Shkolla ‘Kosova’ si model i shkatërrimit të institucionit shkollë!

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit

Kohët e fundit kam filluar të kem frikë nga vetja sepse, gjithmonë e më shpesh, po dakordësoj në mendime me z. Rama. Këtë herë bëhet fjalë për deklaratën e tij në ditën e parë të vitit të ri mësimor, sipas të cilës shkolla Kosova, tashmë e rindërtuar, është shkolla më moderne në Shqipëri. Kështu mendoj edhe unë. Shkolla Kosova, është një godinë shumë moderne. Bile, aq moderne, sa nuk mund të jetë më një shkollë. Mund të jetë gjithçka tjetër, mund të kryejë çfarëdo lloj funksioni privat apo publik, por shkollë nuk mund të jetë. Për të folur qartë, duhet pranuar se në këtë vendin tonë shprehja ‘nuk mund të jetë’, e thënë nga një teknik, nuk është se ka ndonjë vlerë publike apo dobi praktike. Sepse në ndryshim nga kushtëzimet teknike, godina Kosova, sikurse çdo gjë tjetër në Shqipërinë e sotme, e merr potencën nga botëkuptimi i z. Rama. Dhe në këtë kontekst, në praktikë ajo do të funksionalizohet si një element i rrjetit arsimor të kryeqytetit.

Pa dyshim që do ndodhi kështu! Padyshim se rreth 400 fëmijë të moshës 6-15 vjeç do mbimbushin çantat e stërmëdha me një pafundësi librash, fletoresh dhe mjetesh të tjera mësimore dhe do strehohen në këtë godinë, porse nxënës nuk mund të jenë kurrë. Pa dyshim se rreth 15-20 të rritur do ju flasin këtyre fëmijëve, do dëgjojnë prej tyre, bile do të vendosin edhe nota nëpër regjistra, porse edukatorë nuk mund të jenë kurrë. Dhe këtu nuk jemi duke folur as për dëshirën apo aftësitë e fëmijëve dhe as për dëshirën dhe aftësinë e të rriturve për të komunikuar dhe shkëmbyer nxënie dhe edukim. Nuk jemi duke folur as për cilësinë e mjediseve të klasave, vlerën e librave, sasinë e mjeteve shkollore individuale të fëmijëve apo didaktikën e pedagogjinë e përdorur nga bashkësia e të rriturve. Nuk po e bëjmë, jo se nuk ka gjë për të thënë, porse nuk i takon sferës së arkitekturës dhe urbanistikës të shprehet për këto.

Ne po flasim për ndërtesën dhe elementet e saj! Dhe ndërtesa Kosova mund të ketë katër kate nga të cilat një nën tokë, mund të ketë klasa moderne, mund të ketë bibliotekë, sallë leximi dhe zonë për ruajtjen e librave, mund të ketë auditorium që të jetë edhe në shërbim të komunitetit, mund të ketë edhe laboratorë të mirëpajisur, mund të ketë gjithçka që na premtoi kryebashkiaku Veliaj në 7 marsin e vitit të kaluar kur inauguroi nisjen e punimeve, porse nuk është shkollë. Ashtu sikurse nuk janë shkolla të gjitha godinat e rrjetit arsimor të Shqipërisë që i janë nënshtruar një rikonstruksioni me modifikime të planimetrisë dhe volumetrisë, në vitet e tranzicionit. Mund t’i kenë modernizuar pothuajse sa shkolla Kosova, mund t’i kenë shtuar numrin e mjediseve, mund t’i kenë shtuar llojshmërinë e mjediseve sipas përdorimit (laboratorë, palestra, biblioteka e auditorium), porse janë pikërisht këto risi që i kanë humbur potencën si shkollë.

Ajo që duhet të kuptojmë ne si shoqëri, por në mënyrë të veçantë ata që kanë pushtetin për të marrë vendime, është premisa bazike se proceset edukuese dhe aftësuese kanë nevojë për godina të dedikuara. Dedikim, që nis që në planifikimin territorial të qytetit, ku nëpërmjet Planit të Përgjithshëm bëhet një shpërndarje e planifikuar e parcelave për godina arsimore, në harmoni me shpërndarjen demografike në numër dhe strukturë familjare. Dedikim, që vijon me planifikimin urban të njësive të banimit të qytetit, ku nëpërmjet Studimeve Pjesore përcaktohet vendndodhja e parcelave të godinave arsimore sipas llojit (çerdhe, kopshte, shkolla 5-së/ 9-vjeçare apo të mesme). Dhe së fundi, kompozimi volumor i ndërtesës në parcelën e dedikuar për këtë zhvillim. Është intensiteti i ndërtimit, apo raporti i sipërfaqes së përgjithshme të ndërtuar me sipërfaqen e parcelës ndërtimore, ai që bën diferencën midis një godine çfarëdo me një godinë arsimore.

Ajo që ka ndodhur me ndërtesat e shkollave është pikërisht deformimi i këtij raporti shumë të rëndësishëm. Ndërtimi i shtesave të katit apo anësore ka rritur ndjeshëm intensitetin e ndërtimit në këto parcela, duke prishur së pari, raportin e volumeve ndërtimore me hapësirat e hapura, dhe si rrjedhim logjik edhe balancat e aktiviteteve edukative dhe aftësuese të fëmijëve dhe gjithë strukturën arsimore. Shembulli më i keq i kësaj mënyre të së vepruari është godina Kosova, ku një shkollë fillore njëkatëshe për disa dhjetëra nxënës u zëvendësua me një godinë katërkatëshe për disa qindra fëmijë, në të njëjtën parcelë ndërtimore. Sigurisht, që ndërtesa e sotme është shumë më moderne se shkolla e ndërtuar në vitin 1940, por nuk është më një shkollë. Prandaj, ajo që na mbetet ne si prindër është: ose të kënaqemi, se me ‘shkollën e drejtorëve të shkollave’ jemi të dytët pas Izraelit; ose t’i kërkojmë qeverisë të ndërtojë godina për shkolla prej vërteti!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Vettingu edhe për politikën: A duhet bërë, a mund të bëhet?

Projekti i opozitës për kontrollin e politikanëve ndonëse ka marrë ok verbal...
Read More