon e shqetësohet nëse dy net me radhë nuk është kryelajm, në portale a në televizione. Në atë moment ai ka mundësi që e kërkon emrin e tij në Google. Me fjalë të tjera, Thaçi, jo President, por edhe sikur të ishte menaxher i të gjitha nevojtoreve publike në Republikën e Kosovës, nëse do ta konsideronte që nuk po trajtohet me respektin e duhur, ose nëse do ta konsideronte që nuk po merret shumë parasysh pozita e tij menaxheriale, për ta rikthyer reputacionin e humbur dhe relevancën ai do t’ua vinte drynin të gjitha nevojtoreve, derisa qytetarët të fillonin ta bënin në brekë. Kur kjo do të fillonte të ndodhte, ai pastaj do të dilte me ndonjë ide kreative se si të zhbllokohen nevojtoret, të cilat i kishte bllokuar ai. Të gjitha ata që do të fillonin ta sulmonin atë për sabotazh, ai do t’i pyeste me plot zemërim: Pse po dëshironi ta dënoni popullin për ta kryer në brekë? Pastaj në mënyrë triumfaliste do të kërcënonte se do të organizonte referendum, do ta bartte pushtetin të populli, se si do të dëshironin ata të zgjidhej ky misteri i nevojtoreve. Pra, ky është Thaçi. Sigurisht që Kosova është organizatë komike në vetvete, mirëpo persona, ose personalitete sikur Thaçi, në shoqëri dhe shtete që janë më të mëdha dhe më të organizuara, dinë të shkaktojnë mjaft kokëçarje me të tilla tema nacionale. Plot autokratë dhe diktatorë janë zhvilluar përafërsisht kështu sikur Thaçi. Fillimisht revolucionar. Pastaj disa vite tranzicion dhe vjedhje. Krejt në fund nacionalizëm. Po të mos ishte KFOR-i, po të mos ishin edhe shumë faktor të tjerë që janë prezent në vendin tonë, që e bëjnë situatën komplekse, Thaçi do ta kishte momentin perfekt që të niste edhe një fushatë të arrestimeve ndaj kundërshtarëve të ideve të tij – posaçërisht mediave. Yrrnek për një gjë të tillë ka sa të duash te partneri i tij në Lindje. Madje, partneri i tij në Lindje, mund të jetë edhe i habitur përse vëllai i tij në vilajetin e Kosovës nuk ka kaluar ende në fazën e domosdoshme të pastrimit të terrenit nga armiqtë e brendshëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ngatërrimi me Demarkacionin

Z.Pacolli, me dëshirën e mirë për të dalë nga situata me demarkacionin,...
Read More