Shqipëria në fermentim për të rikrijuar vetveten

Nga Spartak Ngjela

Fqinjët tanë, aneksues territoresh të gjera shqiptare, janë hedhur në sulm për të bllokuar aleancën shqiptaro-amerikane, me anë të korrupsionit shqiptar. Por lodhen dhe shpenzohen kot.

“Le të ikë i tërbuar dreri/Le të shkojë e mërzitur dhia/Njëri fle dhe tjetrin e ha vreri/Kështu na qenka bota njerëzia”. (Uilliam Shekspir). Kush po fle i qetë? Shqiptarët. Cilët janë ata që po i ha vreri? Serbët dhe grekët.

-Shqipëria është në fermentim për të rikrijuar vetveten. Ka njëqind vjet që nuk e ka krijuar dot vetveten si një shtet të shqiptarëve, por vetëm si një vegël e të huajve, përkatësisht të fqinjëve që janë aneksuesit e mëdhenj të territoreve shqiptare. Dhe ja historia e Shqipërisë: nga Beogradi në Romë, e nga Roma sërish në Beograd; nga Beogradi në Moskë e nga Moska në Pekin. Pastaj një viktimë e marrëzisë izoluese të Enver Hoxhës. Por sërish, nga izolimi hoxhist në Beograd, në vitin 1992, dhe në Athinë në vitin 1998. Shitje interesash nga pushtetarë të korruptuar dhe halldupë e vjedhës që shesin interesin kombëtar. Kjo është gjendja edhe sot, kur e gjithë shpresa e Shqipërisë duket se do të mbështetet te Shtetet e Bashkuara të Amerikës; e cila, me Reformën e saj, po shkallmon të shiturit e korruptuar në Shqipëri.

-Janë dy shtete shqiptare në Ballkanin Perëndimor dhe që të dy kanë dalë me forcën e politikës amerikane: Shqipëria dhe Kosova. Shqipëria shpëtoi nga asgjësimi në vitin 1919 me forcën e politikës amerikane; dhe Kosova gjithashtu në vitin 1999 po me anë të forcës amerikane doli si shtet i pavarur. Në fakt që nga viti 1999 po kërkohet të rivendoset historia e fshehur, e dhunuar dhe e humbur e Shqipërisë dhe shqiptarëve. I gjithë ky proces i ri proshqiptar në arenën ndërkombëtare është tërësisht nën influencën e forcës më të madhe botërore, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por vazhdimisht ky proces është penguar nga pushtetarët shqiptarë të shitur në Beograd dhe në Athinë. Kush janë këta? E ç’i do emrat, ata tani janë të identifikuar dhe shpejt do të goditen menjëherë penalisht nga SPAK. Po tani ku jemi?

-Pengesat njëzetvjeçare të të korruptuarve të blerë nga Beogradi dhe Athina tani janë sheshuar. Por befas doli një pazar ri me këtë që është kryeministër sot, i cili, me oreksin kriminal të Enver Hoxhës, kërkoi ta shtynte Shqipërinë sërish në Stamboll në doktrinën neo-osmane të Erdoganit.
Por edhe ky tani ka dështuar dhe po vërtitet i trembur për të gjetur ndonjë strehë për vete.

Ndërsa, është sërish brenda rrjedhës historike sesi Beogradi dhe Ankaraja bashkohen kundër shqiptarëve, njëlloj si Stambolli në 200 vjetët e fundit.  Por tani askush nuk ka më forcë antishqiptare. Gjithçka do të ecë drejt rivlerësimit të historisë së Arbërisë. Arbëria po ringjallet: sepse plus dy shteteve shqiptare, në Ballkanin Perëndimor doli edhe një shtet i tretë: Maqedonia, e cila po shkon drejt albanizimit të saj. Por ka edhe më, se pyetja që ngrihet tani është kjo: a do ta përkrahë politika amerikane çështjen e Çamërisë? E gjithë frika greke është këtu. Por Çamëria është pjesë e pandarë e historisë së Shqipërisë. Atje nga Greqia është kryer një krim i tërbuar gjenocidal antishqiptar që do t’i paguhet dëmi i cili shkon mbi 300 milionë dollarë. Nëse në shqiptarët do të dimë të lajmë duart me të korruptuarit e shitur te fqinjët, politika amerikane, brenda aleancës shqiptaro-amerikane sigurisht që do të nisë përkrahjen e çështjes së Çamërisë.

Koha e shqiptarëve ka ardhur duan apo nuk duan pushtuesit e vjetër e të rinj të territoreve shqiptare në Stamboll, në Beograd dhe në Athinë. Le të bashkohen, asgjë nuk do të arrijnë me korrupsionin e lartë shqiptar, i cili tani është i tëri i skeduar nominalisht.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Teatri i ri Kombëtar, Rama poston fotot, Veliaj: Më në fund kemi një projekt dinjitoz

Kryetari i Bashkisë së Tiranës e cilëson projektin e ri të Teatrit...
Read More